Si po ushqejnë rrjetet sociale një formë të fortë obsesioni romantik

Nga Washington Post
Anna Ivanova, një artiste 28-vjeçare, po shfletonte disa letra të vjetra në një tezge të një tregu antik në Sofje, Bullgari, kur hasi një seri shënimesh të vitit 1947. Ato ishin shkruar në letër blu nga një grua që mbante të njëjtin emër si ajo.
Gruaja, Anna Mihaylova, i kishte shkruar letra dashurie obsesive një burri të quajtur Milcho Radev. Në to, Mihaylova përshkruante ndjesinë sikur po çmendej dhe acarimin e vazhdueshëm. Shkruante se nuk duronte dot më asgjë dhe se do të donte që në botë të mbeteshin vetëm ajo dhe Radev.
“Ai ishte vazhdimisht në mendimet e saj”, tregon Ivanova.
Dashuria e Mihaylova-s ishte e njëanshme.
“Ajo shkruan vazhdimisht se ai nuk përgjigjet, nuk interesohet apo nuk duket se ndien të njëjtën gjë”, thotë Ivanova.
Letrat i kujtuan përvojën e saj personale dhe ajo mblodhi sa më shumë prej tyre.
Më pas, i vendosi përkrah shënimeve të ditarit të vet. Ivanova kishte shkruar për dëshirën e fortë ndaj personit me të cilin po frekuentohej, për lodhjen nga mendimet e pandërprera rreth tij dhe për kalimin e vazhdueshëm nga bindja se “gjithçka është gënjeshtër”, te mendimi se “gjithçka është e vërtetë”, për t’u kthyer më pas përsëri te dyshimi.
Duke rishfletuar pesë vite ditarë, kuptoi se edhe pse personi ndaj të cilit tërhiqej ndryshonte, ajo përjetonte “të njëjtën marrëdhënie vazhdimisht”.
Këto histori karakterizoheshin nga mendime të tepërta, deri në pikën e obsesionit. Ndonjëherë ndjenja shuhej, por herë të tjera zgjaste për vite.
Në fund, ajo kuptoi: “Po përjetoja limerence.”
Çfarë është “limerence”?
Termi “limerence” u krijua nga psikologia Dorothy Tennov në vitet ’70 për të përshkruar një pasion romantik jashtëzakonisht të fortë.
Ai karakterizohet nga mendime të shpeshta për personin e dëshiruar, humor që varet nga veprimet e tij dhe fantazi shumë të gjalla.
Megjithëse kjo gjendje shfaqet në art dhe letërsi përgjatë gjithë historisë, përdorimi i termit është rritur ndjeshëm që nga përhapja e rrjeteve sociale.
Sipas Google Trends, kërkimet për fjalën “limerence” janë rritur me 500 për qind gjatë pesë viteve të fundit. Në TikTok janë publikuar rreth 43 mijë video me hashtag-un #limerence, ndërsa në Instagram rreth 46 mijë postime. Janë krijuar gjithashtu forume dhe grupe mbështetëse.
“Papritur nisëm ta shihnim limerence kudo”, thotë Lynn Marshall, psikologe 58-vjeçare në Universitetin e Chichester-it në Angli.
Sipas saj, rrjetet sociale krijuan një botë digjitale të përshtatshme për këtë lloj fiksimi, të mbushur njëkohësisht me shumë informacion dhe pasiguri. Të dyja aktivizojnë sistemin e shpërblimit në tru dhe ushqejnë obsesionin.
Funksione që e bëjnë më të lehtë vëzhgimin e tjetrit
Platformat po prezantojnë funksione të reja që mund t’i mbajnë përdoruesit edhe më të lidhur pas sjelljes së të tjerëve.
Në qershor, Meta prezantoi “Instagram Plus”, një shërbim me pagesë mujore prej 3.99 dollarësh, i cili u lejon përdoruesve të kontrollojnë sa herë e ka parë një person një nga Story-t e tyre, së bashku me orën e saktë, dhe të kërkojnë një llogari të caktuar në listën e shikuesve.
“Po i shesin të njëjtit treg edhe teleskopin, edhe kamuflazhin”, shkroi në një email për The Washington Post Matt Hannan, 28 vjeç, ish-inxhinier softuerësh në Meta.
“Shumë të rinj e përdorin Instagram-in praktikisht si një aplikacion takimesh dhe si hapësirën kryesore ku zhvillohet pozicionimi shoqëror”, shpjegon Hannan, i cili punoi në kompani nga viti 2021 deri më 2024.
“Këto funksione shesin informacion më të detajuar për këtë lojë: kush po të shikon, sa nga afër po të ndjek dhe çfarë pozicioni ke.”
Meta nuk iu përgjigj kërkesës së gazetës për koment.
Rrjetet sociale e zgjasin obsesionin
Letrat e Mihaylova-s duket se ishin shkruar gjatë katër ditëve të njëpasnjëshme, ndërsa episodi i Ivanova-s zgjati tre vjet.
Një nga arsyet pse këto episode zgjasin më shumë në epokën digjitale është qasja e paprecedentë në informacion, thotë Marshall.
Në rrjetet sociale mund të zbulosh të afërmit, miqtë dhe aktivitetet e një personi, duke mbledhur vazhdimisht materiale që ushqejnë fantazinë.
Më pas vjen pasiguria në interpretimin e sinjaleve, si një Story në Instagram, e cila mund të çojë në cikle të pafundme analizimi.
Sipas Marshall, njerëzit që përjetojnë limerence mund të kalojnë orë të tëra duke u përpjekur të kuptojnë nëse sinjale të paqarta online tregojnë interes apo mungesë interesi.
Ivanova kujton se kërkonte përgjigje duke analizuar sjelljen online të personit pas të cilit ishte fiksuar:
“Kur e pëlqeu fotografinë time? Fotografinë e kujt tjetër pëlqeu?”
Limerence ka tipare të ngjashme me një pëlqim romantik, por ato shfaqen me një “intensitet të jashtëzakonshëm”, shpjegon Marshall.
“Është dërrmuese, e fortë dhe e prish jetën e përditshme.”
Mund të nisë nga një gjest i zakonshëm
Shkaktari mund të jetë një gjest krejt i zakonshëm: një vetull e ngritur, një kontakt më i gjatë me sy apo një buzëqeshje.
“Duhen vetëm disa javë për të kaluar nga të menduarit pak për një person, te të menduarit për të 24 orë në ditë. Ai shfaqet edhe në ëndrrat e tua”, shpjegon Marshall.
“Kur flet me njerëzit që e kanë përjetuar, ata mund të tregojnë saktësisht momentin kur e vunë re lindjen e kësaj ndjenje.”
Ivanova mund ta përcaktojë momentin e saj.
Faza e fundit nisi katër muaj pasi kishte filluar të dilte me një burrë. Të dy kishin plane që më pas dështuan, sepse ai nuk mundi të shkonte.
“Fillova të fiksohesha duke analizuar situatën”, thotë ajo.
Përvoja e frymëzoi të krijonte një libër me ilustrime që përshkruajnë limerence në epokën e internetit.
Personi i dëshiruar mund të jetë krejt i papritur
Ndërsa limerence ka evoluar në internet, një tipar ka mbetur i njëjtë: personat ndaj të cilëve lind kjo ndjenjë mund të jenë befasues.
Marshall thotë se shumë prej njerëzve me të cilët flet janë të fiksuar pas dikujt që nuk e konsiderojnë tërheqës fizikisht ose me të cilin një marrëdhënie do të ishte e papërshtatshme.
Shpesh, ajo flet edhe me persona të martuar.
“Ata nuk kanë asnjë synim ta lënë partnerin, megjithatë përjetojnë limerence ndaj dikujt tjetër”, shpjegon ajo.
Neuroshkencëtari Tom Bellamy, 50 vjeç, nisi të shkruante një blog mbi këtë temë me pseudonimin “Dr. L.”, pasi zhvilloi vetë një fiksim të tillë ndaj një kolegeje në Universitetin e Nottingham-it.
Të dy ishin të martuar.
Ai kujton se vuri re “diçka jashtëzakonisht tërheqëse” tek ajo. Sot, Bellamy e kupton atë shkëndijë si fillimin e limerence.
Çfarë ndodh në tru?
Në fazën fillestare, norepinefrina, një hormon i prodhuar nga gjëndrat mbiveshkore, mund të shkaktojë ndjesi entuziazmi dhe eksitimi.
Në të njëjtën kohë, rritja e dopaminës e shtyn personin të kërkojë kontakt. Nëse ky kontakt perceptohet si shpërblyes, truri çliron oksitocinë, të njohur shpesh si “hormoni i dashurisë”.
Bellamy realizoi një sondazh me 1,500 të rritur dhe arriti në përfundimin se më shumë se gjysma e tyre e kishin përjetuar limerence.
Me përshkallëzimin e saj, sinjali i dopaminës që nxit kërkimin e shpërblimit bëhet më i fortë. Në të njëjtën kohë, dobësohen funksionet ekzekutive të trurit, të cilat ndihmojnë në kontrollin e dëshirave dhe impulseve.
Endorfinat krijojnë kulmet emocionale, të cilat Bellamy i krahason me efektin e një substance që shkakton varësi. Ashtu si në varësi, personi ka nevojë për gjithnjë e më shumë reagim nga tjetri për të përjetuar të njëjtën ndjesi kënaqësie.
Aplikacionet si Instagram janë të mbushura me “material përforcues lehtësisht të arritshëm”, thotë Bellamy.
Shikimi i një fotografie të personit të dëshiruar jep një shpërblim të shpejtë, por me kalimin e kohës mund të forcojë lidhjen emocionale edhe në jetën reale.
Obsesioni shndërrohet në ritual dhe rrjetet sociale i ofrojnë infrastrukturën e nevojshme për të vazhduar.
Ironia është se limerence shpesh lind nga dëshira për afërsi, shpjegon Bellamy.
Prandaj, për të nuk është e habitshme që vetmia dhe kjo formë obsesioni romantik janë rritur paralelisht.
Si dilet nga limerence?
Për t’u çliruar, duhet ndërprerë burimi që e ushqen.
Bellamy rekomandon kufizimin e kontaktit sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që truri të mos vazhdojë të marrë shpërblime.
Ai paralajmëron se në fillim mund të ketë një periudhë të vështirë shkëputjeje. Marshall e quan këtë proces “ta lësh fiksimin pa ushqim”.
Ivanova bëri gjithçka që mundi për ta kapërcyer.
Ndërpreu komunikimin me personin e fundit ndaj të cilit kishte zhvilluar këtë ndjenjë. Hoqi llogaritë e tij nga rrjetet e saj sociale dhe nuk e kërkoi më emrin për të marrë informacione mbi jetën e tij.
“Nuk mund të shihja më asgjë, por mendimet nuk ndaleshin. Ishin të vazhdueshme”, thotë ajo.
“U deshën muaj e muaj.”



