Pse bota e modës po bie në dashuri me palltot e operës

Nga Class• 23 November 2026

Pse bota e modës po bie në dashuri me palltot e operës

Teksa xhupat e fryrë kanë qenë prej vitesh protagonistë të garderobës dimërore, këtë sezon po shfaqet një alternativë e re që po tërheq vëmendjen: palltot elegante me jakë dhe detaje prej gëzofi.

 

Fillimisht të krijuara për t'u veshur mbi fustanet elegante të mbrëmjes, modelet e reja vijnë në versione të gjata deri në fund të këmbëve ose më të shkurtra dhe po kombinohen me gjithçka, nga fustanet e shkurtër deri te xhinset.

 

Jennifer Lawrence u shfaq me një pallto Dior, të kompletuar me një jakë të gjerë prej gëzofi, në premierën e filmit The Hunger Games: Sunrise on the Reaping, këtë javë. Ndërkohë, Kendall Jenner është fotografuar me një model të gjatë, në ngjyrë të verdhë, të cilin e kishte kombinuar me pantallona të gjera dhe me prerje të lirshme. Pasi u shfaqën në pasarelat e disa prej shtëpive më të njohura të modës, palltot e reja që po konsiderohen si kryefjala e sezonit tashmë gjenden edhe në koleksionet e markave Staud, DÔEN, Zara, Next, Free People dhe Marks & Spencer.

Pse bota e modës po bie në dashuri me palltot e operës

Pse bota e modës po bie në dashuri me palltot e operës

Modeli i markës Rixo, i zbukuruar me qëndisje me motive lulesh dhe me detaje prej gëzofi artificial, i veshur si nga Jennifer Lawrence, ashtu edhe nga Kate Moss, është shitur disa herë brenda një kohe të shkurtër.

 

“Besoj se ajo që i bën këto pallto kaq tërheqëse është fakti se ato ndërthurin luksin me një ndjesi të mrekullueshme nostalgjie”, shprehet Orlagh McCloskey, bashkëthemeluesja dhe drejtoresha kreative e markës me bazë në Londër.

 

April Ru Wan, koleksioni i parë i së cilës për markën e saj Ouch Studios përfshinte edhe një xhaketë të frymëzuar nga palltot e mbrëmjes, thotë: “Ato kanë një karakter lozonjar dhe, mbi të gjitha, të mbajnë ngrohtë”.

Pse bota e modës po bie në dashuri me palltot e operës

 

Sipas J’Nae Phillips, parashikuese e tendencave dhe krijuese e buletinit Fashion Tingz, një pjesë e joshjes së këtyre xhaketave lidhet me “rikthimin e dëshirës për veshje që kanë karakter, mjeshtëri artizanale dhe histori”.

Ajo shton se diçka “paksa teatrale” ka marrë një vlerë të veçantë në një peizazh mode që po bëhet gjithnjë e më uniform.

 

Edhe Emily Chan, redaktore kontribuuese në revistën britanike Vogue, mendon se palltot e këtij stili janë veçanërisht të përshtatshme për momentin. Sipas saj, “ka një orientim të dukshëm drejt maksimalizmit, pasi njerëzit po kërkojnë veshje më të spikatura, në kontrast me tendencën e luksit të heshtur që dominoi sezonet e mëparshme”.

 

Një pallto në stilin e mantelit, e krijuar nga stilisti me bazë në Nju-Jork, Conner Ives, duket se i dha shtysë këtij rikthimi të teksturave dhe materialeve të veçanta. Robdishanët e tij vintage prej mëndafshi janë veshur nga personazhe të njohur, përfshirë Kate Moss, Zoë Kravitz dhe Sienna Miller. Në sfilatën e tij më të fundit, koleksioni u hap me një model ngjyrë ari, të qëndisur me motive të luleve të qershisë dhe të kombinuar me xhinse dhe një bluzë të thjeshtë.

 

Palltot e këtij stili janë pikërisht ato lloj veshjesh që mund të gjenden me bollëk në tregjet e rrobave të përdorura, dyqanet vintage, në Portobello Road dhe në tregun e Camden. Sipas të dhënave të publikuara nga platforma e rishitjes së veshjeve luksoze TheRealReal, kërkimet për xhaketa dhe pallto me zbukurime prej gëzofi janë rritur me 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Ndërsa modelet e Conner Ives shiten për më shumë se 6 mijë paund, shumë njerëz kanë zgjedhur t'i krijojnë vetë versionet e tyre. Në TikTok, adhuruesit e modës po u shtojnë detaje prej gëzofi kimono-ve vintage dhe xhaketave tradicionale kineze të stilit Tang. Së bashku me disa variante të tjera të palltove me gëzof, këto krijime kanë nxitur edhe diskutime rreth kufirit mes frymëzimit nga kulturat e tjera dhe përvetësimit të tyre kulturor.

 

Për Chan, e cila ka lindur në Britani dhe është me origjinë kineze, kjo çështje ka një rëndësi të veçantë. Ajo ka shkruar më parë për shqetësimin e saj lidhur me kthimin e xhaketës tradicionale kineze të stilit Tang në një tendencë mode. Sipas saj, “është e domosdoshme të vlerësohet historia e këtyre veshjeve, pasi kufiri mes vlerësimit të një kulture dhe përvetësimit të saj është shumë i hollë”.

 

“Është një çështje e ndërlikuar. Asgjë nuk më gëzon më shumë sesa të shoh njerëz që vlerësojnë kulturën time, pasi për pothuajse gjithë fëmijërinë time ajo është parë me përçmim”, shprehet Ru Wan.

 

Duke kujtuar fëmijërinë e saj në Kanada, ajo thotë se ende i kujtohet “shprehja e pakënaqësisë në sytë e njerëzve kur kuptonin se isha kineze. U desh shumë kohë që njerëzit të shihnin bukurinë e veshjeve tradicionale kineze”.

 

Megjithatë, ajo shton se “Nuk është kurrë vonë”.

 

Krahas aspektit estetik dhe kulturor, kjo tendencë ngre edhe çështje që lidhen me qëndrueshmërinë mjedisore. Chan, e cila drejton edhe një buletin në platformën Substack me emrin That’s Sus, kushtuar qëndrueshmërisë, e konsideron pozitive faktin që njerëzit po përdorin veshje vintage dhe materiale që i kanë tashmë për të krijuar versionet e tyre të palltove, në vend që të blejnë kopje të lira që rrezikojnë të hidhen sapo kjo tendencë të dalë nga moda.

 

 “Shumica e alternativave prej gëzofi artificial që gjenden në treg prodhohen nga materiale sintetike me bazë lëndët djegëse fosile. Këto materiale nuk biodegradohen dhe çlirojnë mikroplastika në mjedis.

 

Është e rëndësishme t'i bashkoheni kësaj tendence vetëm nëse bëhet fjalë për një veshje që do të vazhdoni ta përdorni edhe për shumë vite në vijim”, thekson ajo për The Guardian.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon