Ralph Lauren, shumë histori për një ëndërr

Nga Class• 11 November 2026

Ralph Lauren, shumë histori për një ëndërr

PoloFest-i i parë në Tokio mblodhi 17 koleksionistë nga e gjithë bota dhe tërhoqi mijëra vizitorë në kërkim të veshjeve të rralla vintage mes rreth 5 mijë artikujve në shitje. Takimet dhe bisedat kishin një emërues të përbashkët: pasionin.

Nga Vanity Fair

Mjaftoi një ide, e thjeshtë dhe vizionare, për të krijuar tri ditë entuziazmi kolektiv dhe takimesh që ndryshojnë mënyrën si e shohim modën: një treg veshjesh vintage dhe bisedash, ku njerëzit të ndiheshin pjesë e një komuniteti, veshjet të merrnin një jetë të re dhe historitë e njerëzve të ndërthureshin me ato të objekteve që kanë kuptim për ta.

Këtë ide e solli në jetë Ralph Lauren, që tetorin e kaluar organizoi në Tokio PoloFest-in e parë, për të festuar 50-vjetorin e pranisë së markës në Japoni. Vetë marka, vitin e ardhshëm, mbush 60 vjet. Aktiviteti tërhoqi mbi 10 mijë njerëz në Harajuku, shumë prej tyre të veshur me Ralph Lauren, përfshirë edhe fëmijët.

“Prej një jete takoj njerëz që e duan Ralph Lauren dhe që më tregojnë një histori për atë që kanë veshur: një këmishë dhuratë nga bashkëshorti, xhaketën e një gjysheje që i ka kaluar mbesës apo atë që mbanin veshur kur ranë në dashuri. Të gjithë kishin një histori për një veshje të dashur. PoloFest është një komunitet, një kulturë, një festë plot emocione, ku nuk shiten vetëm veshje, por edhe vlerat, idealet dhe ëndrrat tek të cilat besojmë”, tregon David Lauren, drejtues i markës dhe inovacionit në Ralph Lauren, si edhe djali i themeluesit.

“Kur erdha në Tokio njëzet vjet më parë, takova shumë koleksionistë që kishin dyqane kushtuar veshjeve tona vintage. Nuk u besoja syve. Zbulova se shkëmbenin pjesë të koleksioneve të tyre me njerëz në Itali, Francë dhe Shtetet e Bashkuara.”

Për PoloFest-in, ai mblodhi 17 koleksionistë nga e gjithë bota, secilin me një pasion të veçantë për linjat e ndryshme të Polo-s, nga stili country te Western, nga Ivy League te veshjet sportive. Së bashku përzgjodhën rreth 5 mijë artikuj për t’i nxjerrë në shitje në Vintage Market.

Programi përfshinte gjithashtu një ekspozitë mbi rrugëtimin e Ralph Lauren dhe biseda me publikun për ndikimin e tij kulturor, si edhe për historitë befasuese të koleksionistëve dhe njerëzve të lidhur me markën.

“Mendoj se moda sot ka nevojë të rigjejë kuptimin, thellësinë dhe vlerat. Veshjet janë pjesë e identitetit dhe e jetës së njeriut, pra edhe e stilit të tij. Janë diçka që nuk e humbet vlerën pas një viti. Jetojmë në një botë që ka nevojë për përmbajtje. Andy Warhol fliste për 15 minuta famë; sot, në rrjetet sociale, ke pesë sekonda”, vazhdon David Lauren. “Njerëzit kërkojnë edhe lidhje të drejtpërdrejta, mundësi për t’u takuar. Duan gjithnjë e më shumë të jenë pjesë e një komuniteti që ndan të njëjtin pasion.”

Mes koleksionistëve ndihej një entuziazëm ngjitës. Kishin ardhur nga afër e nga larg dhe ishin të lumtur të rrëfenin historitë e tyre. Një nga emrat më të rëndësishëm në Japoni është Yoshihito Murayama i Safari-t, ndër dyqanet më të dashura të veshjeve vintage në lagjen Koenji të Tokios.

“E quajta kështu sepse Ricky Lauren, bashkëshortja e Ralph-it, kishte bërë një libër për safarin që më frymëzoi. Në suahilisht, fjala do të thotë udhëtim dhe unë doja të nisja timin. Isha 15 vjeç dhe ende në shkollë kur fillova të koleksionoja. Dhjetë vjet më vonë hapa dyqanin.”

Lidhja mes japonezëve dhe stilit amerikan ka rrënjë të hershme. Ametora quhet estetika që u zhvillua në Japoni pas luftës, duke përvetësuar kodet e veshjes së universiteteve amerikane të Ivy League. Kur moda tradicionale amerikane po humbiste terren, Japonia e ruajti, e ktheu në ritual dhe ua përcolli brezave të tjerë, siç shpjegon libri Ametora: How Japan Saved American Style.

Polo i ka të gjitha këto stile në ADN-në e vet, por këtu ato riinterpretohen dhe marrin një identitet të tyrin.

Nga koleksioni i tij, Murayama nuk do të shiste kurrë “një bluzë të Bruce Weber-it. Është thesari im”.

Po çfarë po kërkon aktualisht?

“Laird Mackintosh i Thoroughbred New York ka veshur një xhaketë që do ta blija menjëherë. Është e tija dhe nuk e di nëse do të pranojë ta shesë.”

E takojmë Laird-in në një nga sallat e mëdha që rikrijojnë atmosferën vintage dhe elegancën old money të stilistit amerikan.

