Salca që i jep shije sallatës dhe mund të ndihmojë në kontrollin e glicemisë pas vakteve

E ëmbël, aromatike, me nota të lehta karamelizuara, uthulla balsamike është një nga ato produkte që mund të ndryshojnë krejtësisht një pjatë me vetëm pak pika. Përdoret në sallata, perime, djathëra, por edhe me fruta si luleshtrydhet, pjeshkët apo fiqtë.
Përtej shijes, ka edhe disa veti interesante ushqyese. Por, siç kujton dietologia Paola Stavolone, nuk duhet trajtuar si një produkt “magjik”.
“Pjesa më interesante e uthullës është acidi acetik. Disa studime kanë vërejtur se konsumimi i tij së bashku me një vakt mund të ndihmojë në zbutjen e rritjes së glicemisë dhe insulinës pas ngrënies. Por kjo nuk do të thotë se uthulla e ul në mënyrë magjike sheqerin në gjak apo kompenson një mënyrë ushqyerjeje të çrregullt.”
Jo çdo uthull balsamike është e njëjtë
Ajo që quajmë “uthull balsamike” mund të nënkuptojë produkte mjaft të ndryshme.
Aceto Balsamico di Modena IGP prodhohet nga mushti i rrushit dhe uthulla e verës, ndërsa Aceto Balsamico Tradizionale di Modena DOP bëhet nga mushti i zier dhe kërkon vite maturimi.
Ky i fundit është zakonisht më i dendur, më kompleks në aromë dhe mund të përmbajë më shumë sheqerna natyralë.
Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë gjithmonë të lexohet etiketa dhe lista e përbërësve.
A është e shëndetshme?
Po, mund të jetë pjesë e një ushqyerjeje të ekuilibruar.
Përdoret në sasi të vogla, ndaj kontributi kalorik zakonisht është modest. Një tjetër avantazh praktik është se i jep shumë shije ushqimit pa pasur nevojë për sasi të mëdha.
Përmban gjithashtu polifenole që vijnë nga rrushi dhe acidi acetik, ndërsa disa kërkime sugjerojnë se ky i fundit mund të ndikojë në ngadalësimin e zbrazjes gastrike dhe në përgjigjen e glukozës pas një vakti.
Megjithatë, këto efekte janë të moderuara dhe nuk e kthejnë uthullën balsamike në një trajtim për gliceminë, humbjen e peshës apo ndonjë problem tjetër shëndetësor.
A të shëndosh?
Jo, jo në vetvete.
Shtimi në peshë nuk vjen nga një ushqim i vetëm, por nga një tepricë kalorike e vazhdueshme në kohë.
Është e vërtetë që uthulla balsamike mund të ketë më shumë sheqer se uthulla klasike, por sasia që përdorim normalisht për një sallatë është shumë e vogël krahasuar me një pije të ëmbël apo një ëmbëlsirë.
Më shumë vëmendje duhet treguar me glazurat dhe kremrat me uthull balsamike, sepse nuk janë e njëjta gjë. Ato mund të përmbajnë sheqerna të shtuar ose musht të koncentruar.
Pra, etiketa bën diferencën.
Sa duhet të përdorim?
Sipas dietologes, rreth një lugë gjelle është më se e mjaftueshme për të shijuar një pjatë, sigurisht në varësi të preferencës personale dhe intensitetit të produktit.
Një gjë e rëndësishme: uthulla balsamike nuk duhet përdorur si zëvendësim për vajin e ullirit ekstra të virgjër.
Të dy kanë role të ndryshme.
Vaji i ullirit sjell yndyra të pangopura dhe vitaminë E, ndërsa uthulla balsamike sjell aciditet dhe shije. Mund të përdoren shumë mirë së bashku.
Kush duhet të ketë kujdes
Për shumicën e njerëzve, në sasi normale si salcë, nuk përbën problem.
Por personat me refluks gastroezofageal, gastrit ose ndjeshmëri ndaj ushqimeve acide mund të vërejnë përkeqësim të simptomave.
Gjithashtu, nuk rekomandohet zakoni i pirjes së uthullës së pastër apo në sasi të mëdha.
Ajo nuk “detoksifikon”, nuk të dobëson vetë dhe aciditeti i saj mund të dëmtojë smaltin e dhëmbëve.
Me pak fjalë: uthulla është një salcë, jo një pije wellness.
Tradicionale apo “Extravecchio”?
Uthulla tradicionale e Modena DOP duhet të maturohet të paktën 12 vjet, ndërsa varianti “Extravecchio” të paktën 25 vjet.
Me kalimin e kohës bëhet më e dendur, më komplekse dhe më intensive në shije.
Por kjo nuk do të thotë se është domosdoshmërisht “më e shëndetshme”.
Dallimi është kryesisht gastronomik.
Si ta përdorim
Uthulla balsamike funksionon shumë mirë në pjata të freskëta dhe të thjeshta. Disa kombinime:
-domate, mozzarella ose feta, borzilok dhe pak balsamike
-sallatë me farro, domate qershi, kungulleshka të pjekura dhe qiqra
-rukola, domate, Parmigiano dhe uthull balsamike të vjetëruar
-luleshtrydhe, pjeshkë, fiq ose pjepër me disa pika balsamike
-sallatë jeshile me rukola, marule, mente, fruta, pak djathë të stazhionuar, vaj ulliri dhe uthull balsamike
Në fund, vlera më e madhe e uthullës balsamike është ndoshta shumë më e thjeshtë se sa premtojnë trendet wellness: i jep shije një vakti me shumë pak produkt dhe mund ta bëjë më të këndshme ngrënien e perimeve, sallatave dhe pjatave të thjeshta.
Dhe kjo, në një dietë të ekuilibruar, është tashmë një avantazh i mirë.



