Vanilla manicure është trendi më elegant i vjeshtës 2026

Më e ngrohtë se e bardha qumështore, më e butë se e verdha dhe shumë më pak e parashikueshme se nude klasik. Vanilla manicure po shfaqet si një nga tendencat më elegante të thonjve për vjeshtë dimër 2026.
Në thelb, bëhet fjalë për një nuancë vaniljeje kremoze, të pastër dhe shumë delikate, një evolucion i manikyrit milky nude që ka dominuar prej kohësh.
Sipas Zola Ganzorigt, manikyristes së Hailey Bieber, Kylie Jenner dhe Sabrina Carpenter, kjo ngjyrë është kthyer në “obsesionin” e saj të ri. Dhe duke pasur parasysh se ajo është emri pas trendit viral të glazed nails, nuk është e vështirë të kuptohet pse vanilla manicure po fiton kaq shumë vëmendje.
Është një manikyr që bie në sy pikërisht sepse nuk përpiqet shumë. Ka atë efekt të pastër, klasik dhe të sofistikuar që në estetikën amerikane përshkruhet shpesh si “old money”: elegant, i përmbajtur dhe pa teprime.
Ganzorigt ka përdorur për këtë pamje nuancën Put It in Airplane Mode nga OPI, një bezhë shumë e çelët me ton kremoz.
Vanilla french manicure
Versioni french është edhe më delikat se french manicure klasik.
Në vend të kontrastit të fortë mes bazës rozë dhe majës së bardhë, këtu përdoren dy nuanca shumë të afërta me njëra tjetrën.
Sipas Ganzorigt, vanilla french është më e butë dhe më natyrale, sepse ngjyra e vaniljes përzihet më lehtë me tonin natyral të thoit dhe kontrasti mes bazës dhe majës nuk është aq i fortë.
Një tjetër avantazh është se funksionon po aq mirë në thonj të shkurtër sa edhe në thonj shumë të gjatë.
Për ta realizuar sipas versionit të Zola-s, baza bëhet me Put It in Airplane Mode, një bezhë shumë e çelët, pothuajse e bardhë vanilje.
Në majë përdoret My Vampire is Buff, një ton fildishi më i ngrohtë dhe qumështor, pak më intensiv se baza.
Rezultati është një french ton sur ton shumë i pastër, me kontrast të mjaftueshëm për ta përcaktuar formën e thoit, por pa efektin grafik të french-it klasik.
Si realizohet versioni monokrom
Versioni më i thjeshtë është edhe një nga më elegantët.
Mjafton të aplikohet ngjyra e vaniljes në të gjithë sipërfaqen e thoit, idealisht në dy shtresa të holla, në mënyrë që ngjyra të jetë e plotë, por të ruajë atë efekt të ndritshëm dhe natyral.
Është minimal, por jo anonim.
Për ata që duan efektin glazed
Vanilla manicure mund të bëhet edhe më i ndritshëm duke shtuar në fund një pluhur kromatik.
Ganzorigt përdor Tin Man Can Glaze Chrome Effect nga OPI, por mund të përdoret çdo pluhur chrome ose perlash, në varësi të intensitetit të reflektimit që dëshironi.
Ky hap i fundit krijon atë efekt të lëmuar, perlë dhe paksa glazed që lidhet tashmë me shumë prej manikyrëve më viralë të viteve të fundit.
Vanilla manicure funksionon pikërisht sepse qëndron mes disa ngjyrave pa qenë plotësisht asnjëra prej tyre.
Nuk është e bardhë.
Nuk është e verdhë.
Nuk është nude klasik.
Është një krem vaniljeje shumë i butë, i pastër dhe i sofistikuar, që mund të vishet si ngjyrë e plotë, si french apo me efekt glazed.
Dhe ndoshta pikërisht kjo thjeshtësi e kujdesshme është arsyeja pse pritet ta shohim kudo këtë sezon.



