The Garden Club | Ronela Hajati nuk heq dorë nga rebelizmi! Zbulon projektet e reja për 2027

Një personazh i guximshëm dhe moskokëçarës, kështu është perceptuar shpesh figura e këngëtares së njohur, Ronela Hajati. Por bota e saj është shumë më e thellë dhe plot ngjyra nga sa mund të duket në pamje të parë.
E ftuar në emisionin “The Garden Club”, në Class Media, moderuar nga Manjola Nallbani dhe Sindi Tona, këngëtarja ka zbuluar disa anë më pak të njohura të vetes, duke folur për mënyrën se si perceptohet nga publiku, krijimtarinë e saj muzikore, por edhe për projektet e reja që pritet të marrin jetë gjatë vitit 2027.
Artistja u ndal veçanërisht te imazhi i saj prej artisteje rebele dhe të guximshme, duke theksuar se publiku shpesh zgjedh të shohë vetëm atë pjesë të personalitetit të saj që i tërheq më shumë vëmendjen. Sipas këngëtares, një pjesë e madhe e krijimtarisë së saj muzikore mbetet e panjohur për publikun, pasi këngët që kanë marrë më shumë vëmendje nuk përfaqësojnë të gjithë repertorin e saj.
“Kjo puna e imazhit të shkujdesur dhe rebel, mendoj se e di pse e njohin më shumë këtë anë: sepse këtë kanë qejf të shohin njerëzit. Mbi treçereku i këngëve të mia nuk njihet. Të gjitha ato që njihen janë, mund të them, diku te 30% e materialeve që unë nxjerr. Nëse ti i hyn të shohësh me themel gjithë krijimtarinë time, të paktën atë që është e publikuar, shumica e këngëve të mia janë balada”, u shpreh ajo.
Më tej, këngëtarja theksoi se perceptimi i publikut për të lidhet shpesh me dëshirën për të parë anën e saj më të guximshme, ndërsa muzika e saj ka shumë më tepër për të ofruar.
Ajo ndau gjithashtu disa detaje nga planet muzikore për vitin e ardhshëm, duke paralajmëruar një kombinim mes energjisë që e karakterizon dhe baladave që zbulojnë një tjetër dimension të saj artistik.
“Vitin tjetër do të nxjerr gjashtë këngë, ku dy do të jenë si këto dhe katër të tjera do të jenë balada shumë të bukura. Dhe prapë mund të dëgjohen këto dy që do të nxjerr”, zbuloi këngëtarja.
Ndiqni episodin e plotë në Youtube të Class Media:



