Tension në Familjen Mbretërore: Harry dhe Meghan të mërzitur me shënimin 'e qëllimshëm' të Mbretit Charles

Nga Class 10 September 2026

140286540.png

Princ Harry dhe Meghan Markle thuhet se janë të pakënaqur me mënyrën se si Mbreti Charles formuloi letrën që sqaronte statusin e tyre pas rikthimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas The Telegraph dhe Page Six, çifti ka kundërshtuar veçanërisht përshkrimin e tyre si “qytetarë privatë me interesa tregtare dhe bamirëse”, duke preferuar që të konsiderohen “figura publike”.

Harry dhe Meghan do të kishin dashur gjithashtu që në dokument të theksohej se, edhe pse prej vitesh nuk janë më anëtarë aktivë të monarkisë dhe nuk marrin financim publik për detyra mbretërore, në plan personal ata vazhdojnë të jenë pjesë e familjes mbretërore.

Letra e Mbretit Charles u bë publike të hënën, vetëm pak ditë pasi Harry dhe Meghan ishin rikthyer në Britani për një qëndrim të zgjatur pas gjashtë vitesh në SHBA.

Një tjetër pikë që ka shkaktuar pakënaqësi është mënyra si u menaxhua publikimi i letrës.

Sipas raportimeve, zyra e Sussex-ëve u njoftua për dokumentin në orën 13:59, me orën britanike.

Burime nga Pallati kanë thënë se Mbreti dhe stafi i tij synonin ta informonin çiftin përpara publikimit dhe ishin të gatshëm të sqaronin “një ose dy pika”.

Rreth 20 minuta më vonë, ekipi i Harry-t dhe Meghan pyeti nëse letra ishte dërguar tashmë në media.

Në orën 15:09, ndihmësit arritën të kontaktonin Harry-n, i cili ndodhej në një takim, për ta informuar se një letër ishte hartuar dhe për të kërkuar udhëzime nëse ajo ishte shpërndarë apo jo.

Por dokumenti, sipas raportimeve, ishte dërguar në media tre minuta më herët.

Harry dhe ekipi i tij u njoftuan se letra kishte dalë publikisht vetëm në orën 15:11.

Burime pranë çiftit e kanë interpretuar këtë si një mënyrë për t’u lënë shumë pak hapësirë për reagim apo ndërhyrje përpara publikimit.

Nga ana tjetër, një burim mbretëror e ka minimizuar përplasjen, duke thënë se dokumenti “thjesht sqaron pozicionin ekzistues për të mirën e të gjitha palëve”.

Përplasja nuk lidhet vetëm me semantikën.

Harry dhe Meghan kanë ndërtuar prej vitesh një profil të fortë publik përmes projekteve mediatike, angazhimeve bamirëse, marrëveshjeve komerciale dhe paraqitjeve publike.

Për këtë arsye, sipas burimeve pranë tyre, përshkrimi si “qytetarë privatë” nuk pasqyron plotësisht realitetin e rolit që kanë sot.

Çifti preferon termin “figura publike”, i cili, sipas tyre, përcakton më saktë pozicionin e tyre jashtë detyrave zyrtare të monarkisë, por ende në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Njëkohësisht, ata do të kishin dashur që të bëhej një dallim më i qartë mes rolit institucional dhe lidhjes familjare.

Pra, fakti që nuk janë më “working royals” nuk do të thotë se kanë pushuar së qeni pjesë e familjes së Mbretit në kuptimin personal.

Burime pranë Harry-t dhe Meghan kanë ngritur gjithashtu dyshime për momentin kur u bë publike letra.

Sipas tyre, koha mund të ketë qenë “e qëllimshme”, pasi një komitet i posaçëm pritej të diskutonte çështjen e mbrojtjes policore për familjen Sussex.

Bëhet fjalë për Executive Committee for the Protection of Royalty and Public Figures, organi që shqyrton mbrojtjen për anëtarë të familjes mbretërore dhe figura të tjera publike.

Komiteti pritej të diskutonte nëse Harry, Meghan dhe dy fëmijët e tyre, Princi Archie, 7 vjeç, dhe Princesha Lilibet, 5 vjeç, duhet të përfitonin mbrojtje policore gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Burime pranë çiftit kanë sugjeruar se letra mund të kishte ndikuar mënyrën si ata do të perceptoheshin në këtë proces.

Megjithatë, burime nga Pallati e kanë mohuar kategorikisht këtë interpretim.

Harry dhe Meghan mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar më 26 gusht së bashku me Archie-n dhe Lilibet-in, pasi u raportua se do të qëndronin në Angli për një periudhë të zgjatur.

Familja kishte jetuar prej gjashtë vitesh në Montecito, California, pas largimit nga detyrat mbretërore në vitin 2020.

Që prej rikthimit, është raportuar se fëmijët janë regjistruar në një shkollë private dhe se Harry dhe Meghan po kërkojnë një shtëpi në Cotswolds, pranë rezidencës së Mbretit Charles.

Meghan është parë gjithashtu për herë të parë publikisht në Britani që prej rikthimit, duke pirë çaj me një grua tjetër në Soho Farmhouse, një klub privat në Cotswolds.

Por rikthimi i tyre në Angli nuk ka sjellë një rikthim në funksionet mbretërore.

Pikërisht këtë duket se synonte të sqaronte edhe letra e Mbretit Charles: Harry dhe Meghan vazhdojnë të kenë titujt dhe lidhjen familjare me monarkinë, por nuk veprojnë si përfaqësues zyrtarë të saj.

Përplasja e fundit, megjithatë, tregon se edhe pas gjashtë vitesh larg detyrave mbretërore, mënyra si përkufizohet publikisht pozicioni i Harry-t dhe Meghan vazhdon të jetë një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon