Si mund ta mbrojë trurin leximi nga “brain rot”?

Nga Class• 24 November 2026

Si mund ta mbrojë trurin leximi nga “brain rot”?

Në një kohë kur kalojmë orë të tëra duke bërë scrolling në rrjetet sociale, duke parë video të shkurtra dhe duke konsumuar vazhdimisht informacion, aftësia për t'u përqendruar po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Por një zakon i thjeshtë mund të na ndihmojë të rikthejmë fokusin: leximi i thelluar.

I njohur si deep reading, ky proces nënkupton leximin e përqendruar dhe analitik, duke i kushtuar kohë kuptimit dhe reflektimit mbi atë që lexojmë. Ndryshe nga shfletimi i shpejtë i përmbajtjeve dixhitale, leximi i thelluar e nxit trurin të përpunojë informacionin, të zhvillojë mendimin kritik dhe të kuptojë këndvështrime të ndryshme.

Në këtë kontekst, fenomeni brain rot, që lidhet me lodhjen mendore dhe vështirësinë për t'u përqendruar pas konsumimit të tepërt të përmbajtjeve dixhitale, po merr gjithnjë e më shumë vëmendje.

Sipas JT Torres, profesor i psikologjisë edukative në Washington and Lee University, problemi nuk është vetëm nëse lexojmë apo jo, por edhe mënyra se si e përpunojmë informacionin. Ai thekson rëndësinë e zhvillimit të aftësisë për të lexuar në mënyrë kritike dhe për të vlerësuar atë që na paraqitet.

Përveç përmirësimit të përqendrimit, leximi i letërsisë lidhet edhe me zhvillimin e empatisë, pasi na ndihmon të kuptojmë emocionet dhe këndvështrimet e njerëzve të tjerë. Ai mund të kontribuojë gjithashtu në uljen e stresit dhe në përballimin e dezinformimit.

 

Si ta praktikojmë leximin e thelluar?

Eksperti sugjeron që të mos përqendrohemi te numri i librave apo faqeve që lexojmë, por te koha që i kushtojmë këtij aktiviteti. Një orë në ditë mund të jetë një pikënisje e mirë.

Për ta zhvilluar këtë zakon, rekomandohet:

Të lexojmë pa nxitim dhe pa shpërqendrime.

Të ndalemi për të reflektuar mbi atë që lexojmë.

Të analizojmë personazhet, ngjarjet dhe idetë e një teksti.

Të mos pranojmë çdo informacion si të vërtetë, por ta verifikojmë përmes burimeve të tjera.

Edhe një pauzë prej disa sekondash për të reflektuar mbi një informacion mund të na ndihmojë të mos biem lehtësisht pre e lajmeve të rreme.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon