Si t’i mbijetosh fundit të një dashurie pa pyetur ChatGPT dhe pa përgjuar ish-partnerin në rrjete sociale? 

Nga Class 31 August 2026

1510833199.png

Kur një histori mbaron, zemra kërkon përgjigje ndërsa mendja kërkon rend në kaos. Dhe sot kemi në dorë mjetin perfekt për të ushqyer të dyja: telefonin.

Mjafton një klikim dhe mund të shohësh kë ka ndjekur, çfarë ka pëlqyer, ku ka qenë, me kë ka dalë, çfarë muzike ka vendosur në një story. Mund të analizosh një foto deri në detajin më të vogël ose të publikosh diçka me kujdes, vetëm që tjetri ta shohë dhe të kuptojë pikërisht atë që ti do t’i komunikosh.

Është një punë e lodhshme, sidomos në një moment kur energjia do të duhej të shkonte në një drejtim krejt tjetër: te përballja me dhimbjen.

Te aftësia për të qëndruar aty.

Me veten.

Me mungesën.

Me boshllëkun.

Sepse pikërisht këto janë gjërat prej të cilave përpiqemi të arratisemi.

Rrjetet sociale na ofrojnë një lloj telekomande imagjinare mbi jetën e tjetrit. Na japin ndjesinë se ende dimë diçka, ende shohim diçka, ende kemi njëfarë kontrolli. Dhe çdo informacion i ri sjell atë dozën e vogël të dopaminës që na largon për disa minuta nga ajo që dhemb.

Por përgjigjet që kërkojmë rrallë ndodhen në një Instagram Story.

Sepse edhe personi tjetër po tregon vetëm atë pjesë të realitetit që dëshiron ose është emocionalisht i aftë të tregojë.

Pastaj erdhi inteligjenca artificiale.

Sot dhimbjen mund ta kthejmë në një prompt. Mund të tregojmë çdo detaj të marrëdhënies, çdo mesazh, çdo heshtje dhe të kërkojmë një shpjegim.

“Pse më tha kështu?”

“A mendon se do të kthehet?”

“Çfarë do të thotë që më pa story-n?”

“A më do akoma?”

Dhe përgjigjja vjen menjëherë.

Por çfarë po kërkojmë realisht? Një shpjegim? Apo thjesht dikë që të na thotë atë që në atë moment kemi nevojë të dëgjojmë?

Për Ester Viola, avokate e specializuar në çështje martesore dhe autore e librit “Voltare pagina, 10 libri per sopravvivere all’amore”, rrjetet sociale dhe inteligjenca artificiale mund ta bëjnë më të durueshme përkohësisht një ndarje.

Por mbeten një lloj anestezie.

Si i mbijetohet fundit të një dashurie?

“Faktikisht, nuk i mbijeton”, përgjigjet ajo me ironinë që e karakterizon.

Të gjithë të japin këshilla. Merre veten me diçka. Dil. Puno. Udhëto. Shko në palestër. Mbaje mendjen të zënë.

Viola citon edhe Ovidin: “Munde përtacinë dhe do t’ia thyesh harkun Kupidit.”

Të merresh me gjëra të tjera ndihmon, sigurisht. Edhe shpërqendrimi ndihmon.

Por nuk ekziston një mënyrë për të mos menduar.

“Sepse ato janë mendime që mendohen vetë”, thotë ajo.

Do të na duhej një pilulë për t’u dorëzuar para realitetit. Një për të rikthyer besimin te njerëzit. Një që të mos urrenim çdo njeri që na del përpara. Një për të vazhduar të funksiononim fizikisht kur emocionalisht jemi copë. Një për të mos i shqetësuar fëmijët kur na shohin të trishtuar. Një për të pasur dëshirë të dalim. Një kundër mendimit “janë të gjithë njësoj”. Një për t’i besuar njeriut tjetër që një ditë mund të na ftojë për darkë.

Por këto pilula nuk ekzistojnë.

Dashuria e palumtur është një nga ato gjëra që, për një farë kohe, thjesht duhet ta mbash.

Pse rrjetet sociale e bëjnë ndarjen më të vështirë?

“Rrjetet sociale janë djallëzore. Të japin iluzionin e kontrollit”, thotë Viola.

Mund të zgjohesh një mëngjes dhe të shohësh krejt rastësisht një story të ish partnerit me dikë tjetër.

Dhe dikur kjo nuk ekzistonte.

“Nëse mendoj për veten time në moshën 20 vjeçare, do të kishte qenë shumë për t’u përballuar.”

Prandaj, thotë ajo, arrin t’i kuptojë edhe të rinjtë e sotëm që kanë frikë nga marrëdhëniet.

Sepse kërcënimi i informacionit është gjithmonë aty.

Dikur kishe një avantazh që sot pothuajse ka humbur: të mos dije.

Mund të ndaheshe nga dikush dhe për një periudhë të mos kishe asnjë informacion për jetën e tij. As ai për tënden.

Sot është thuajse e pamundur.

Ka shumë sy, shumë kamera, shumë profile, shumë njerëz që postojnë.

“Ne kemi hyrë në jetën e të tjerëve dhe ata vazhdojnë të jenë brenda tonës”, thotë Viola.

Dhe kështu lind një lloj darvinizmi sentimental: sot nuk mbijeton domosdoshmërisht më i forti, por ai që arrin të harrojë më shpejt.

