"Rrust-out" është lodhja e re: çfarë është dhe si ta kuptoni nëse po e përjetoni në punë

Nga Class• 2 October 2026

"Rrust-out" është lodhja e re: çfarë

Mungesë entuziazmi, ditë që duken sikur nuk mbarojnë kurrë, detyra që kanë humbur çdo kuptim. Po sikur problemi të mos ishte thjesht lodhja apo mërzia, por ndjesia se po humbet pak nga pak motivimin për punën që bën? Pikërisht këtë përshkruan termi “rust-out”, një fenomen për të cilin flitet më pak se për burnout-in, por që mund të ndikojë po aq në mënyrën si ndihemi në punë dhe jashtë saj. Vogue Italia e përshkruan si një gjendje apatie, mungese stimulimi dhe shkëputjeje progresive nga puna. 

Termi vjen nga fjala angleze rust, “ndryshk”, dhe krijon idenë e një lloj “ndryshkjeje të brendshme”. Nuk lodhesh sepse po bën tepër. Përkundrazi, fillon të ndihesh sikur aftësitë, kureshtja dhe ambicia jote nuk po përdoren më.

“Rust-out” nuk është një diagnozë klinike e standardizuar, por një term që po përdoret gjithnjë e më shumë në diskutimet për psikologjinë e punës për të përshkruar atë gjendje ku puna nuk të jep më as sfidë, as kuptim, as ndjesinë se po rritesh.

Çfarë është rust-out?
Rust-out mund të shfaqet kur ambienti i punës nuk të lejon më të përdorësh realisht aftësitë e tua, të zhvillosh interesat apo të ndiesh se ajo që bën ka vlerë.

Nuk do të thotë domosdoshmërisht se nuk ke punë. Mund të jesh i zënë gjithë ditën dhe, megjithatë, të ndiesh se asgjë nga ajo që bën nuk të sfidon apo nuk të çon përpara.

Është një konsumim më i heshtur se burnout-i. Nuk vjen gjithmonë me stres të dukshëm, ankth apo rraskapitje. Mund të vijë me një pyetje shumë më të qetë, por po aq shqetësuese: “Çfarë po bëj këtu?”

Rust-out, burnout dhe bore-out: ku ndryshojnë?
Janë terma që mund të duken të ngjashëm, por përshkruajnë përvoja të ndryshme.

Burnout-i lidhet kryesisht me mbingarkesën dhe stresin kronik në punë. Ke shumë kërkesa, shumë përgjegjësi, shumë presion dhe, me kalimin e kohës, rezervat fizike dhe emocionale shterojnë.

Bore-out lidhet më shumë me mërzinë profesionale, shpesh sepse nuk ke mjaftueshëm punë apo detyra.

Rust-out është më i ndërlikuar. Mund të kesh punë. Mund të jesh produktiv. Por ke ndjesinë se aftësitë e tua po “ndryshken” sepse detyrat nuk të japin më as stimul, as zhvillim, as ndonjë arsye të fortë për t’u përfshirë.

Nëse burnout-i lind nga “shumë”, ndërsa bore-out nga “pak”, rust-out ngre një pyetje tjetër: sa kuptim ka për ty ajo që po bën?

Si ta kuptosh nëse po kalon një rust-out?
Shpesh nuk nis me një moment të madh krize. Përkundrazi, futet ngadalë në përditshmëri.

Ditët duken të pafundme. Orët kalojnë më ngadalë dhe detyrat e përsëritura të japin ndjesinë se po rrotullohesh në vend. Kur mungojnë projektet që të interesojnë apo objektivat që të zgjojnë kureshtjen, ndryshon edhe mënyra si e përjeton kohën në punë.

Nuk ndihesh më i stimuluar intelektualisht. Nuk je domosdoshmërisht pa punë, por ke ndjesinë se nuk po e vendos më mendjen në provë. Nuk po mëson gjëra të reja, nuk po zhvillon aftësi dhe nuk po përparon profesionalisht.

Po bën vazhdimisht të njëjtat gjëra. Detyra që dikur të jepnin kënaqësi fillojnë të duken mekanike. Çdo ditë i ngjan tjetrës dhe gjithçka kthehet në përsëritje.

Mungon ndjesia e arritjes. Puna të merr një pjesë të madhe të ditës, por në fund nuk ke ndjesinë se ke mësuar diçka, ke çuar përpara një projekt të rëndësishëm apo ke arritur diçka që të bën krenar.

Bie kreativiteti dhe përqendrimi. Kur mendja nuk sfidohet, edhe përqendrimi mund të dobësohet. Fillon të kesh më pak dëshirë për të sjellë ide të reja apo për të marrë iniciativa.

Fillon shkëputja emocionale. Nuk të intereson më aq shumë çfarë ndodh. Nuk është domosdoshmërisht rraskapitje, por një lloj indiference që rritet ngadalë.

Fillon të dyshosh te vetja. Kur për një kohë të gjatë nuk ke mundësi të përdorësh aftësitë e tua, mund të fillosh të mendosh se ndoshta nuk je më aq i mirë sa dikur. Problemi nuk është domosdoshmërisht se ke humbur aftësitë, por se nuk po gjen më hapësirë ku t’i përdorësh.

Çfarë pasojash mund të ketë?
Rust-out mund të të lërë në një lloj limboje profesionale: e di se ke aftësi, por nuk ke më një kontekst ku ato të dalin në pah.

Me kalimin e kohës, kjo mund të prekë kënaqësinë nga puna, vetëvlerësimin dhe madje edhe mënyrën si e percepton veten jashtë profesionit.

Sepse mirëqenia në punë nuk varet vetëm nga fakti nëse kemi shumë apo pak detyra.

Ka rëndësi edhe nëse kemi mundësi të mësojmë, të provojmë diçka të re, të përdorim aftësitë tona dhe të ndiejmë se po ndërtojmë diçka me kuptim.

Kur kjo mungon për një kohë të gjatë, puna mund të vazhdojë normalisht në letër, por marrëdhënia jonë me të ndryshon.

Si mund të dalësh nga rust-out?
Përgjegjësia nuk është vetëm e punonjësit. Edhe kompanitë kanë interes të kuptojnë kur njerëzit e tyre nuk po përdorin potencialin që kanë dhe të krijojnë hapësira për zhvillim, përgjegjësi të reja dhe rritje profesionale.

Por ka edhe disa hapa që mund të ndërmarrë vetë personi.

Fillimisht, duhet të kuptosh çfarë po e ushqen ndjesinë e stagnimit. Nuk është gjithmonë e nevojshme të japësh dorëheqjen. Ndonjëherë problemi mund të jetë te detyrat që ke, mungesa e përgjegjësive të reja ose fakti që disa nga aftësitë e tua nuk po përdoren fare.

Një bisedë e drejtpërdrejtë me drejtuesin mund të hapë mundësi të reja. Mund të ketë projekte ku mund të përfshihesh, përgjegjësi që mund të marrësh apo drejtime që nuk i kishe menduar më parë.

Edhe të mësuarit e diçkaje të re mund të bëjë diferencë. Një kurs, një aftësi e re, një fushë që të intereson apo një mënyrë tjetër për ta zhvilluar profesionin mund ta rikthejë kureshtjen që është zbehur.

Dhe, po aq e rëndësishme, jo gjithë ndjenja e realizimit duhet të vijë nga puna. Aktivitetet jashtë saj, miqtë, sporti, krijimtaria, udhëtimet apo çdo gjë që të jep kënaqësi ndihmojnë që identiteti personal të mos mbështetet vetëm te profesioni.

Nëse apatia dhe shkëputja vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe fillojnë të ndikojnë edhe në jetën e përditshme, mund të jetë e dobishme të flasësh me një psikolog ose profesionist të shëndetit mendor për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodh.

Sepse jo çdo pakënaqësi në punë është burnout. Ndonjëherë nuk je i lodhur nga fakti që po bën shumë.

Mund të jesh lodhur sepse prej kohësh nuk po bën asgjë që të zgjon vërtet.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon