Tema me John Galliano hiqet nga ekspozita 'Met Gala 2027' pas reagimeve negative

Nga Class 31 August 2026

john-galliano-editor-in-chief-139076990.png

Met Gala 2027 nuk do ta nderojë më John Galliano. Retrospektiva kushtuar stilistit, e planifikuar për majin e vitit të ardhshëm, është anuluar pas një vale të fortë kritikash që rikthyen në vëmendje deklaratat antisemitike dhe raciste të Galliano-s në vitin 2011.

Lajmin e bëri të ditur vetë stilisti të hënën përmes një deklarate në Instagram.

“Pas shumë reflektimi dhe diskutimesh me të gjithë personat e përfshirë, kam vendosur, me shumë trishtim, se është më mirë që ekspozita të mos zhvillohet në këtë moment”, shkroi ai.

Galliano shtoi se nuk dëshironte që debati rreth figurës së tij ta vendoste Metropolitan Museum of Art në një pozitë të vështirë apo të largonte vëmendjen nga puna e Costume Institute.

“E kuptoj dhe e respektoj gjithashtu faktin se një ekspozitë që nderon punën time do të ishte e dhimbshme për disa njerëz.”

John Galliano ishte që në fillim një zgjedhje e diskutueshme për eventin e drejtuar prej vitesh nga Anna Wintour.

Në vitin 2011, stilisti u filmua në një kafene në Paris duke bërë komente antisemitike dhe raciste. Ai u shpall më pas fajtor nga një gjykatë franceze për fyerje publike me bazë racore dhe fetare.

Pas incidentit, Galliano hyri në trajtim për varësinë dhe u takua me anëtarë të komunitetit hebre, ndërsa gjatë viteve u rikthye gradualisht në industrinë e modës.

Në deklaratën e fundit, ai iu rikthye sërish përgjegjësisë për atë periudhë.

“Vazhdoj të mbaj përgjegjësi të plotë për dhimbjen që shkaktuan fjalët e mia në të kaluarën, veçanërisht për lëndimin që u shkaktova komuniteteve hebreje dhe aziatike, dhe vazhdoj të jem thellësisht i penduar”, shkroi Galliano.

Ai shtoi se shlyerja e një gabimi të tillë nuk mund të arrihet përmes një ekspozite, një njohjeje institucionale apo një gjesti të vetëm publik.

“Është një përgjegjësi e vazhdueshme, që dëshmohet përmes dëgjimit, të mësuarit dhe mënyrës si sillet një njeri me kalimin e kohës.”

Ekspozita me titull “John Galliano: Horizons” ishte njoftuar vetëm pak javë më parë dhe gala ishte planifikuar për të hënën e parë të majit.

Por në vitin 2027, ajo datë përkon me Yom HaShoah, Ditën e Përkujtimit të Holokaustit dhe Heroizmit.

Kjo përkoi me një valë të re kritikash dhe, sipas raportimeve të New York Times, drejtues dhe anëtarë të bordit të Met kishin nisur diskutime urgjente për të menaxhuar krizën.

Sipas gazetës, po shqyrtohej edhe mundësia e ndryshimit të datës, ndërsa disa donatorë kishin kërcënuar se do të tërhiqnin mbështetjen financiare për muzeun.

Në një deklaratë të Metropolitan Museum of Art, Anna Wintour e cilësoi vendimin e Galliano-s si të drejtë.

“Vendimi i John që ekspozita kushtuar punës së tij të mos zhvillohet në këtë moment është shumë kurajoz dhe tregon shumë për njeriun që ai është”, tha Wintour.

“Besoj se ky është vendimi i duhur dhe si ai, ashtu edhe muzeu, kanë mbështetjen time të plotë.”

Metropolitan Museum of Art ka bërë të ditur se detajet për një ekspozitë të re, e cila do të zëvendësojë projektin e Galliano-s, do të njoftohen në një moment të mëvonshëm.

Në këtë mënyrë, një prej temave më të debatueshme të Met Gala 2027 mbyllet ende pa nisur, ndërsa muzeu përgatitet të gjejë një drejtim të ri për eventin e vitit të ardhshëm.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon