Zbulohet opinionisti i dytë i “Big Brother VIP Kosova 5”

Pas Rudina Dembacajt, është zbuluar edhe emri i dytë i panelit të opinionistëve të “Big Brother VIP Kosova 5”. Gazetari dhe moderatori Resul Sinani do t’i bashkohet aktores në studion e spektaklit, ku do të komentojnë zhvillimet brenda shtëpisë.
Sipas Prive, ky do të jetë angazhimi i parë i Sinanit si opinionist në këtë format. Për gazetarin, i cili ka një përvojë të gjatë në televizion, roli vjen pas një tjetër ndryshimi profesional: kalimit nga ATV në Klan Kosova gjatë këtij sezoni.
Publiku e ka ndjekur së fundmi në drejtimin e “Libero” në ATV, ku përmes intervistave dhe bisedave me të ftuarit ka trajtuar tema shoqërore dhe të aktualitetit. Tashmë, vëmendja e tij do të zhvendoset te loja e banorëve, marrëdhëniet që krijohen mes tyre dhe përplasjet që do të shoqërojnë garën.
Sinani dhe Dembacaj vijnë nga përvoja të ndryshme televizive: ai nga gazetaria dhe intervistat, ndërsa ajo nga aktrimi dhe moderimi. Në panelin e BBVK-së, të dy do të kenë të njëjtën detyrë, të japin qëndrimet e tyre mbi atë që ndodh brenda shtëpisë.
Me zbulimin e dy opinionistëve, merr formë edhe skuadra që do të shoqërojë edicionin e pestë të “Big Brother VIP Kosova”, ndërsa për Resul Sinanin ky sezon sjell jo vetëm një ekran të ri, por edhe një rol të ri përpara publikut.