“Në vitin 1986, kur isha adoleshent, punoja në një butik Polo në qytetin tim, në Kanada. U dashurova menjëherë me vizionin, estetikën dhe dizajnin e tij. Më pas u bëra aktor teatri, por pasionin e ruajta. Vazhdova të koleksionoja. Kërkoj kudo. Kemi sjellë këtu disa kostume të një burri, mbesa e të cilit më kontaktoi në Instagram. Ai, një mjek në pension nga Çikago, më tregoi gardërobën e tij të jashtëzakonshme: kostume angleze të qepura në Savile Row, shumë kostume me tri pjesë të Polo-s, të bëra me porosi, të gjitha pa astar dhe me detaje kadifeje. Dje i dërgova një fotografi për t’i treguar sa larg kanë udhëtuar veshjet e tij. Tani janë këtu.”

Veshja që Laird nuk do të shiste kurrë është pikërisht ajo që dëshiron Murayama.

“Xhaketa që kam veshur. Është e vitit 1973 dhe koleksionistët e duan sepse, me sa di, Ralph Lauren ka një pothuajse identike, por me kopsa të tjera. Është një version i rafinuar i xhaketave angleze.”

Këshilla e tij për blerësit?

“Kontrolloni etiketat: ‘Made in USA’ është garanci.”

Ndërkohë, të gjithë flasin për etiketat e reja që u janë shtuar veshjeve në shitje për të respektuar ligjet vendase. Ato i bëjnë edhe më të veçanta dhe ua rrisin vlerën.

Cosimo Ciampolini dhe Valentina Fiaschi, të TartanVintage, kanë ardhur nga Firence.

“Ishim në Kolorado, fare pranë fermës së Ralph Lauren, kur na erdhi emaili që na ftonte të jetonim këtë ëndërr”, thotë Valentina.

“Një ëndërr që e kisha që i vogël, kur nuk kisha para për të blerë një veshje të Ralph-it”, shton Cosimo. “Kemi nisur të blejmë më shumë se njëzet vjet më parë dhe kemi një koleksion me veshje nga të cilat nuk do të hiqnim dorë, mes tyre edhe një xhaketë ranch coat që e ka veshur vetë Ralph Lauren. Në Itali na kërkojnë shumë trikot Rugby. Pas suksesit në vitet ’80 dhe ’90, tani po jetojnë një jetë të re.”

Edhe për Chandler Guttersen të Vintage Grace, lidhja është sentimentale.

“Jam rritur duke parë mamanë dhe gjyshen të veshura me Ralph Lauren. Më vonë më kaluan disa prej veshjeve të tyre, por shitjen e veshjeve vintage e mora seriozisht vetëm në vitin 2021. Udhëtoj jashtëzakonisht shumë për të gjetur veshje dhe frymëzim.”

E gjatë dhe bionde, duket sikur ka dalë nga një reklamë e Polo Country. Lindi në Kolorado, më pas u zhvendos në Teksas dhe sot jeton në Manhattan.

Çfarë po kërkon tani?

“Nëse një objekt është i destinuar për ty, do të të gjejë vetë. Bëj kërkime, studioj sfilatat dhe përpiqem t’i mbaj mend. Në udhëtime takoj njerëz, miq të miqve apo gra më të mëdha në moshë që më thonë se nuk i veshin më fustanet e tyre të koktejit. Këto takime janë shumë të veçanta, sepse veshjet vijnë me një histori që më pas ua tregoj atyre që duan t’i blejnë. Megjithatë, unë nuk do të shisja kurrë veshjet që më ka dhënë ime më dhe ato të koleksionit Western. Aktualisht, tregu i veshjeve vintage është në kulm, ndaj pjesët e rralla janë më të vështira për t’u gjetur dhe kushtojnë më shumë.”

Nëpër salla lëviz një vizitore me një fustan me figurën e Polo Bear, arushit të famshëm të markës. E ka qepur vetë, duke përdorur çarçafë. Merr komplimente dhe i pyet të gjithë nëse kanë parë ndonjë Pink Pony Ricky, një çantë jashtëzakonisht të vështirë për t’u gjetur, të krijuar për të mbështetur kërkimet kundër kancerit.

Në murin e njërës prej sallave janë ekspozuar vepra që riinterpretojnë veshjet Polo. Mitsugu Sasaki është një artist që përdor pëlhura të vjetra dhe i qep me teknika tradicionale për të krijuar diçka të re. Gratë e Sashiko-s, një kolektiv artizanesh i krijuar pas cunamit të vitit 2011, e kanë rikrijuar arushin Polo duke bashkuar copa xhinsi.

Ndikimi kulturor i Ralph Lauren u bë veçanërisht i dukshëm gjatë bisedave në PoloFest. Jason Jules, autor i Black Ivy: A Revolt in Style, e përmbledh kështu arsyen e këtij pasioni:

“Ka arritur të ndërtojë linja që janë kthyer në modele stili, duke ndjekur shijen personale dhe një romantizëm të frymëzuar nga Hollywood-i. Është një djalë nga Bronxi që kishte aspirata, që sfidonte rregullat dhe që u dha të gjithëve mundësinë t’i afroheshin ‘jetës së bukur’ përmes veshjes. Ndoshta mënyra si vishesh nuk përputhet me rregullat, por bëhet e duhura sepse është interpretimi yt. Ai ka krijuar një botë ku të gjithë mund të gjejmë veten dhe ku përditshmëria mund të bëhet pjesë e një ëndrre.”

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon