Selena Gomez dhe Demi Lovato rikthehen si në kohët e Disney

Selena Gomez dhe Demi Lovato janë sërish bashkë.
Dy mikeshat, të cilat janë afruar sërish, kanë bashkuar forcat për një bashkëpunim të ri me Rare Beauty, markën e Gomez, duke rikrijuar posterin e filmit të tyre të Disney-t të vitit 2009, “Princess Protection Program”.
“Një herë princeshë, gjithmonë princeshë”, shkroi Gomez në Instagram, krahas fotografive ku të dyja shfaqen me fustane dhe diadema, të ulura mbi një grumbull valixhesh.
“Mikeshat e ngushta nuk i dalin vetëm në krah njëra-tjetrës. Ato edhe e bëjnë njëra-tjetrën të skuqet”, shtoi ajo, duke luajtur me kuptimin e fjalës “blush”.
Gomez e ka ftuar Lovaton në një bashkëpunim që sjell setin “Delena Soft Pinch Blush Bundle”, me çmim 50 dollarë. Ai përmban blush-in e lëngshëm shumë të shitur të markës në nuancat “Hope” dhe “Virtue”, si edhe një penel për aplikimin e tij.
Ashtu si në film, Gomez vesh një fustan në ngjyrë blu në të gjelbër, ndërsa Lovato shfaqet me të verdha. Megjithatë, veshjet e tyre këtë herë janë shumë më të sofistikuara.
Gomez ka zgjedhur një fustan me shtresa nga koleksioni Resort 2016 i Oscar de la Renta-s, ndërsa Lovato mban një fustan të shkurtër të verdhë me zbukurime nga Leo Lin, me çmim 3.295 dollarë.
“Ribashkimi që interneti ka ëndërruar prej vitesh më në fund është këtu”, njofton Rare Beauty në një deklaratë për shtyp.
“Të bëheshim bashkë për këtë fushatë ishte një mënyrë e bukur për të kujtuar historinë tonë dhe një mundësi për të festuar atë që jemi sot. Si një e vetme… gjithmonë”, u shpreh Gomez.
“Selena dhe unë kemi ndarë shumë kujtime ndër vite, që nga fëmijëria”, tha Lovato. “Prandaj, të bëhemi bashkë në këtë mënyrë, në një fushatë që na ngjall kaq shumë nostalgji të dyjave, është si të rikthehemi aty ku nisi gjithçka.”
Ndonëse miqësia e tyre i ka fillesat gati 25 vjet më parë, marrëdhënia mes dy artisteve nuk ka qenë gjithmonë e afërt. Ato u njohën në fëmijëri, në vitin 2002, kur merrnin pjesë në audicionet për “Barney”.
Në një intervistë për Harper’s Bazaar në vitin 2020, Lovato pranoi se mes tyre kishte pasur një periudhë ftohjeje.
“Kur rritesh me dikë, gjithmonë do të kesh dashuri për të. Por nuk jemi shoqe, ndaj u ndjeva…”, tha ajo, përpara se të shtonte: “Do të kem gjithmonë dashuri për të dhe u uroj të gjithëve vetëm më të mirat.”
Megjithatë, fansat e Disney Channel u gëzuan në prill, kur Gomez u shfaq mes publikut në një koncert të Lovatos, për ta mbështetur gjatë turneut të saj.



