Rudina Dembacaj sqaron largimin nga “Goca dhe Gra”

Rudina Dembacaj ka sqaruar se largimi nga “Goca dhe Gra” nuk ishte një vendim i saj. Aktorja dhe moderatorja tregoi se bashkëpunimi me emisionin përfundoi pasi kontrata nuk iu rinovua për sezonin e ri.
E ftuar në “Andale”, Rudina foli për mënyrën si u mbyll kjo përvojë televizive, por edhe për marrëdhëniet që ruan me ish-koleget e panelit.
“Unë nuk ika, mbaroi kontrata. Është një kontratë që rinovohet çdo sezon, por nuk ma rinovuan”, shpjegoi ajo.
Megjithatë, vendimin nuk e ka përjetuar si zhgënjim. Rudina tregoi se edhe vetë mendonte që kishte ardhur koha për ta mbyllur këtë angazhim. Sipas saj, pas një periudhe në panel, temat kishin nisur të përsëriteshin dhe ndiente se nuk kishte më aq shumë gjëra të reja për të diskutuar.
Përfundimi i bashkëpunimit nuk ka ndryshuar raportet me vajzat e tjera të emisionit. E pyetur nëse vazhdon të ketë marrëdhënie të mira me to, Dembacaj u përgjigj se miqësitë e krijuara gjatë punës i ruan edhe sot.
“Patjetër që po, i kam shumë mikesha. Puna për këtë duhet të shërbejë, që t’ia kalosh mirë në radhë të parë. Pastaj, nëse ka ndonjë keqkuptim, duhet sqaruar, se nuk kemi më moshë të merremi me budallallëqe”, u shpreh ajo.
Rudina e kujtoi me vlerësim kohën në “Goca dhe Gra”, duke theksuar se brenda panelit nuk kishte pasur konflikte. Për të, miqësia me koleget mbetet një nga gjërat e mira që mori nga kjo përvojë, pavarësisht mënyrës si përfundoi kontrata.
“Ne kemi qenë një panel i jashtëzakonshëm, nuk kemi pasur kurrë probleme, gjithmonë ia kemi kaluar mirë”, tregoi moderatorja.



