Princi Harry, dhimbja për Dianën: “Ndihesha në faj kur isha i lumtur pa të”

Duka i Sussex ka folur sërish për shëndetin mendor dhe për mënyrën si e përjetoi humbjen e nënës së tij, Princeshës Diana. Në një bisedë me psikiatren Mary-Frances O’Connor, Harry rrëfeu se për shumë vite e kishte të vështirë ta pranonte vdekjen e saj dhe, për një periudhë, ishte bindur se Diana thjesht ishte larguar nga jeta që po e shkatërronte dhe se një ditë do të kthehej për të marrë atë dhe William-in.
Princi Harry ka qenë ndër anëtarët e parë të familjes mbretërore britanike që ka folur hapur për shëndetin mendor. Këtë herë ai është ndalur te një moment veçanërisht i vështirë, i përjetuar në fund të vitit 2019, kur së bashku me Meghan Markle dhe djalin e tyre Archie kaloi disa javë në Kanada.
“Kur ndodhesha në Kanada, larg atij ambienti stresues ku, me shumë gjasë, trupi im ishte vazhdimisht në gjendje alarmi, brenda dy ose tre ditësh pata një rënie të fortë. Ishte një ndjesi që nuk e kisha provuar kurrë më parë”, tregoi ai gjatë bisedës Redefining Grief: Building Resilience Through Loss, të publikuar në MasterClass.
“Ishte sikur më duhej stresi për të marrë adrenalinën që më nevojitej për të funksionuar, sepse kur isha në shtëpi nuk arrija të bëja asgjë. Në fakt, rashë në një gjendje depresive për rreth dy javë dhe ndihesha sikur nuk mund të funksionoja pa adrenalinë.”
Harry i referohet periudhës kur familja kaloi pushimet në Kanada, me synimin për të marrë “pak hapësirë larg gjithçkaje, thjesht për të menduar”. Pak kohë më vonë do të vinte vendimi për t’u tërhequr nga roli i lartë brenda familjes mbretërore.
“Për 15 apo 20 vjet, sa herë më pyesnin nëse isha mirë, përgjigjesha: jam mirë”
Biseda e Harry-t me O’Connor fokusohet te zia dhe mënyra si humbja e një personi të dashur mund të vazhdojë të ndikojë në jetën tonë shumë vite më pas.
Për Harry-n, kjo nisi në vitin 1997, kur Diana humbi jetën në Paris.
“Për 15 apo 20 vjet, kur njerëzit më pyesnin: ‘A je mirë?’, përgjigjja ime ishte: ‘Jam mirë’. Ishte një lloj mpirjeje, një mbyllje emocionale. Dhe pa e kuptuar, ishte adrenalina ajo që më shtynte përpara.”
Por kishte edhe një tjetër ndjenjë që e shoqëronte.
“Ndihesha sikur po e tradhtoja dhe ndihesha në faj nga ideja se mund të isha i lumtur dhe të ndieja gëzim pa të. Mendoja se duhej të isha i trishtuar dhe emocionalisht i fikur për t’i treguar se më mungonte.”
Më vonë, kuptimi se Diana me shumë gjasë do të dëshironte që djali i saj të ishte i lumtur ndryshoi diçka thelbësore tek ai.
“Kjo ishte një ndryshim i jashtëzakonshëm mënyre të menduari për mua. Më çliroi dhe më dha një perspektivë krejt tjetër për jetën.”
Për një kohë ishte bindur se Diana nuk kishte vdekur
Procesi i pranimit nuk erdhi menjëherë.
Harry rrëfen se kishte arritur deri aty sa të bindte veten se nëna e tij nuk kishte vdekur vërtet.
“Mendoja se e kishte organizuar largimin e saj për t’u shkëputur nga gjithçka që po i shkatërronte jetën dhe se një ditë do të shfaqej përsëri, e maskuar, për të marrë mua dhe vëllain tim.”
Sot, Harry e sheh ndryshe marrëdhënien me kujtimin e së ëmës. Ai thotë se shpreson që Diana të ishte krenare për mënyrën si ai po e ndërton jetën dhe punën e tij.
“Shpresoj që nëna ime të jetë krenare për gjithçka që bëj dhe për gjithçka ku investoj energjinë time.”
Ai thotë se, në përpjekjen për të mbajtur gjallë trashëgiminë e saj, nuk e kishte kuptuar menjëherë se edhe vetë ishte tërhequr natyrshëm drejt një pune shumë të ngjashme me atë që bënte Diana.
“Dhimbja nuk sjell aq një ndjenjë përgjegjësie, sa të bën ta mbash me vete gjatë gjithë jetës personin që ke humbur. Ka diçka te fakti që e mbaj nënën time brenda vetes që, në fund, më jep energji për punën që bëj.”
Ushtria u bë arratisja e tij
Sipas Harry-t, pikërisht nevoja për adrenalinë dhe për t’u mbajtur vazhdimisht i zënë ndikoi edhe në një prej vendimeve më të rëndësishme të jetës së tij.
“Ishte ajo që më shtyu t’i bashkohesha ushtrisë në moshën 20 vjeçare. Ishte shpërqendrimi perfekt. Nuk mund të mendoja për asgjë tjetër përveç misionit që duhej të kryeja.”
Por as ushtria nuk e zgjidhi problemin.
Eksperiencat në Afganistan, sipas tij, rikthyen trauma të mëparshme dhe pas kthimit në shtëpi në vitin 2013 gjendja u rëndua.
“Ajo që kisha parë dhe përjetuar dukej sikur kishte aktivizuar trauma të tjera që kishin mbetur të depozituara brenda meje.”
Në atë periudhë, edhe gjëra fare të zakonshme filluan t’i shkaktonin reagime të forta.
“Fillova ta kuptoja se kisha arritur në limit kur edhe veshja e një këmishë të zakonshme, ndjesia e jakës që më shtrëngonte, më jepte fjalë për fjalë ndjesinë se po mbytesha. Më kapnin sulme paniku ndërsa isha në makinë, rrugës për në punë.”
Pikërisht atëherë, kujton ai, e kuptoi se problemi ishte më i thellë:
“Thashë me vete: ‘Në rregull, këtu ka diçka më të madhe. Ka diçka tjetër që duhet ta kuptosh’.”
Çfarë ndodh kur trupi jeton për një kohë të gjatë nën stres
Gjatë bisedës, psikiatrja Mary-Frances O’Connor e krahasoi sistemin nervor me një makinë që mbahet vazhdimisht me këmbën mbi gaz.
“Nëse e mban gjithë kohën pedalin të shtypur, duke i kërkuar trupit të menaxhojë vazhdimisht atë nivel energjie, kjo nuk është e qëndrueshme”, shpjegoi ajo.
Stresi kronik mund të çrregullojë sistemet hormonale dhe ritmet normale të kortizolit, duke u shoqëruar me lodhje, vështirësi përqendrimi dhe atë që shpesh përshkruhet si “mjegull mendore”. Nuk bëhet fjalë në kuptimin literal që trupi “mbetet pa kortizol”, por për një ndryshim të mënyrës si sistemi i stresit funksionon pas ekspozimit të zgjatur.
Harry u shpreh se e njeh shumë mirë këtë ndjesi: “Është pikërisht ajo mjegull mendore që e kam përjetuar edhe unë.”
Sot ai thotë se periudhat më të vështira janë pas tij dhe shpreson që duke folur hapur për përvojën e vet të mund të ndihmojë edhe njerëzit që po kalojnë situata të ngjashme.
Për Harry-n, procesi nuk ka qenë të harrojë humbjen e nënës, por të gjejë një mënyrë tjetër për ta mbajtur atë me vete, pa menduar se duhet të vuajë përgjithmonë për të vërtetuar sa shumë e ka dashur.