A duhet të heqim dorë nga kontrolli?

Po. Por kjo nuk do të thotë se është e lehtë.

“Duhet të ishim të aftë ta injoronim kureshtjen, nevojën për të ditur. Duhet të kishim kontroll mbi obsesionet tona të vogla sentimentale.”

Ka ditë kur ia dalim.

Por kur jemi të lënduar, nuk jemi versioni ynë më racional.

Është shumë e lehtë t’i thuash një mikeshe: “Mos e kontrollo më. Mos ia shiko profilin. Mos i shkruaj.”

Sepse ti nuk je brenda historisë së saj.

Qartësia sentimentale është shumë më e lehtë kur bëhet fjalë për problemet e të tjerëve.

“Të kërkosh të jesh i kthjellët kur je i dashuruar është si të përpiqesh të notosh në xhelatinë”, thotë Viola. “Nuk ecën asnjë centimetër përpara dhe vazhdon të mos kuptosh asgjë.”

Në ditët më të vështira, ndoshta objektivi nuk është të bëhesh menjëherë racional.

Është thjesht të kufizosh dëmin.

Dhe të mos bësh asgjë.

Të rrish.

Po sikur ish partneri të vazhdojë të postojë?

Idealja do të ishte që njerëzit të kishin delikatesën për të menduar: ndoshta nuk duhet ta publikoj këtë tani sepse mund të lëndojë dikë.

Por Viola është realiste.

Sa njerëz janë vërtet kaq të kujdesshëm?

Kur ne jemi të lumtur, shpesh bëhemi pa e kuptuar “narcisisti” në historinë e dikujt tjetër. Jemi të përqendruar te lumturia jonë dhe supozojmë se njerëzit e tjerë do t’ia dalin disi me ndjeshmërinë e tyre.

Pastaj është ChatGPT

Inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë edhe si një formë mbështetjeje emocionale.

Viola e quan “aplikacioni mik”.

Dhe sipas saj, kjo tregon më shumë për ne sesa për teknologjinë.

AI u krijua për të na kursyer kohë në disa punë. Sot kemi filluar t’i delegojmë edhe pyetjen: “Si jam?”

Ajo kujton filmin “Her”, ku personazhi i Joaquin Phoenix bie në dashuri me një sistem operativ.

“Dhjetë vjet më parë e shikonim dhe thoshim: jo, deri aty nuk do të arrijmë. Nuk jemi aq të çmendur. Më duket se po arrijmë pak kudo.”

Por rreziku nuk është vetëm të krijojmë lidhje me teknologjinë.

Është edhe fakti që teknologjia mund të hyjë në marrëdhëniet mes njerëzve.

Mund të njohësh dikë, të shkëmbeni mesazhe të bukura, të mendosh se ke përballë një njeri jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe pastaj të zbulosh se çdo fjali ia sugjeronte inteligjenca artificiale.

“Ndërsa kur e takon, nuk arrin të lidhë dy fjalë.”

Dhe kjo, sipas Viola-s, është një tjetër grackë.

Çfarë fitojmë nëse kthehemi te realiteti?

“Gjithçka”, përgjigjet ajo.

Por pastaj vjen pyetja më e vështirë: a është më e mundur të kthehemi plotësisht?

A mund t’i heqim vërtet rrjetet sociale nga mënyra si dashurojmë, ndahemi, vuajmë dhe kontrollojmë njëri tjetrin?

Apo tashmë janë pjesë e mënyrës së re se si jetojmë marrëdhëniet?

Libri që duhet lexuar pas një ndarjeje

Kur pyetet se cilin libër do t’i rekomandonte dikujt që sapo ka dalë nga një histori, Ester Viola zgjedh “High Fidelity” të Nick Hornby.

Sepse ekziston një pyetje që mbetet pothuajse e pandryshuar pavarësisht epokës, teknologjisë dhe mënyrës si ndërtohen marrëdhëniet:

Pse vazhdojmë ta duam dikë edhe pasi na ka zhgënjyer?

Pse nuk arrijmë ta nxjerrim nga mendja?

Në roman, protagonisti kupton se një pjesë e dhimbjes nuk lidhet vetëm me humbjen e personit, por me faktin se është ai që është refuzuar.

Në thelb: vuaj sepse ti nuk më do. Nëse arrij të bindem se më do ende pak, atëherë ndihem sërish në kontroll. Dhe kur nuk ndihem më i refuzuar, ndoshta jam unë ai që mund të zgjedhë të mos të dojë.

Një mekanizëm sentimentalisht i thjeshtë dhe psikologjikisht mizor.

Sepse ndonjëherë, pas një ndarjeje, nuk kërkojmë vetëm personin.

Kërkojmë të rimarrim fuqinë që menduam se humbëm kur ai nuk na zgjodhi më.

Dhe ndoshta pikërisht aty fillon pjesa më e vështirë e një ndarjeje: të pranosh se disa përgjigje nuk do t’i marrësh nga profili i tij, nga një story, nga një mesazh i analizuar njëqind herë apo nga një chatbot.

Disa gjëra nuk zgjidhen duke ditur më shumë.

Zgjidhen vetëm duke qëndruar mjaftueshëm gjatë me atë që dhemb, derisa një ditë të mos dhembë më njësoj.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon