Sa herë mund ta ringrohim ushqimin pa rrezikuar shëndetin? 6 gjëra që duhet të dimë

Nga Class• 23 October 2026

Sa herë mund ta ringrohim ushqimin pa rrezikuar shëndetin? 6

Nuk ka rëndësi vetëm sa herë e fusim ushqimin në mikrovalë. Siguria e tij varet edhe nga mënyra si është ruajtur, koha që ka kaluar nga gatimi dhe sa shpejt është futur në frigorifer.

Të ngrohim ushqimin që ka mbetur nga vakti i mëparshëm është një zgjidhje praktike: shmangim shpërdorimin dhe kemi diçka gati kur na merr uria. Por bashkë me këtë lehtësi lind edhe një pyetje: sa herë mund ta ringrohim të njëjtin ushqim pa rrezikuar?

Përgjigjja nuk lidhet vetëm me numrin e herëve që ndezim mikrovalën apo furrën. Rëndësi ka si e kemi ruajtur ushqimin, sa kohë ka kaluar nga përgatitja dhe sa gjatë ka qëndruar jashtë frigoriferit.

Duhet sqaruar edhe një bindje e gabuar: ringrohja nuk e bën automatikisht ushqimin të sigurt, sikur nxehtësia ta sterilizonte sa herë e ngrohim. Temperaturat e larta mund të eliminojnë shumë baktere që shkaktojnë helmim ushqimor, por jo domosdoshmërisht toksinat që ato mund të kenë prodhuar më parë. Pra, ringrohja nuk e zhduk çdo rrezik dhe as nuk ia zgjat vetvetiu afatin e ruajtjes ushqimit.

Ja çfarë duhet të dimë, sipas shpjegimeve të dy ekspertëve të sigurisë ushqimore.

1. Kur dhe pse ushqimi i mbetur mund të bëhet i rrezikshëm

Sëmundjet që transmetohen përmes ushqimit mund të shkaktohen nga bakteret, viruset dhe parazitët. Ndotja mund të ndodhë në faza të ndryshme, përfshirë përgatitjen. Për shembull, kur përdorim të njëjtën thikë apo dërrasë prerjeje për ushqime të pagatuara dhe të gatuara, pa i larë ndërmjet përdorimeve, ose kur prekim përbërësit pa larë mirë duart.

Higjiena, pastrimi i mjeteve të kuzhinës dhe mbajtja veç e ushqimeve të pagatuara nga ato që janë gati për konsum ndihmojnë në uljen e rrezikut.

Por një moment veçanërisht i rëndësishëm është periudha nga përfundimi i gatimit deri te vendosja në frigorifer. Bill Sullivan, profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Indianës, shpjegon se bakteret mund të shumohen shpejt kur ushqimi qëndron në të ashtuquajturën “zonë rreziku”, afërsisht mes 4 dhe 60 °C. Në kushte të favorshme, disa baktere mund të dyfishohen në numër brenda vetëm 20 minutash.

Sa më gjatë të qëndrojë ushqimi në këto temperatura, aq më shumë mundësi ka që bakteret të shumohen dhe të krijohen toksina të rrezikshme. Prandaj, ushqimi i mbetur duhet futur sa më shpejt në frigorifer, pa e lënë për orë të tëra mbi banakun e kuzhinës.

2. Ringrohja nuk i korrigjon gabimet e ruajtjes

Asnjë numër ringrohjesh në mikrovalë apo në furrë nuk garanton që një ushqim është i sigurt. Ngrohja e duhur mund të eliminojë shumë baktere, por nuk e bën domosdoshmërisht të padëmshëm një ushqim që është ruajtur në kushte të papërshtatshme.

“Ringrohja ndihmon, por nuk ofron mbrojtje absolute”, shpjegon Darin Detwiler, ekspert i sigurisë ushqimore dhe profesor i asociuar në Universitetin Northeastern.

Gjatë ringrohjes, ushqimi duhet të arrijë temperaturën e brendshme prej të paktën 74 °C. Kjo ndihmon në eliminimin e shumë baktereve potencialisht të dëmshme. Megjithatë, disa toksina mund t’i rezistojnë nxehtësisë. Një shembull është një toksinë e prodhuar nga Bacillus cereus, bakter që mund të shumohet në orizin e gatuar dhe të ruajtur gabimisht. Edhe sporet e disa baktereve, përfshirë Clostridium perfringens, mund t’u mbijetojnë trajtimeve termike të pamjaftueshme.

Nëse ushqimi ka qëndruar tepër gjatë në temperaturën e ambientit, ringrohja nuk është një mënyrë e besueshme për ta bërë sërish të sigurt.

3. Sa herë mund ta ringrohim ushqimin?

Sa herë që një ushqim ngrohet dhe më pas ftohet, krijohet një mundësi tjetër që ai të qëndrojë në temperatura të favorshme për shumimin e baktereve.

