Vajza e Eli Farës i del në krah pas ditëve të vështira: “Mbaje kokën lart, mbretëreshë”

Marina Fara ka zgjedhur të mbështesë publikisht nënën e saj, këngëtaren Eli Fara, në një periudhë të vështirë që e ka vendosur emrin e artistes në qendër të vëmendjes mediatike.
Përmes një postimi në Instagram, Marina ka ndarë një fotografi të së ëmës dhe e ka shoqëruar me një dedikim të shkurtër, por domethënës.
“Mbaje kokën lart, mbretëreshë, dhe kurorën drejt. Mbretëresha ime e bukur”, ka shkruar ajo.

Mesazhi vjen pas ditëve të fundit, kur emri i Eli Farës u përfshi në diskutimet që pasuan publikimin dhe shpërndarjen pa pëlqim të materialeve private në rrjet.
Vetë këngëtarja reagoi publikisht duke e bërë të qartë se nuk ndien turp për atë që është ekspozuar nga jeta e saj private dhe duke theksuar se përgjegjësia, sipas saj, u përket atyre që kanë publikuar dhe shpërndarë materiale të tilla.
Në këtë klimë të ngarkuar, Marina ka zgjedhur të mos hyjë në polemika apo sqarime, por t’i qëndrojë pranë nënës me një mesazh të drejtpërdrejtë mbështetjeje.
Postimi i saj është interpretuar si një sinjal i qartë se Eli Fara nuk po e përballon e vetme këtë periudhë, ndërsa familja e saj po zgjedh t’i qëndrojë pranë larg zhurmës dhe gjykimeve publike.



