Vlashent Sata pjesë e “Big Brother VIP Albania”? Artisti përgjigjet për herë të parë

Emri i Vlashent Satës është përfolur disa herë si një prej personazheve që mund t’i bashkohen “Big Brother VIP Albania”, por vetë artisti thotë se deri tani nuk ka marrë asnjë ofertë konkrete.
I ftuar në emisionin “Lancio” me David Priftin në Top Albania Radio, këngëtari dhe kompozitori u pyet drejtpërdrejt nëse ka gjasa që këtë sezon ta shohim brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.
“Vlashent Sata, çdo vit emri jot lakohet”, i tha moderatori, ndërsa artisti reagoi menjëherë: “Nuk është e vërtetë”.
Kur David Prifti këmbënguli se emri i tij është përmendur edhe këtë vit si një banor i mundshëm, Vlashenti sqaroi:
“Nuk më ka thënë njeri.”
Dhe, me humorin që e karakterizon, shtoi:
“Kur të më vijë në vesh, do ta çoj në tru dhe do ta nxjerr nga goja përgjigjen.”
Por kur pyetja u bë më konkrete, nëse do të kishte dëshirë të bëhej pjesë e formatit, përgjigjja e tij tregoi edhe rezervat që ka ndaj një eksperiençe të tillë.
“Për formatin jo, për dëshirë për të qenë pranë njerëzve po. Kur them për formatin…”
Moderatori e pyeti nëse problemi ishte izolimi, ndërsa Vlashenti shpjegoi se ajo që e bën skeptik është vetë dinamika psikologjike e reality show-t.
“Më duket lojë me njerëzit dhe unë jam tip goxha emocional. Kam rastisur që kam shkuar e përshëndetur në një format të ngjashëm dhe më janë dukur ata njerëz sikur kanë bërë elektroshok.”
Megjithatë, artisti nuk e mbylli përfundimisht derën.
Kur u pyet nëse do të ishte i gatshëm të bënte kompromis me natyrën e formatit për të arritur një publik edhe më të gjerë, Vlashenti pranoi se nuk kishte një përgjigje të prerë.
“Nuk e di. Betohem, më ke kapur në flagrancë. Nuk e di, ta them troç.”
Pra, për momentin nuk ka një konfirmim dhe as një ofertë të bërë publike. Vlashent Sata nuk duket i bindur nga vetë formati i “Big Brother VIP”, por as nuk e përjashton kategorikisht mundësinë.
Dhe për një emër që “lakohet” pothuajse çdo sezon, këtë herë përgjigjja mbetet pikërisht ajo që ai tha vetë: “Nuk e di.”



