Spanja u njeh familjeve me një prind deri në 32 javë leje pas lindjes

Nga Class• 1 October 2026

Spanja u njeh familjeve me një prind deri në 32 javë leje pas

Kur ELLE Italia e publikoi fillimisht këtë histori, më 24 janar 2025, bëhej fjalë për një vendim gjyqësor që mund të hapte rrugën për një ndryshim më të gjerë. Në qendër ishte një nënë e vetme në Murcia, së cilës iu njoh e drejta për të përfituar periudhën e lejes që, në një familje me dy prindër, do të ndahej mes të dyve.

Sot kuadri ligjor ka ndryshuar: që nga 31 korriku 2025, në Spanjë leja për lindjen dhe kujdesin ndaj fëmijës është 19 javë për secilin prind dhe 32 javë për familjet me një prind. Masa u miratua me dekretligj në korrik dhe më pas u konfirmua nga Kongresi në shtator 2025. 

Historia nisi megjithatë nga një pyetje shumë e thjeshtë: pse një fëmijë që rritet vetëm me një prind duhet të ketë më pak kohë kujdesi se një fëmijë që rritet me dy?

Rasti që tërhoqi vëmendjen në Murcia kishte në qendër një punonjëse publike, nënë e vetme, e cila kishte kërkuar zgjatjen e lejes së saj nga 16 në 32 javë. Kërkesa i ishte refuzuar fillimisht, ndaj ajo iu drejtua gjykatës duke argumentuar se vajza e saj po trajtohej në mënyrë të pabarabartë vetëm për shkak të modelit familjar në të cilin kishte lindur.

Gjykata e Lartë e Drejtësisë së Murcias i dha të drejtë, duke u mbështetur te parimi se nevojat e një të porsalinduri për kujdes nuk ndryshojnë sipas faktit nëse në familje ka një apo dy prindër. Vendimi i njohu nënës 32 javë leje dhe parashikoi edhe kompensim për periudhën e kujdesit që i ishte mohuar më parë.

“Është e qartë se kohëzgjatja dhe intensiteti i nevojës për t’u kujdesur për një të porsalindur janë të njëjta, pavarësisht modelit familjar në të cilin ka lindur”, thuhej në arsyetimin e gjykatës.

Vetë nëna shpjegoi për El País se kishte kuptuar se vajza e saj “duhej të kishte të njëjtat të drejta që do të kishte nëse do të kishte lindur në një familje me një nënë dhe një baba”.

Rasti i Murcias nuk ishte i izoluar. Vendimi lidhej me një zhvillim më të gjerë në jurisprudencën spanjolle. Gjykata Kushtetuese kishte vendosur në nëntor 2024 se dispozitat që nuk u lejonin nënave biologjike në familjet me një prind të përfitonin edhe periudhën që do t’i takonte prindit të dytë krijonin diskriminim ndaj fëmijëve për shkak të lindjes. Vendime të mëvonshme të Gjykatës së Lartë e zbatuan të njëjtën doktrinë.

Para ndryshimit ligjor, Spanja kishte prej vitit 2021 një sistem ku të dy prindërit kishin nga 16 javë leje për lindjen dhe kujdesin ndaj fëmijës, me gjashtë javët e para të detyrueshme menjëherë pas lindjes. Skema ishte individuale, e patransferueshme dhe e paguar në masën 100 për qind të bazës përkatëse të përfitimit. 

Problemi ishte se, në një familje me vetëm një prind, fëmija përfitonte në praktikë vetëm periudhën e njërit prind. Pikërisht këtë pabarazi sfiduan rastet gjyqësore.

Në korrik 2025, çështja kaloi nga sallat e gjykatave në legjislacion. Rregullat e reja e zgjatën lejen në 19 javë për secilin prind dhe në 32 javë për familjet me një prind. Për këto të fundit, gjashtë javë janë të detyrueshme menjëherë pas lindjes, 22 javë mund të përdoren deri sa fëmija të mbushë një vjeç dhe katër javët e mbetura mund të merren deri në moshën tetëvjeçare të fëmijës. (Seguridad Social)

Në artikullin e saj të vitit 2025, ELLE e vendoste rastin edhe në kontekstin më të gjerë të politikave spanjolle për barazinë dhe familjen, duke përmendur reformën e lejeve prindërore dhe masa të tjera të miratuara në vitet e mëparshme.

Ekonomistja Azzurra Rinaldi e përshkruante vendimin si një masë konkrete mbështetëse për prindërimin, ndërsa në krahasimin e saj me Italinë argumentonte se sistemet ligjore të dy vendeve trajtonin ndryshe familjet me një prind. Kjo ishte analiza e saj dhe jo një përfundim i vetë gjykatës.

Ajo që në fillim të vitit 2025 dukej si një precedent që mund të ndryshonte sistemin, brenda disa muajsh u shndërrua në një rregull të përgjithshëm: në Spanjë, koha e kujdesit që i njihet një fëmije nuk duhet të zvogëlohet vetëm sepse ai po rritet nga një prind i vetëm.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon