Sekreti i thjeshtë i bukurisë franceze që kushton pak dhe bën shumë

Nga Class 2 September 2026

images (6).jpg

Kur flitet për skincare franceze, filozofia është pothuajse e kundërta e rutinave me dhjetë hapa. Më pak produkte, më shumë funksionalitet dhe një dobësi e madhe për farmacinë.

Pikërisht aty gjenden edhe disa nga produktet që francezet i përdorin prej vitesh: vajrat shumëfunksionalë, kremrat minimalistë dhe, mbi të gjitha, uji termal në spray.

Vichy dhe Avène nuk janë rastësisht vetëm emra brandesh, por edhe qytete termale franceze. Në Francë, përdorimi i ujërave termale për kujdesin e lëkurës ka një histori të gjatë dhe nuk shihet si ndonjë trend i ri beauty.

Por çfarë bën realisht uji termal?

Në thelb, efekti i tij është qetësues dhe freskues.

Për shkak të përmbajtjes së mineraleve dhe oligoelementeve, mund të jetë veçanërisht i këndshëm për lëkurën e irrituar, të skuqur ose të sensibilizuar, për shembull pas ekspozimit në diell, depilimit, fërkimit apo disa trajtimeve estetike dhe dermatologjike.

Mund të jetë i dobishëm edhe kur lëkura ka tendencë për rosacea, ekzemë apo akne, por në këto raste sigurisht nuk zëvendëson trajtimin e rekomanduar nga dermatologu.

Në verë është edhe më i mirë

Në ditët e nxehta, uji termal bëhet një nga ato produkte që fillon ta përdorësh “vetëm për freski” dhe përfundon duke e mbajtur gjithmonë në çantë.

Mund të ruhet edhe në frigorifer dhe të spërkatet në fytyrë kur temperatura bëhet e padurueshme, pas palestrës, pas plazhit apo thjesht kur lëkura ndihet e nxehtë dhe e parehatshme.

Dhe po, mund ta përdorni edhe në trup.

Gabimi që bëjnë shumë njerëz me ujin termal

Ta spërkatësh në fytyrë dhe ta lësh të thahet plotësisht në ajër nuk është gjithmonë ideja më e mirë.

Ndërsa uji avullon, mund të rrisë përkohësisht humbjen e ujit nga sipërfaqja e lëkurës, sidomos nëse lëkura është tashmë e thatë.

Më mirë ta përdorni si një hap të rutinës: spërkateni, tamponojeni lehtë dhe më pas vazhdoni me serum ose krem hidratues.

Nëse e përdorni gjatë ditës vetëm për t’u freskuar, mjafton ta tampononi butësisht me duar ose me një pecetë të pastër pasi të ketë qëndruar pak mbi lëkurë.

Nuk është ujë “magjik”, por mund të jetë shumë praktik

Edhe këtu duhet pak masë me premtimet beauty.

Uji termal nuk zëvendëson kremin hidratues, SPF-në, një serum të mirë apo trajtimin për një problem specifik të lëkurës.

Ajo që bën mirë është diçka shumë më e thjeshtë: qetëson, freskon dhe mund ta bëjë lëkurën të ndihet më rehat kur është e irrituar apo e ndjeshme.

Dhe ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse francezet e duan kaq shumë.

Nuk pretendon të bëjë gjithçka.

Thjesht bën mirë një gjë dhe e bën pa e komplikuar rutinën.

Avène, Uriage, Jonzac dhe ujërat sulfurore

Mes më të njohurve janë Avène dhe Uriage, të dyja të formuluara për përdorim të përditshëm në fytyrë dhe trup.

Avène është veçanërisht i njohur për lëkurat e ndjeshme dhe të irrituara, ndërsa Uriage ka një përmbajtje të pasur mineralesh dhe përdoret shpesh si spray qetësues dhe freskues.

Ekzistojnë edhe ujëra termale sulfurore, të pasura me squfur dhe minerale të tjera, të cilat përdoren sidomos për lëkurën me tendencë yndyrore, të irrituar apo të ndjeshme.

Por pavarësisht brandit, logjika mbetet e njëjtë: sa më e thjeshtë formula, aq më mirë.

Pra, a ia vlen?

Po, sidomos nëse keni lëkurë të ndjeshme, skuqje të shpeshta, përdorni aktive të forta në skincare ose thjesht kërkoni diçka të freskët dhe të lehtë gjatë ditës.

Nuk është produkti që do të transformojë lëkurën tuaj.

Por është nga ato gjëra të vogla që, sapo i fut në rutinë, fillon t’i kuptosh pse kanë qëndruar kaq gjatë në raftet e farmacive franceze.

Pak kushton, pak kërkon dhe ndonjëherë është pikërisht aq sa i duhet lëkurës.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon