Rita Ora surpriza e koncertit të Yll Limanit në Londër? Thashethemi që ka ndezur rrjetin

Nga Class• 10 October 2026

Rita Ora surpriza e koncertit të Yll Limanit në Londër?

Një video e publikuar në TikTok ka mjaftuar për të ndezur aludimet se Rita Ora mund të jetë surpriza e madhe e koncertit të Yll Limanit në Londër.

Spekulimet nisën pasi një fanpage që mban emrin e Yll Limanit publikoi një video me fotografinë e Rita Orës dhe mbishkrimin: “Rita Ora pjesë e koncertit në Londër më datën 23 tetor!”.

Postimi nuk është bërë nga vetë Ylli dhe deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga artistët apo ekipet e tyre. Megjithatë, thashethemi ka tërhequr menjëherë vëmendjen e fansave, sidomos për shkak të historisë muzikore që tashmë i lidh dy këngëtarët.

Në nëntor të vitit 2025, Rita Ora dhe Yll Limani bashkuan forcat në këngën “All Natural”, një bashkëpunim që u prit me interes të madh dhe krijoi një nga takimet më të bujshme mes një artisti shqiptar me karrierë ndërkombëtare dhe një prej zërave më të njohur të skenës shqiptare.

Tani, Ylli po përgatitet për një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij. Më 23 tetor ai do të performojë në Troxy, një nga sallat e njohura të Londrës, në kuadër të turneut të tij ndërkombëtar.

Pikërisht fakti që koncerti zhvillohet në Londër, qyteti ku Rita Ora ka ndërtuar një pjesë të madhe të jetës dhe karrierës së saj, i ka dhënë edhe më shumë jetë aludimit.

Nëse Rita do të ngjitej vërtet në skenë, “All Natural” mund të interpretohej për herë të parë në një nga netët më të rëndësishme të turneut të Yllit.

Por për momentin gjithçka mbetet në nivelin e një thashethemi të nisur nga fansat. As Rita Ora dhe as Yll Limani nuk kanë konfirmuar praninë e saj në koncert.

Deri më 23 tetor, pyetja mbetet e hapur: a po ruhet Rita Ora si surpriza e mbrëmjes apo TikTok-u thjesht po i paraprin dëshirës së fansave?

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon