Si do të reagojë Trump pas zgjedhjeve të mesmandatit?

Çështja nuk është nëse do të humbasë, por sa e rëndë do të jetë humbja dhe si do të reagojë. Kjo është ajo që vihet në lojë për Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit. Në kohë normale, zgjedhjet e mesmandatit e ndëshkojnë partinë në pushtet. Por nuk po jetojmë kohë normale. Republikanët e konsiderojnë tashmë të humbur Dhomën e Përfaqësuesve dhe druhen se mund të humbasin edhe Senatin. Në rrezik është madje edhe Kansasi, që nuk ka zgjedhur një senator demokrat prej gati një shekulli, që nga viti 1932.
Arsyeja e kësaj rënieje? Për vite me radhë, ndonëse vetë pjesë e elitës, Trump ishte zëri kryesor i pakënaqësisë popullore ndaj establishmentit. Sot po i kthen haptazi shpinën asaj.
Dy zhvillime e kanë krijuar këtë perceptim. Së pari, presidenti nuk ka bërë asgjë për të lehtësuar koston mbytëse të jetesës. Përkundrazi, ka urdhëruar që zhvillimi i inteligjencës artificiale të ecë me ritëm të plotë, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë i druhet ndikimit të saj te vendet e punës. Për shumë njerëz, Trump tashmë u shërben interesave të manjatëve më shumë sesa atyre të qytetarëve të zakonshëm.
Së dyti, me sulmin ndaj Iranit ka tradhtuar frymën e “America First”, sepse ka nisur një tjetër luftë jopopullore në Lindjen e Mesme, pa objektiva të kuptueshme, duke i çuar në qiell çmimet e benzinës. Një konflikt që duket se u shërben më shumë interesave të Izraelit sesa atyre të Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë, Izraeli po bëhet gjithnjë e më pak popullor, për arsye të ndryshme, si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë.
Sigurisht, Trump vlerësohet ende pozitivisht nga 38 për qind e amerikanëve. Por kjo nuk mjafton për të fituar. Mbështetja është gërryer te dy grupe që i besuan në vitin 2024: të rinjtë, për të cilët luftërat dhe shtrenjtimi i jetesës janë vija të kuqe, dhe hispanikët.
Këta të fundit, që realisht anojnë peshoren e zgjedhjeve, ndonëse ky rol nuk u njihet sa duhet, janë të tërbuar jo aq nga dëbimet e emigrantëve pa dokumente të cilat i kishin kërkuar edhe vetë sesa nga aksionet brutale e pa dallim të policisë. Aksione që përcillnin një mesazh: kushdo që duket hispanik është në shënjestër.
Megjithatë, republikanët mund t’i kufizojnë përmasat e humbjes. Ata kanë mbledhur një sasi të jashtëzakonshme parash, rreth 500 milionë dollarë më shumë se rivalët, pikërisht sepse janë kthyer sërish në partinë e të pasurve. Kanë ndryshuar në favor të tyre hartat e zonave zgjedhore në disa shtete dhe e dinë se vetëm për 10 për qind të vendeve gara është realisht e hapur.
Nga ana tjetër, demokratët, ndonëse kanë disa kandidatë të aftë për t’i dhënë zë pakënaqësisë popullore, kërkesës për shërbime më të mira në arsim e shëndetësi dhe luftës kundër korrupsionit, mbeten të përçarë. Brenda partisë po zhvillohet një rebelim mes figurave të reja progresiste, si Talarico, Ossoff dhe El-Sayed, dhe brezit të vjetër të të moderuarve, që përfundojnë duke ia zbehur hovin “valës blu”.
Edhe nëse marrin nën kontroll vetëm Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët mund të bllokojnë qeverisjen dhe të nisin një valë hetimesh.
Duhet të presim kundërshtime dhe ndërhyrje nga Trump. Ndoshta jo aq të rënda sa tentativa e dështuar për grusht shteti e janarit 2021. Por, në klimën e demonizimit të ndërsjellë dhe të përplasjeve që përshkojnë institucione tashmë të delegjitimuara, çdo shkëndijë rrezikon ta kthejë në konflikt të hapur “luftën e ftohtë civile” që prej vitesh e mban Amerikën të bllokuar.



