Tayna reagon për protestën e studentëve në Tiranë: “Shqipëria nuk është e një partie, është e njerëzve të saj”

Nga Class• 16 October 2026

Tayna reagon për protestën e studentëve në Tiranë:

Tayna ka reaguar publikisht për zhvillimet e ditëve të fundit dhe protestën e studentëve në Tiranë, duke u pozicionuar në mbështetje të së drejtës së tyre për t’u dëgjuar, por njëkohësisht duke bërë thirrje për qetësi, dialog dhe shmangien e çdo forme dhune.

Përmes një mesazhi të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, artistja tregoi se prej disa ditësh po ndiqte situatën në Shqipëri dhe kishte shpërndarë aq sa kishte mundur, por këtë herë ndjeu nevojën të shprehte më gjerësisht qëndrimin e saj.

“Ka disa ditë që po i përcjell zhvillimet në Shqipëri dhe kam shpërndarë aq sa kam mundur, por sot dua të flas.

Para çdo bindjeje politike, duhet ta kujtojmë një gjë shumë të thjeshtë: jemi njerëz para se të jemi gjithçka tjetër.

Të jesh kryeministër, president apo të mbash çfarëdo pozite udhëheqëse, nuk do të thotë të jesh mbi popullin. Do të thotë të jesh në shërbim të tij. Edhe të atyre që nuk pajtohen me ty. Edhe të atyre që të kritikojnë. Edhe të atyre që dalin në rrugë për të kërkuar diçka më të mirë.

Sepse një popull nuk ka nevojë vetëm për dikë që e udhëheq. Ka nevojë për dikë që e dëgjon”, shkroi Tayna.

Në mesazhin e saj, këngëtarja e vendosi theksin te rëndësia që kanë studentët për të ardhmen e vendit. Ajo foli për ëndrrat dhe ambiciet e të rinjve, por edhe për sakrificat e familjeve që shpresojnë se fëmijët e tyre do të kenë një jetë më të mirë.

“E kur flasim për studentët, flasim për të ardhmen e një kombi. Për vajza e djem që kanë ëndrra, ambicie, talent e dëshirë për të ndërtuar diçka në vendin e tyre. Për prindër që sakrifikojnë çdo ditë me shpresën që fëmijët e tyre do ta kenë jetën pak më të lehtë se ata vetë.

Studentët meritojnë kushte të dinjitetshme, mundësi dhe një sistem që ua ushqen ëndrrat, jo që ua shuan ato. Sepse nuk mund të ëndërrojmë një Shqipëri me të ardhme të ndritur, nëse nuk investojmë te njerëzit që do ta ndërtojnë atë të ardhme.”

Tayna e lidhi reagimin edhe me karrierën e saj, duke kujtuar se një pjesë e madhe e publikut që e ka mbështetur ndër vite përbëhet pikërisht nga të rinjtë dhe studentët. Sipas saj, nuk mund ta harronte këtë në momentin kur ata kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet.

“Dhe dua ta them edhe diçka tjetër, si artiste. Unë këndoj falë këtij populli. Falë këtyre të rinjve, këtyre studentëve që e kanë dëgjuar muzikën time, që më kanë mbështetur dhe që më kanë dhënë mundësinë ta jetoj ëndrrën time. Nuk mund ta harroj këtë pikërisht në momentet kur ata kanë nevojë që zëri i tyre të dëgjohet.”

Megjithatë, artistja bëri një thirrje të qartë që protesta të mbetet paqësore. Ajo iu drejtua policisë, duke theksuar se detyra e saj është mbrojtja e qytetarëve dhe jo frikësimi i tyre, por kërkoi që dhuna të mos vijë as nga protestuesit apo nga persona që mund të përpiqen ta përdorin situatën për interesa të tjera.

“Njëkohësisht, dua të bëj thirrje për qetësi dhe për shmangien e çdo forme dhune. Policia ka për detyrë t’i mbrojë qytetarët, jo t’i frikësojë ata. Një uniformë duhet të përfaqësojë siguri dhe besim. Asnjë i ri nuk duhet të ndihet i rrezikuar vetëm pse po ushtron të drejtën e tij për të protestuar paqësisht.

Por po aq e rëndësishme është që dhuna të mos vijë nga askush tjetër. As nga protestuesit dhe as nga individë që po përpiqen ta shfrytëzojnë situatën për qëllime të tjera, duke ia zbehur kuptimin një proteste që duhet të jetë për të ardhmen e studentëve.”

Tayna u bëri thirrje studentëve që të qëndrojnë të bashkuar, t’i formulojnë qartë kërkesat dhe të mos lejojnë që zëri i tyre të përdoret nga interesa që nuk i përfaqësojnë.

“Dhe pikërisht për këtë, besoj se është shumë e rëndësishme që studentët t’i artikulojnë qartë kërkesat e tyre. Të jenë të bashkuar rreth asaj që duan të ndryshojnë, të kërkojnë zgjidhje konkrete dhe të mos lejojnë që zëri i tyre të përdoret për interesa që nuk i përfaqësojnë.

Sepse do të ishte shumë e dhimbshme që gjithë ky guxim, gjithë kjo përpjekje dhe gjithë kjo shpresë të humbnin mes përplasjeve, e në fund të mbeteshin pa zgjidhje pikërisht problemet për të cilat këta të rinj kanë dalë në rrugë.”

Në pjesën e fundit të reagimit, këngëtarja kërkoi që përfaqësuesit e pushtetit të mos e shohin dialogun si dobësi, por si përgjegjësi ndaj njerëzve të cilëve u shërbejnë.

“Dialogu nuk është dobësi dhe që të pranosh shqetësimin e dikujt nuk do të thotë të humbasësh autoritetin. Fundja, e përsëris, politikanët janë aty për të qenë NË SHËRBIM të popullit.

Gjëja më e madhe që mund të bëjë një njeri me pushtet është të ulet përballë atyre që nuk pajtohen me të dhe t’u thotë: ‘Po ju dëgjoj. Le ta gjejmë një zgjidhje bashkë.’

Nuk po kërkoj që të gjithë të mendojmë njësoj. Po kërkoj që të mos harrojmë se, pavarësisht dallimeve tona, e ardhmja e këtij vendi na përket të gjithëve.”

Mesazhin e saj, Tayna e përmbylli me një reflektim për përkohshmërinë e pushtetit dhe përgjegjësinë që mbetet pas çdo vendimmarrjeje.

“Shqipëria nuk është e një partie, e një qeverie apo e një individi. Shqipëria është e njerëzve të saj.

Uroj me gjithë zemër që të gjendet një rrugë komunikimi, mirëkuptimi dhe zgjidhjeje. Një rrugë ku dinjiteti i askujt nuk cenohet dhe ku zëri i të rinjve nuk shihet si kërcënim, por si një mundësi për ta bërë vendin më të mirë.

Sepse në fund, pushteti është i përkohshëm, pozitat janë të përkohshme, por gjurmët që lëmë në jetën e njerëzve mbeten.

Dhe nëse një ditë historia do të na kujtojë për diçka, uroj të jetë për atë që kemi ndërtuar për njëri-tjetrin, jo për atë që ia kemi marrë njëri-tjetrit.

Me shumë dashuri për Shqipërinë dhe me shpresë për rininë e saj.”

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon