Pse Dolly Parton mbajti paruke pothuajse gjithë jetën

Nga Class 2 September 2026

GettyImages-2248795.png

Flokët e Dolly Parton nuk kanë qenë kurrë thjesht flokë. Biondë, të mëdhenj, të krehur deri në kufijtë e fizikës dhe gjithmonë të dallueshëm, ata u kthyen në një pjesë po aq të rëndësishme të personazhit të saj sa zëri, këngët apo kostumet me gurë.

Dhe po, pjesa më e madhe e atyre modeleve legjendare kanë qenë paruke.

Sot shumë prej tyre ruhen në Dollywood, parku që Dolly themeloi në vitin 1986, së bashku me kostumet dhe objekte të tjera nga arkivi i saj.

Një nga përgjigjet më të famshme të saj erdhi gjatë një interviste në vitet ’80. Dikush nga publiku e pyeti:

“Dolly, sa kohë të duhet për të bërë flokët?”

Ajo u përgjigj:

“Nuk e kam idenë. Unë nuk jam aty kur i bëjnë.”

Shumë Dolly.

Para parukeve, flokët i bënte vetë

Dolly ka treguar se që në shkollë të mesme i pëlqenin flokët e mëdhenj dhe të krehur me volum.

“Në atë kohë ishte në modë backcombing. Unë e bëja që në gjimnaz. Isha një nga të paktat vajza që mbaja flokë kaq voluminozë.”

Por kur karriera filloi të kërkonte të njëjtin look pothuajse çdo ditë, kuptoi se dekolorimi dhe krehja e vazhdueshme do t’ia dëmtonin flokët.

Kështu erdhi vendimi që do të bëhej pjesë e identitetit të saj.

“Fillova të mbaja paruke sepse kuptova shumë shpejt se, po t’i dekoloroja dhe krehja flokët çdo ditë, do t’i shkatërroja. Dhe ishte shumë praktike të kisha disa modele gati, pa pasur kurrë një ditë të keqe flokësh.”

Nga zgjidhje praktike në firmë personale

Ajo që filloi si një mënyrë për të mbrojtur flokët natyralë, shumë shpejt u kthye në një gjuhë estetike.

Dolly nuk përdorte paruke për t’i bërë të tjerët të mendonin se flokët e saj ishin natyralë.

Përkundrazi.

I pëlqente fakti që dukeshin të mëdha, të punuara, të ekzagjeruara.

Një rol të rëndësishëm pati Colleen Owens, stilistja e parë e parukeve të saj dhe njëkohësisht halla e bashkëshortit të ndjerë të Dolly-t.

Colleen i prezantoi fillimisht me shtesat e flokëve dhe më pas me paruket e plota.

Dolly kujtonte:

“Ishin paruket ato që më vishnin mua, jo unë ato. Por i adhuroja gjithë ato gjëra të ndërlikuara që bënte Colleen.”

Dhe filozofia ishte shumë e thjeshtë:

“Sa më të mëdha, aq më mirë.”

Paruket bëhen histori e stilit amerikan

Në vitet ’70, flokët e Dolly-t ishin më të shkurtër, me onde dhe kaçurrela të buta, me një frymë që të kujtonte Marilyn Monroe, por të filtruar përmes estetikës country.

Në mesin e viteve ’70, gjatësia u rrit dhe valëzimet u bënë më të buta.

Në vitet ’80 erdhi epoka e volumit maksimal.

Kaçurrela të ngushta, flokë të ngritur lart, pothuajse një aureolë bionde rreth fytyrës.

Vetë Dolly ka treguar me humor se bashkëshorti i thoshte se në disa periudha dukej “si një cotton swab”.

Në vitet ’90 dhe në fillim të viteve 2000, look-u u bë pak më glamour dhe më i lëmuar.

Kur u shfaq në “Hannah Montana” si Aunt Dolly, pranë Miley Cyrus, flokët e saj ishin më të gjatë, më të drejtë dhe më në linjë me estetikën e kohës.

Por pavarësisht dekadës, rregulli nuk ndryshoi kurrë:

Dolly duhej të dukej si Dolly.

“Duhet shumë para për t’u dukur kaq lirë”

Stili i saj është quajtur për vite “cheap”, kitsch, country Barbie.

Dolly nuk e ka marrë kurrë si fyerje.

Përkundrazi, e ktheu në një nga batutat më të famshme të saj:

“Duhet shumë para për t’u dukur kaq lirë.”

Në fakt, ajo e kishte ndërtuar këtë imazh me vetëdije të plotë.

Flokë të mëdhenj.

Gjoks i theksuar.

Thonj të gjatë.

Make up i fortë.

Temina.

Ngjyra.

Asgjë minimaliste.

Asgjë “quiet luxury”.

Por pikërisht kjo e bëri kaq të dallueshme.

Dolly nuk u përpoq asnjëherë të dukej sikur nuk kishte bërë përpjekje.

Ajo e festonte përpjekjen.

“Jam artificiale, por e vërtetë aty ku ka rëndësi”

Ndoshta një nga fjalitë që e përmbledh më mirë gjithë estetikën e saj është kjo:

“Mund të jem artificiale, por jam e vërtetë aty ku ka rëndësi. Pikërisht këtu, në zemër.”

Dolly e dinte shumë mirë se pamja e saj ishte e ndërtuar.

Paruket ishin artificiale.

Make up-i ishte i dukshëm.

Kirurgjinë estetike nuk e kishte fshehur.

Por nuk e shihte autenticitetin si mungesë artificesh.

Për të, autenticiteti ishte të mos shtireshe për atë që ishe.

Dhe ajo nuk është shtirur kurrë sikur ishte “natyrale”.

Madje ka thënë se nuk dilte nga shtëpia pa grim dhe e kishte çuar shakanë deri te vdekja:

“Nuk dal kurrë pa grim. Nuk do ta bëja as po të vdisja. Në atë rast, ju lutem, dikush të hapë arkivolin dhe të më vendosë pak grim.”

Nga drag queens te Gen Z

Estetika e Dolly-t u përqafua prej kohësh edhe nga drag culture dhe komuniteti LGBTQ+, që ajo vetë e ka mbështetur publikisht.

Nuk është e vështirë të kuptosh pse.

Dolly e trajtoi pamjen si performancë.

Flokët nuk kishin pse të dukeshin natyralë. Duhej të tregonin një histori.

Dhe sot, në TikTok e Instagram, shprehja “The higher the hair, the closer to God” është rikthyer në videot ku vajzat provojnë të krijojnë volum në stilin Dolly.

Pas ndarjes së saj nga jeta, shumë përdoruese kanë postuar homazhe me një ide të përbashkët: flokë më të mëdhenj, më shumë push up dhe më shumë shkëlqim për Dolly-n.

Sepse në fund, stili i saj nuk ishte thjesht një hairstyle.

Ishte një qëndrim.

Mos u zvogëlo.

Mos u përpiq të bëhesh më pak vetëm që të dukesh “me shije”.

Nëse do flokë të mëdhenj, bëji edhe më të mëdhenj.

Nëse do glitter, vendos më shumë.

Nëse dikush mendon se është “too much”, problemi mund të jetë se ai është mësuar me shumë pak.

Dolly Parton e kuptoi shumë herët një nga rregullat më të mira të stilit: nuk duhet të dukesh natyral për të qenë autentik.

Mjafton të dukesh si vetja.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon