Vdes në moshën 85 vjeç Mike Love, këngëtari dhe bashkëthemeluesi i Beach Boys

Nga Class• 29 November 2026

Vdes në moshën 85 vjeç Mike Love, këngëtari dhe

Bota e muzikës humbet një tjetër emër të rëndësishëm. Mike Love, këngëtari dhe një prej themeluesve të grupit të famshëm amerikan “The Beach Boys”, është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare.

Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesja e tij, Katie Altman, e cila bëri të ditur se artisti ndërroi jetë i rrethuar nga familjarët. Deri më tani nuk janë bërë publike detaje mbi shkakun e vdekjes apo vendin ku ai dha frymën e fundit.

Përmes një deklarate për mediat, përfaqësuesja e këngëtarit vlerësoi trashëgiminë e tij artistike dhe ndikimin që la në muzikën amerikane.

Ajo theksoi se Mike Love do të kujtohet për talentin e veçantë, kontributin në kulturën muzikore dhe frymëzimin që u dha brezave të tërë artistësh. Gjithashtu, nënvizoi dashurinë e tij për skenën dhe për publikun që e ndoqi gjatë gjithë karrierës.

Mike Love lindi më 15 mars 1941 në Los Angeles dhe ishte pjesë e grupit që në krijimin e tij në vitin 1961. Ai themeloi “The Beach Boys” së bashku me kushërinjtë Brian, Carl dhe Dennis Wilson, si dhe mikun e tyre Al Jardine.

Grupi u bë një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të muzikës amerikane të viteve ’60, duke ndikuar në përhapjen e muzikës surf dhe duke krijuar një stil të dallueshëm përmes harmonive vokale dhe melodive karakteristike të Kalifornisë.

Gjatë karrierës së tyre, “The Beach Boys” publikuan një sërë hitesh që mbeten të njohura edhe sot, mes tyre “California Girls”, “Surfin’ U.S.A.”, “Good Vibrations”, “I Get Around” dhe “Kokomo”. Grupi ka shitur më shumë se 100 milionë albume në të gjithë botën.

Përveç rolit si këngëtar, Love ishte edhe bashkautor i disa prej këngëve më të suksesshme të grupit. Kontributi i tij në muzikë u vlerësua edhe në vitin 2025, kur u përfshi në “Songwriters Hall of Fame”.

Vitet e fundit, ai vazhdoi të performonte me emrin “The Beach Boys”, pavarësisht problemeve shëndetësore që ndikuan në aktivitetin e tij artistik. Koncerti i tij i fundit u mbajt më 10 tetor në Ryman Auditorium, në Nashville të SHBA-ve.

 

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon