Zjarr në Top Albania Radio, “Wake Up” nuk del në transmetim

Një zjarr ka përfshirë mëngjesin e kësaj të enjteje ambientet e Top Albania Radio, në Arena Center në Tiranë, duke ndërprerë programacionin e radios. Për pasojë, emisioni i mëngjesit “Wake Up”, që transmetohet njëkohësisht edhe në Top Channel, nuk ka dalë në transmetim.
Sipas njoftimit të publikuar nga vetë radioja, flakët janë shfaqur rreth orës 06:40. Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit për shuarjen e zjarrit, ndërsa kanë mbërritur edhe forcat e policisë. Radioja konfirmon se nuk ka persona të lënduar.
Në njoftimin fillestar nuk jepen të dhëna për shkakun e zjarrit apo përmasat e dëmeve materiale. Top Albania Radio bën të ditur se po punohet për rikthimin e normalitetit.



