Rita Petro flet pa tabu për seksin dhe marrëdhëniet: “Me dritë ndezur duhet të jesh shumë…”

Rita Petro ka folur sërish pa komplekse për seksualitetin, marrëdhëniet dhe mënyrën se si shoqëria shqiptare vazhdon t’i trajtojë disa prej këtyre temave.
E ftuar në “Top Fare” në Top Albania Radio, poetja iu përgjigj një serie pyetjesh pikante, duke nisur nga dallimi mes të shkruarit për seksin dhe të folurit për të publikisht.
E pyetur se cilën prej të dyjave konsideron më të vështirë, Petro shpjegoi se në letër ekziston një liri që nuk mund të jetë e njëjtë me atë të një interviste. Sipas saj, një nga keqkuptimet që e ka shoqëruar ndër vite është pikërisht tendenca e lexuesve për ta identifikuar autoren me personazhet që krijon.
“Të shkruash, ti shkruan për veten, shkruan në vetminë tënde dhe çdo gjë që të vjen në mendje e shkruan. Pastaj unë them gjithmonë që censura fillon ‘do ta botosh apo jo’. Kur flet është gjithmonë ajo etika dhe nuk mund ta barazosh shkrimin, artin me një intervistë. Domethënë janë dy gjëra të ndryshme. Shpeshherë njerëzit të ngatërrojnë dhe të barazojnë me personazhin tënd, me heroinën e librit. E kështu kanë lindur keqkuptimet me mua dhe kur më dëgjojnë në televizion ose kur jap ndonjë intervistë më thonë ‘po ti qenke grua serioze’”, tha Petro.
Pyetjet kaluan më pas te marrëdhëniet mes burrave dhe grave. Kur iu kërkua të zgjidhte nëse një mashkull me shumë partnere duhet konsideruar “Kazanova apo legen”, përgjigjja e saj ishte e drejtpërdrejtë: do ta fuste “te legenët”.
Ndërsa për burrat që kërkojnë një grua të virgjër, Petro e cilësoi këtë si një “standard”, duke iu referuar pritshmërive që vazhdojnë të ekzistojnë në shoqëri.
Një nga momentet më personale të bisedës erdhi kur poetja kujtoi partnerin e saj të ndjerë dhe atë që ai i thoshte për raportin e tyre.
“Partneri, që pata dhe historinë më të madhe të dashurisë të jetës sime, më thoshte se ti ke një gjë fantastike, ty mashkulli mund të të bëjë shok të ngushtë, përveç gjërave të tjera. Dhe kur një mashkull e ka partneren e vet dhe shok të ngushtë, ai nuk do të dojë ta humbi atë asnjëherë. Edhe nëse i vijnë ato drithërimat nga dikush tjetër. Sepse tregon se është një lidhje shumë speciale. Dhe unë si tip jam shumë besnike si shoqe e ngushtë. Se tradhtoj kurrë shoqen dhe shokun e ngushtë”, u shpreh ajo.
Biseda u ndal më pas te një pyetje që moderatorët ia drejtuan në mënyrë provokuese: pse shqiptarët vazhdojnë të bëjnë seks me dritë të fikur?
Rita e lidhi përgjigjen jo vetëm me preferencat individuale, por me historinë e mënyrës së jetesës, mungesën e privatësisë dhe sidomos me mentalitetin që për një kohë të gjatë e ka shoqëruar seksualitetin me turpin.
“Kanë bërë dikur, ato dhomat e vogla, jetonin me njerëz të tjerë dhe mentaliteti. Të bësh seks me dritë të hapur duhet të jesh shumë… Ndonjëherë marrëdhënia intime është quajtur dhe sikur ke turp, sidomos femrat. Nuk kemi qenë shumë të hapura, pasi mendonim se na gjykonin. Mund të ndodh edhe sot”, tha Rita Petro.
Për poeten, pra, drita e fikur nuk është domosdoshmërisht vetëm çështje preference. Pas saj mund të qëndrojnë edhe vite të tëra edukimi ku intimiteti, sidomos për gratë, është shoqëruar me ndrojtjen, frikën nga gjykimi dhe idenë se seksualiteti është diçka që duhet fshehur.
Dhe siç ka bërë shpesh edhe në letërsinë e saj, Rita Petro e ktheu një pyetje provokuese për seksin në një diskutim më të gjerë për mentalitetin, lirinë personale dhe raportin që kemi ende me intimitetin.



