Tayna bën një pauzë: “Pas tetë vitesh, e meritoj”

Pas një vere intensive me koncerte dhe performanca të shumta, Tayna ka vendosur të mbyllë një kapitull të rëndësishëm të karrierës së saj.
Artistja ka përfunduar zyrtarisht turneun veror “Genesis Summer Tour” dhe ka bërë të ditur se, pas tetë vitesh të pandërprera në skenë, do të marrë një pauzë nga performancat e shpeshta në diskoteka.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tayna ka reflektuar mbi sezonin që sapo la pas, duke e përshkruar si të lodhshëm, kaotik, por njëkohësisht shumë të bukur.
“8 vjet aktive, 8 vjet tu u pa me ju n’diskoteka… mendoj që e meritoj një pushim prej tyne. Kjo verë ka qenë e lodhshme, kaotike, por shumë e bukur. Kam takuar kaq shumë prej jush, kam kënduar me ju, kam qeshur, kam bërë foto e kam marrë dashuri në çdo vend ku kam shkuar”, shkroi ajo.
Një pjesë e rëndësishme e këtij sezoni ishte edhe albumi “Genesis”, i publikuar në muajin maj me 13 këngë. Projekti u kthye shpejt në boshtin kryesor të turneut, ndërsa Tayna ka treguar se një nga emocionet më të forta ishte të dëgjonte publikun duke kënduar këngët e reja thuajse menjëherë pas publikimit.
“Një prej emocioneve më të mira ka qenë me pa sa shpejt i keni mësuar këngët, sidomos të ‘GENESIS’. Me nxjerrë një album prej shpirtit tim e pastaj me ardhur në klub e me ju dëgjuar juve duke i ditur fjalët më mirë se unë ndonjëherë… është një ndjenjë që nuk di si ta shpjegoj. Faleminderit secilit që ka ardhur këtë verë, që ka kënduar, bërtitur, kërcyer e ka bërë çdo natë me pas një kujtim të vetin.”
Megjithatë, vendimi i saj nuk duket si një tërheqje nga muzika. Përkundrazi, Tayna e ka bërë të qartë se bëhet fjalë për një pauzë të përkohshme, për të marrë frymë pas një ritmi të gjatë dhe për t’u përgatitur për atë që vjen më pas.
“Tani po ju lë pak rehat prej meje… edhe diskotekat pak rehat prej meje. Shihemi në kapitullin tjetër”, shkroi ajo me humor.
Pas tetë vitesh me një ritëm konstant performancash dhe një verë të mbushur me “Genesis”, Tayna duket se po zgjedh të ndalet për pak, jo për të mbyllur një histori, por për t’i hapur vend një tjetre.



