Studentët protestë para Ministrisë së Arsimit, shkulin edhe kangjellat në rrugë

Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të ministrisë së Arsimit në një protestë të njoftuar prej ditësh. Protesta ka nisur me thirrje dhe tensione.
Fasada e Ministrisë së Arsimit është lyer me ngjyrë të kuqe dhe me vezë. Ata kanë hedhur sende, tullumbace me ujë dhe kapsolla në drejtim të godinës. Deri tani nuk ka patur përplasje me policinë teksa dhjetëra efektivë ndodhen në terren. Policia gjithashtu pas nisjes së protestës ka shtuar forcat dhe efektivët.
“Ministria e krimit”, “Policia e krimit”, “Ju erdhi fundi” janë disa nga thirrjet e protestuesve.
Protestuesit gjithashtu kanë shkulur edhe kangjellat në rrugë. Protesta ka nisur në orën 14:00, teksa nuk dihet sesa do të zgjasë. Ata theksojnë se janë ngritur në protestë për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin të rinjtë në arsim.



