Velvet nails, manikyri me efekt kadifeje që po bëhet trendi më i dëshiruar i vjeshtës

Ama Quashie e ka bërë sërish. Manikyristja, e njohur për disa nga look-et më të bukura të thonjve në pasarelat ndërkombëtare, këtë herë ka sjellë një ide që nga sfilata ka kaluar menjëherë në jetën reale: velvet nails, thonjtë me efekt kadifeje që po kthehen në një nga tendencat më të forta të vjeshtës.
Quashie është emri pas manikyrëve opalescentë të Matthieu Blazy për Chanel dhe thonjve me efekt pikash shiu të McQueen gjatë Fashion Month. Por këtë herë vëmendjen e morën thonjtë e shkurtër me teksturë të butë dhe luksoze të krijuar për sfilatën Pranverë 2027 të Simone Rocha.
Frymëzimi erdhi direkt nga veshjet prej kadifeje në nuanca të thella gurësh të çmuar që u shfaqën në koleksion.
Për pasarelën, Quashie vendosi realisht copa të vogla kadifeje mbi thonj, duke krijuar një efekt tridimensional. Problemi? Nuk është pikërisht manikyri më praktik për përditshmërinë.
“Sapo të lani duart...”, tha ajo me humor në backstage për British Vogue, duke imituar copëzat e kadifesë që bien nga thonjtë.
Fatmirësisht, ka edhe një mënyrë shumë më praktike për ta rikrijuar të njëjtin efekt.
Sekreti është manikyri cat eye dhe një magnet për thonjtë.
Por ndryshe nga cat eye klasik, ku shkëlqimi përqendrohet zakonisht në një vijë diagonale, velvet nails kërkojnë një reflektim të shpërndarë në mënyrë uniforme në gjithë sipërfaqen e thoit, duke rikrijuar atë shkëlqim të butë dhe të thellë që ka kadifeja kur ndryshon këndi i dritës.
Sa i përket ngjyrave, këtë vjeshtë mund të shkoni drejt toneve dramatike që frymëzuan edhe sfilatën e Simone Rocha: blu të thellë, të kuqe të ndezur, burgundy, të zezë dhe nuanca të errëta gurësh të çmuar.
Nëse preferoni diçka më delikate, efekti funksionon po aq bukur edhe në rozë të zbehtë, lilac të çelët apo nuanca nude.
Si të bëni velvet nails
Për rezultatin më të pastër, një manikyr profesional është zgjedhja më e sigurt, sepse pozicionimi i magnetit kërkon pak praktikë.
Nëse doni ta provoni në shtëpi, ju duhet një manikyr me grimca magnetike, një bazë gjysmë permanente, një top coat me shkëlqim dhe një magnet specifik për nail art.
Fillimisht, limoni thonjtë në formën që dëshironi dhe lustrojeni lehtë sipërfaqen për të hequr shkëlqimin natyral.
Aplikoni bazën dhe polimerizojeni nën llambë UV ose LED.
Më pas vendosni një shtresë manikyri magnetik. Përpara se ta fusni nën llambë, afroni magnetin mbi thua dhe lëvizeni derisa grimcat magnetike të krijojnë efektin që dëshironi.
Në varësi të distancës dhe drejtimit të magnetit, mund të krijohen forma të ndryshme, nga vijat dhe katrorët deri te zemrat. Për velvet nails, ideja është të shpërndahet drita në mënyrë sa më uniforme, pa krijuar një vijë shumë të fortë.
Kur të jeni të kënaqura me efektin, polimerizoni manikyrin nën llambë.
Në fund aplikoni top coat me shumë shkëlqim. Nëse dëshironi një rezultat edhe më intensiv, mund të shtoni një shtresë të dytë manikyri magnetik përpara top coat-it.
Velvet chrome
Për një efekt më futurist dhe më të ndritshëm, kadifeja mund të kombinohet me shkëlqim kromi. Rezultati është një manikyr që ndryshon vazhdimisht nën dritë dhe duket thuajse metalik.
Ballet slipper velvet
Një rozë shumë e butë, e frymëzuar nga këpucët e balerinave, e bën trendin shumë më minimalist dhe romantik. Ideal për ato që duan efektin kadife pa zgjedhur ngjyra të errëta.
Blue velvet
Bluja e thellë është një nga versionet më elegante të këtij trendi. Shkëlqimi magnetik i jep ngjyrës dimension dhe krijon efektin e një cope kadifeje blu që reflekton dritën.
Espresso velvet
Nuancat kafe espresso janë perfekte për vjeshtën. Të errëta, të ngrohta dhe elegante, marrin edhe më shumë thellësi me efektin velvet.
Scarlet velvet
E kuqja e ndezur bëhet edhe më luksoze me shkëlqimin e butë magnetik. Është një alternativë më interesante ndaj manikyrit klasik të kuq.
Forest green velvet
Jeshilja e pyllit është një tjetër zgjedhje ideale për sezonin e ftohtë. Në kombinim me reflektimin cat eye, krijon një efekt të thellë dhe shumë të rafinuar.
Plum velvet
Vjollca e errët dhe nuancat plum janë ndër më dramatiket e trendit. Një zgjedhje perfekte nëse ju pëlqejnë tonet e errëta, por dëshironi diçka ndryshe nga bordo apo e zeza.
Gold velvet
Ari e kthen velvet manicure në një variant më glam. Shkëlqimi shpërndahet në gjithë thoin dhe krijon një efekt të ngrohtë, pothuajse si pëlhurë metalike.
Duotone velvet
Dy ngjyra të ndërthurura në të njëjtin thua krijojnë një efekt që ndryshon në varësi të këndit dhe dritës. Është versioni më eksperimental i trendit.
Multicolour velvet
Për ato që nuk duan të zgjedhin vetëm një nuancë, velvet nails mund të realizohen edhe me ngjyra të ndryshme në çdo thua, duke ruajtur të njëjtin efekt magnetik dhe të butë.
Në thelb, ky është një trend që arrin të bashkojë dy gjëra që funksionojnë gjithmonë në vjeshtë: ngjyrat e thella dhe teksturat që duken luksoze.
Dhe këtë sezon, kadifeja nuk do të jetë vetëm në garderobë. Do ta mbajmë edhe në thonj.



