U mohojnë edhe identitetin! Afganistani urdhëron që të gjitha gratë të quhen “Bibi”

Nga Class• 27 November 2026

U mohojnë edhe identitetin! Afganistani urdhëron që të

Në Afganistan, kufizimet ndaj grave po marrin përmasa gjithnjë e më absurde.

Autoritetet fundamentaliste në provincën e Balkhut, në veri të vendit, kanë vendosur një tjetër ndalim tronditës: emrat e grave nuk mund të shënohen më në dokumentet zyrtare, madje as në kartelat dhe recetat mjekësore.

Sipas raportimeve të medias spanjolle “El País”, të gjitha spitalet, klinikat dhe qendrat shëndetësore në këtë rajon duhet t'i identifikojnë pacientet femra me të njëjtin pseudonim: “Bibi”. Ky emërtim duhet të shfaqet edhe në recetat që u përshkruhen grave.

Gazetarët e medias afgane në mërgim “Zan Times”, të cilët kanë denoncuar këtë vendim në një shkrim të publikuar në “The Guardian”, e cilësojnë këtë përshkallëzim të ndalimeve si një nivel të ri absurditeti.

U mohojnë edhe identitetin! Afganistani urdhëron që të

Në gjuhën lokale, fjala “Bibi” përdoret për të nënkuptuar “gjyshe” ose “grua e moshuar”. Tradicionalisht, ajo konsiderohet një formë mirësjelljeje në një shoqëri ku përmendja e emrit të një gruaje, sidomos në publik, shihet si cenim i nderit të bashkëshortit ose të fëmijëve të saj.

Megjithatë, aktivistet afgane për të drejtat e grave kundërshtojnë interpretimin e këtij emërtimi si shenjë respekti. Ato denoncojnë një proces sistematik të fshirjes së identitetit femëror, duke treguar se shumë gra identifikohen përmes nofkave poshtëruese, madje edhe me emërtime të marra nga bota e kafshëve, si “dhi” apo “bagëti”.

“Kur një regjim zëvendëson emrin e një gruaje me atë të një kafshe, ai i zhvesh asaj njerëzimin dhe e redukton në një qenie thjesht biologjike ose në pronë të një burri”, deklaron aktivistja afgane Lalah Osmany, e cila jeton në Gjermani.

Prej vitesh, Osmany ka luftuar kundër zhdukjes së grave afgane nga hapësira publike. Ajo thekson se emrat e tyre hiqen nga dokumentet dhe zëvendësohen me përcaktime si “gruaja e” ose “vajza e”, duke arritur deri aty sa gratë nuk identifikohen me emrin e tyre as në gurët e varreve.

Por përtej cenimit të dinjitetit dhe identitetit, ky vendim ngre edhe shqetësime serioze për shëndetin e grave.

“Imagjinoni një spital ku dhjetëra receta dhe kartela mjekësore mbajnë të njëjtin emër, Bibi, ose një numër. Kjo përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për gabime mjekësore”, paralajmëron Lalah Osmany për “El País”.

Situata bëhet edhe më alarmante në një vend ku qasja e grave në kujdesin shëndetësor është tashmë tejet e kufizuar. Nga njëra anë, grave u ndalohet të marrin trajtim nga personeli mjekësor mashkull, ndërsa nga ana tjetër u kufizohet edhe mundësia për të ushtruar vetë profesionet mjekësore.

Aktivistet feministe druhen se ky vendim, i marrë fillimisht në nivel lokal, mund të shtrihet në të gjithë Afganistanin, ashtu siç ka ndodhur edhe me kufizime të tjera ndaj grave në të kaluarën.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon