Singapori, vendi që po i paguan qytetarët për të lexuar

Në një epokë ku disa sekonda mjaftojnë për të kaluar nga një video te tjetra, Singapori po u propozon qytetarëve një sfidë shumë më të thjeshtë: merrni një libër dhe lexoni për 15 minuta. Vetëm kaq në ditë.
Nisma është pjesë e një programi të ri kombëtar pesëvjeçar për të forcuar kulturën e leximit dhe për t’iu kundërvënë asaj që në internet njihet gjerësisht si “brain rot”, termi popullor për ndjesinë e mpirjes mendore që lidhet me konsumimin e vazhdueshëm të përmbajtjeve të shkurtra dhe sipërfaqësore.
Përmes fushatës ReadSG të Bordit Kombëtar të Bibliotekave, qytetarët mund të regjistrojnë kohën që kalojnë duke lexuar çdo ditë dhe, në këmbim, të fitojnë edhe shpërblime virtuale. Ideja është që leximi të mos shihet si një aktivitet për të cilin duhet domosdoshmërisht një orë e lirë, por si diçka që mund të futet në boshllëqet e vogla të një dite normale.
“Gjithçka që duhet janë 15 minuta në ditë për të krijuar zakonin e leximit. Kjo është afërsisht koha që duhet për të përshkuar tri stacione me tren, koha e pritjes së autobusit ose koha që kaloni duke shijuar kafenë e mëngjesit”, shpjegon fushata.
Qytetarët mund të regjistrojnë seancat e tyre përmes platformës online ose aplikacionit të programit.
Dhe Singapori ka vendosur ta bëjë sfidën edhe pak më tërheqëse: çdo seancë prej të paktën 15 minutash shpërblehet me 20 monedha virtuale, ndërsa 1,000 monedha kanë vlerën e një dollari.
Pra, shteti po përdor pikërisht disa nga mekanizmat që aplikacionet përdorin për të na mbajtur para ekranit, objektiva, progres dhe shpërblime, për të na kthyer te leximi.
Por pas lojës me pikët qëndron një problem serioz.
Njerëzit nuk kanë pushuar domosdoshmërisht së lexuari. Në fakt, gjatë një dite mund të lexojmë qindra mesazhe, tituj, postime, komente dhe përshkrime videosh.
Ajo që mund të jetë duke humbur terren është leximi i thelluar.
“Ndërsa përmbajtjet e shkurtra na ndihmojnë të qëndrojmë të informuar, leximi i teksteve të gjata forcon përqendrimin, mendimin kritik dhe imagjinatën”, shpjegoi Melissa Tam nga Bordi Kombëtar i Bibliotekave.
Loh Chin Ee, studiuese e zakoneve të leximit në Institutin Kombëtar të Edukimit, e sheh pikërisht kombinimin mes krijimit të zakonit dhe elementeve të lojës si një nga pjesët më interesante të nismës.
“Për dikë që lexon shumë, 15 minuta mund të duken shumë pak, por mendoj se është një kohëzgjatje e përshtatshme”, tha ajo për CNN.
Sipas saj, dallimi që duhet bërë sot nuk është thjesht mes njerëzve që lexojnë dhe atyre që nuk lexojnë.
“Shumë njerëz vazhdojnë të lexojnë, nëse me lexim nënkuptojmë leximin e fjalëve në një ekran. Por ai lloj leximi i thelluar, që kërkon kohë dhe angazhim të vazhdueshëm, mund të ndodhë më rrallë.”
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron ideja më interesante e eksperimentit të Singaporit.
Nuk po u kërkon qytetarëve të lexojnë 50 libra në vit. As të heqin dorë nga TikTok-u, Instagram-i apo telefoni.
Po përpiqet të rikrijojë një aftësi që mund të jetë duke u dobësuar në ekonominë e vëmendjes: të qëndrosh me të njëjtën histori, të njëjtin argument apo të njëjtën ide për më shumë se disa sekonda.
Pesëmbëdhjetë minuta mund të duken pak.
Por në një botë të ndërtuar për të na bërë të kalojmë te gjëja tjetër çdo pak sekonda, ndoshta të qëndrosh 15 minuta me një libër është më radikale nga sa duket.