Në teori, një ushqim mund të ringrohet më shumë se një herë nëse temperaturat dhe kushtet e ruajtjes kontrollohen me përpikëri. Në praktikë, çdo cikël i ri ngrohjeje dhe ftohjeje shton mundësitë për gabime. Ringrohja e përsëritur mund të ndikojë edhe te shija, aroma, tekstura dhe disa prej vlerave ushqyese.

Për këtë arsye, një rregull praktik është që ushqimi të ringrohet vetëm një herë, siç rekomandon edhe Agjencia Britanike e Standardeve Ushqimore.

Këshilla e Detwiler është të ngrohim vetëm sasinë që do të hamë. Nëse kemi gatuar një tenxhere me gjellë, marrim porcionin që na duhet dhe pjesën tjetër e mbajmë në frigorifer.

4. Sa kohë mund të qëndrojë ushqimi jashtë frigoriferit?

Ushqimi i mbetur duhet vendosur në frigorifer sa më shpejt, pa e lënë në temperaturën e ambientit për më shumë se dy orë. Kur temperatura e ambientit kalon 32 °C, ky kufi shkurtohet në një orë.

Për ta ftohur më shpejt, ndajeni në porcione të vogla dhe vendoseni në enë të cekëta. Një sasi e madhe ushqimi, e lënë në një tenxhere të thellë, ftohet më ngadalë në brendësi.

Nuk është e nevojshme të prisni derisa ushqimi të ftohet plotësisht përpara se ta fusni në frigorifer. Edhe ushqimi ende i ngrohtë mund të vendoset brenda, duke e ndarë në enë të përshtatshme dhe pa vonesa të panevojshme.

Këto masa ndihmojnë që ushqimi të kalojë sa më pak kohë në temperaturat ku bakteret shumohen më lehtë.

5. Sa ditë mund ta ruajmë në frigorifer ushqimin e gatuar?

Sipas udhëzimeve amerikane të sigurisë ushqimore, shumica e ushqimeve të gatuara që mbeten nga një vakt duhen konsumuar brenda tre deri në katër ditësh, nëse janë ruajtur siç duhet. Frigoriferi duhet të ketë temperaturë 4 °C ose më të ulët dhe ushqimi duhet të jetë futur në të pa vonesë pas gatimit.

Pas këtij afati, është më e sigurt të mos i konsumoni. Nëse e dini që nuk do t’i hani brenda pak ditësh, ngrirja është një mënyrë për t’i ruajtur më gjatë.

Mos harroni: ringrohja nuk e rinis nga e para afatin e ruajtjes. Një ushqim që ka qëndruar tri ditë në frigorifer nuk fiton edhe tri apo katër ditë të tjera vetëm sepse e ngrohët.

6. Pamja dhe aroma nuk tregojnë gjithmonë nëse ushqimi është i sigurt

Një ushqim mund të duket dhe të mbajë erë si zakonisht, por përsëri të mos jetë i sigurt për t’u ngrënë.

Është e gabuar të mendojmë se mungesa e ndryshimeve në ngjyrë, aromë apo teksturë garanton që ushqimi është ende i mirë. Disa mikroorganizma që shkaktojnë sëmundje mund të jenë të pranishëm pa shkaktuar ndryshime të dallueshme.

Nëse keni dyshime për mënyrën si është ruajtur ushqimi ose për kohën që ka kaluar nga gatimi, zgjedhja më e kujdesshme është të mos e konsumoni.

Si ta ringrohim ushqimin në mënyrën e duhur

Disa zakone të thjeshta ndihmojnë që ushqimi i mbetur të ruhet dhe të konsumohet më sigurt:

Ngrohni vetëm porcionin që do të hani. Kështu shmangni ngrohjen dhe ftohjen e përsëritur të gjithë sasisë.
Sigurohuni që nxehtësia të arrijë edhe në qendër të ushqimit. Temperatura e brendshme duhet të arrijë të paktën 74 °C. Në mikrovalë, përziejeni ushqimin gjatë ngrohjes dhe lëreni të pushojë pak më pas, që nxehtësia të shpërndahet më njëtrajtshëm. Një termometër ushqimor ju ndihmon ta kontrolloni.
Futeni shpejt në frigorifer ushqimin që ka mbetur. Mos e lini për orë të tëra në tryezë pas vaktit.
Respektoni afatin e ruajtjes. Për shumicën e ushqimeve të gatuara, ai është tre deri në katër ditë në frigorifer, edhe nëse janë ringrohur ndërkohë.
Ngrini ushqimin që nuk do ta konsumoni në kohë. Bëjeni sa më herët, pa pritur që të jetë në fund të afatit të ruajtjes.
Siguria e ushqimit varet nga i gjithë procesi: përgatitja, ftohja, ruajtja dhe ringrohja. Ngrohni vetëm aq sa ju duhet dhe mbani parasysh gjithmonë kur është gatuar.

Përkthyer dhe përshtatur nga artikulli i Audrey Bruno dhe Davide Bussi për Vogue Italia, botuar fillimisht në SELF.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon