Sylvester Stallone rrëfen fëmijërinë e dhunshme: “Më bëri shumë të fortë, por në mënyrën e gabuar”

Nga Class• 28 September 2026

sylvester-stallone-attends-sly-premiere-142638819_30f80.png

Sylvester Stallone ka folur për disa prej kujtimeve më të dhimbshme të fëmijërisë së tij, të shënuar, sipas rrëfimit të aktorit, nga dhuna, braktisja dhe mungesa pothuajse e plotë e afeksionit.

Në një intervistë për The New York Times, ylli i Rocky tregoi se kishte zgjedhur të mos përfshinte disa prej historive më të errëta në librin e tij, sepse nuk donte që lexuesit ta shihnin me keqardhje.

“Nuk futa shumë gjëra në libër sepse nuk doja të kthehej në një histori ku njerëzit të më mëshironin… por ishte çmenduri”, rrëfeu ai.

Pas divorcit të prindërve, Stallone kaloi një periudhë duke jetuar me të atin në Maryland. Aktori e përshkruan babanë e tij si një njeri me shpërthime të forta dhe fizikisht të dhunshëm.

Një prej kujtimeve që i ka mbetur më thellë lidhet me një episod kur babai e kishte dërguar të blinte bukë përpara se të shkonin në kishë.

Stallone u kthye me një lloj tjetër buke pasi gjatë rrugës kishte takuar disa miq.

Sipas tij, reagimi i të atit ishte brutal.

“Më goditi me shkelm në stomak, më goditi dhe më la përtokë. Pastaj hipi në makinë dhe shkoi në kishë”, kujtoi Stallone.

Ai tha se mbeti i shtrirë në rrugë, duke menduar vetëm: “Është e pabesueshme. Vërtet e pabesueshme.”

Vite më vonë, kur ishte rreth të 40-ave, Stallone e përballi të atin me të kaluarën.

“I thashë: ‘Do të doja që unë dhe ti të ishim në të njëjtën moshë për tre minuta’.”

Kur babai e pyeti pse, aktori iu përgjigj se donte t’ia kthente një pjesë të asaj që kishte përjetuar vetë, në mënyrë që ai të kuptonte si ndihej të dhunoheshe.

Sipas Stallone, edhe në moshën 68-vjeçare, i ati ishte ende gati për përplasje fizike.

Stallone thotë se një pjesë të asaj force dhe agresiviteti e ka çuar më pas edhe te personazhet që e bënë të famshëm.

Kur njerëzit e pyesnin se nga e gjente egërsinë për të interpretuar Rambo-n, përgjigjja e tij ishte e shkurtër: “Gjenetike.”

Por dhuna nuk ishte e vetmja gjë që i mungonte në fëmijëri.

Edhe afeksioni ishte pothuajse i panjohur.

Stallone tregoi se e ëma nuk e përqafonte.

“Nëna ime nuk më përqafoi kurrë. Edhe vëllai im mund ta konfirmojë. Kurrë, kurrë.”

As babai, sipas tij, nuk ishte njeri që shfaqte dashuri.

Pikërisht për këtë arsye, Stallone kujton ende një moment jashtëzakonisht të vogël nga mosha rreth nëntëvjeçare.

Pas një dite duke punuar me kuajt e të atit, ai kishte rënë në gjumë në makinë. Babai ia kishte vendosur kokën mbi gju dhe i kishte mbajtur dorën mbi kokë.

“Dhe nuk e harrova kurrë atë”, tha ai.

Edhe vitet e para të jetës së Stallone ishin të largëta nga ajo që ai e konsideronte një familje e zakonshme.

Aktori tregoi se kur ishte shumë i vogël ishte dërguar të jetonte në një konvikt, ku prindërit e vizitonin vetëm një herë në muaj.

“U rrita nga të panjohur”, kujtoi ai.

Me kalimin e kohës, kjo mënyrë jetese iu bë normale.

Madje, sipas tij, ambienti i konviktit i dukej ndonjëherë më i lehtë sesa jeta në shtëpi, pikërisht sepse prindërit e tij nuk ishin njerëz të ngrohtë apo përkujdesës.

Kur u pyet nëse gjithë kjo e kishte bërë më të fortë, Stallone nuk e romantizoi përvojën.

“Në mënyrën e gabuar, po. Më bëri shumë të fortë.”

Sepse ajo forcë, sipas tij, kishte ardhur me një çmim.

Aktori tha se vetëm rreth moshës 70-vjeçare kishte kuptuar për herë të parë çfarë do të thoshte të përjetoje atë që ai e quan “dashuri të vërtetë”, përmes marrëdhënies me bashkëshorten dhe fëmijët.

“Dhe kjo është shumë e trishtueshme. Vërtet është”, tha ai.

Stallone ndërtoi më pas një prej karrierave më të njohura të Hollywood-it, duke shkruar dhe interpretuar Rocky Balboa-n dhe më vonë John Rambo-n.

Filmi i parë Rocky mori dhjetë nominime për Oscar dhe fitoi tri çmime të Akademisë, përfshirë atë për filmin më të mirë.

Por pas figurës së burrit të pathyeshëm që publiku pa për dekada në ekran, Stallone sot po tregon një tjetër histori: atë të një fëmije që mësoi shumë herët të bëhej i fortë, jo sepse donte, por sepse mendonte se nuk kishte zgjidhje tjetër.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon