U shfaqën bashkë në dasmën e Kidës, Alessio Aliaj flet për raportin me Jonida Maliqin

Alessio Aliaj dhe Jonida Maliqi kanë qenë një nga dyshet më të komentuara të kësaj vere, ndërsa dalja e tyre së bashku në dasmën e Kidës dhe Ajbit në Romë riktheu edhe një herë vëmendjen te raporti mes tyre.
Fotografitë nga ceremonia i treguan krah njëri-tjetrit, pas një vere gjatë së cilës janë parë bashkë në disa raste. Tashmë Alessio ka folur për herë të parë pas daljes së tyre në Romë, por pa vendosur një etiketë mbi marrëdhënien.
I ftuar në emisionin “Në shtëpinë tonë”, modeli u pyet për Jonidën dhe zgjodhi një përgjigje që ruan privatësinë, por që njëkohësisht nuk i mbyll aludimet.
“Po, ne kemi qenë në dasmë, se e kemi mikeshë Kidën. Jeta personale është mirë të rrijë e tillë, kam qejf t’i shijoj gjërat dhe po e shijoj. Gjërat rrjedhin vetë”, u shpreh Alessio.
“Po e shijoj” ishte pikërisht pjesa e përgjigjes që mori vëmendjen, pasi ai nuk konfirmoi drejtpërdrejt një lidhje me Jonidën, por as nuk e mohoi atë.
Dyshja është përfolur prej muajsh për një afrim. Pas daljes së Jonidës nga “Ferma VIP”, ata u panë së bashku në disa raste, ndërsa në qershor u shfaqën krah njëri-tjetrit edhe në festën pas finales së formatit. Më herët, Alessio kishte zgjedhur të përgjigjej me të njëjtën rezervë kur ishte pyetur drejtpërdrejt nëse ishte rikthyer në një lidhje me këngëtaren.
“Njerëzit takohen edhe për qejf o burrë. Kemi shoqëri që ka ngelur gjithmonë aty. Çdo gjë tjetër ngelet pikëpyetje. Jeta personale është personale”, deklaronte ai asokohe.
Këtë herë, megjithatë, përgjigjja është pak më ndryshe. Alessio vazhdon të mos vendosë emër mbi atë që po ndodh mes tyre, por duket i qartë për një gjë: çfarëdo që është duke jetuar në jetën personale, preferon ta shijojë pa e shpjeguar publikisht.
Gjatë intervistës, modeli foli edhe për fëmijërinë në Tropojë, duke kujtuar vitet e kaluara mes natyrës dhe larg teknologjisë që sot dominon përditshmërinë e fëmijëve. Ai u ndal gjithashtu te figura e të atit dhe dhimbja që i ka lënë humbja e tij.
Por kur vjen puna te Jonida Maliqi, për momentin Alessio duket se ka zgjedhur formulën e tij: “Gjërat rrjedhin vetë.”



