Pse Meghan Markle është shfaqur prej nëntë muajsh pa unazën e fejesës?

Prej nëntë muajsh, një detaj mungon në daljet publike të Meghan Markle: unaza e fejesës që princi Harry krijoi posaçërisht për të. Sipas revistës Hello!, dukesha është fotografuar për herë të fundit me të më 15 shkurt, kur ndoqi përkrah bashkëshortit ndeshjen NBA All-Star në Kaliforni. Që atëherë, mungesa e bizhuterisë ka ngjallur kureshtje dhe hamendësime nëse po i nënshtrohet një tjetër ndryshimi. hellomagazine.com
Për momentin, arsyeja nuk është konfirmuar. Mundësia e një ndërhyrjeje në dizajn mbetet një hipotezë, e ushqyer edhe nga ndryshimet që unaza ka pësuar më parë.
E vlerësuar në rreth 143 mijë euro, ajo u realizua nga princi Harry në bashkëpunim me Cleave & Company, argjendarë të oborrit mbretëror britanik. Meghan e prezantoi për herë të parë në nëntor të vitit 2017, gjatë shpalljes së fejesës së çiftit në Kensington Palace.
Përtej vlerës materiale, unaza mbart një histori familjare. Diamanti qendror vjen nga Botsvana, ndërsa dy diamantet më të vogla në anët e tij kanë qenë pjesë e koleksionit personal të princeshës Diana.
Harry zgjodhi fillimisht një rreth prej ari të verdhë, ngjyra e preferuar e Meghan. Sipas vlerësimit të ekspertit të diamanteve Bud Mulki, guri qendror peshon afërsisht 3 deri në 3.5 karatë. Ai e vlerëson çmimin e unazës në momentin e krijimit mes 95.600 dhe 240 mijë eurove, në varësi të cilësisë së diamantit.
“Montura në vetvete përfaqëson vetëm një pjesë të vogël të vlerës së bizhuterisë. Por, duke marrë parasysh lidhjen me familjen mbretërore, mund të thuhet se është e paçmueshme”, është shprehur ai për Hello!.
Në vitin 2019, gjatë ceremonisë Trooping the Colour, vëzhguesit e familjes mbretërore vunë re se unaza kishte ndryshuar. Rrethi fillestar prej ari ishte zëvendësuar me një më të hollë, të zbukuruar me diamante të vegjël, me teknikën mikropavé.
Sipas biografisë Finding Freedom, të autorëve Omid Scobie dhe Carolyn Durand, Harry i kishte kërkuar argjendares Lorraine Schwartz ta përshtaste unazën me rastin e përvjetorit të parë të martesës.
Në të njëjtën periudhë, ai i dhuroi Meghan edhe një unazë tjetër, të tipit eternity, me diamante përgjatë rrethit. Në pjesën e brendshme të saj ishin vendosur gurët që lidhen me muajt e lindjes së Meghan, Archie-t dhe Harry-t: përkatësisht peridot, smerald dhe safir. Kjo ishte një bizhuteri më vete, e ndryshme nga unaza e fejesës. Marie Claire UK
Pavarësisht ndryshimeve në dizajn, diamantet e Dianës mbeten elementi me domethënien më të veçantë të unazës së fejesës. Në intervistën që çifti dha për BBC-në në vitin 2017, Harry shpjegoi se kishte zgjedhur gurë nga koleksioni i së ëmës “për t’u siguruar që ajo të ishte me ne në këtë aventurë të çmendur”.
Pas vdekjes së Dianës në vitin 1997, bizhuteritë e saj iu lanë dy djemve, William dhe Harry. Princesha kishte shprehur dëshirën që, një ditë, ato të mund të mbaheshin edhe nga bashkëshortet e tyre.
“Dëshiroj që të gjitha bizhuteritë e mia të përfshihen në pjesën që u takon djemve të mi, në mënyrë që bashkëshortet e tyre, kur të vijë koha, të mund t’i zotërojnë ose t’i mbajnë. Ju lë juve të vendosni se si do të ndahen saktësisht”, kishte shkruar ajo në udhëzimet për ndarjen e sendeve personale.
Unaza e fejesës nuk është e vetmja lidhje mes koleksionit të Dianës dhe Meghan. Dukesha ka mbajtur edhe unazën e famshme me akuamarinë, të porositur nga princesha në vitin 1996. Meghan e zgjodhi për pritjen pas ceremonisë së martesës në maj të vitit 2018, e më pas e mbajti gjatë vizitës në Tonga po atë vit dhe në mbrëmjen Ripple of Hope në Nju-Jork, në vitin 2022. British Vogue



