Rikthehet Donatella Versace (gati për të lançuar një markë të re)

Nga Class 22 September 2026

cover-donatella-v-tal.jpg

Pas 27 vitesh në krye të Versace dhe më shumë se një viti larg skenës së modës, Donatella Versace është gati për një kapitull të ri.

Stilistja italiane ka njoftuar se do të marrë rolin e drejtoreshës kreative në lançimin e një brandi të ri në fushën e modës dhe beauty, në partneritet me grupin kalifornian Revolve.

Lajmi u bë publik përmes një postimi në Instagram të shpërndarë nga Donatella dhe Revolve, ku ajo shfaqet edhe përkrah Raissa Gerona, President of Brand and Partnership e kompanisë, dhe Michael Mente, bashkëthemelues dhe bashkë CEO i grupit.

Pas gati tre dekadash në shtëpinë e modës së themeluar nga vëllai i saj Gianni Versace, Donatella duket se po zgjedh të rifillojë nga zero.

“Besoj se kreativiteti duhet të jetë i guximshëm, gjithëpërfshirës dhe i gjallë në botën reale”, ka deklaruar ajo në njoftimin zyrtar.

“Gjithmonë jam frymëzuar nga brezi i ri, nga muzika, kinemaja, arti dhe, sigurisht, moda. Ky bashkëpunim më jep lirinë t’i drejtohem atij brezi në një mënyrë krejtësisht të re dhe personale, përmes beauty dhe fashion.”

Pikërisht fjala “liri” duket se është në qendër të projektit.

Në Versace, Donatella ishte për dekada jo vetëm drejtoresha kreative, por edhe fytyra e një trashëgimie të ndërtuar nga Gianni. Këtë herë, ajo do të ketë mundësinë të krijojë një identitet të ri që nga fillimi, pa pasur mbi supe historinë dhe kodet e një maison-i të konsoliduar.

Një projekt i ri, nga themelet

Mike Karanikolas, bashkëthemelues dhe bashkë CEO i Revolve, e ka përshkruar Donatella-n si “një nga zërat kreativë më përfaqësues të kohës sonë”.

Sipas tij, partneriteti do t’i japë asaj një platformë të re dhe mundësinë për të ndërtuar një brand nga themelet, duke bashkuar vizionin kreativ të Donatella Versace me teknologjinë, infrastrukturën dhe shtrirjen globale të Revolve.

Deri tani, detajet janë ende të pakta.

Nuk dihet ende emri i brandit dhe nuk janë prezantuar koleksionet e para, por është konfirmuar se projekti do të përfshijë si modën, ashtu edhe beauty.

Faza e parë e lançimit pritet të fokusohet në Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine, Azi dhe Lindjen e Mesme.

Në listën fillestare, të paktën për momentin, nuk figuron Europa.

Revolve dhe eksperienca me celebrity-t

Për Revolve, bashkëpunimi me Donatella Versace është një nga marrëveshjet më prestigjioze të viteve të fundit.

Grupi amerikan ka ndërtuar një pjesë të madhe të identitetit të tij duke kombinuar modën online, influencer marketing-un dhe bashkëpunimet me emra të njohur.

Në të kaluarën ka punuar me figura si Jennifer Lopez, Nicole Richie, Elsa Hosk dhe stilistin Peter Dundas.

Por Donatella Versace sjell një peshë krejt tjetër: një karrierë disa dekadëshe, një nga mbiemrat më të njohur në historinë e modës dhe një identitet estetik që ka ndikuar pop culture po aq sa pasarelat.

Një jetë pas Versace

Donatella u largua nga drejtimi kreativ i Versace pas 27 vitesh, duke mbyllur një epokë që kishte nisur pas vdekjes së Gianni Versace në vitin 1997.

Për shumë kohë, ajo nuk ishte thjesht drejtoresha kreative e maison-it, por personi që mbajti gjallë gjuhën vizuale të vëllait dhe e çoi atë drejt një epoke të re.

Ajo e bëri Versace-n pjesë të kulturës pop bashkëkohore, nga Jennifer Lopez me fustanin e famshëm jungle te Lady Gaga, Dua Lipa, Beyoncé dhe dhjetëra yje të tjerë.

Prandaj rikthimi i saj nuk duket si një rikthim i zakonshëm në industri.

Për herë të parë në dekada, Donatella Versace do të krijojë pa emrin Versace në krye të derës.

Dhe ndoshta pikërisht kjo është pjesa më interesante e projektit: të shohim se çfarë mbetet nga estetika e Donatella-s kur ajo nuk ka më për detyrë të interpretojë trashëgiminë e Gianni-t, por mund të ndërtojë një botë tërësisht të vetën.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon