Princ George dhe talenti i tij për artin i trashëguar nga gjyshi i tij Charles dhe nëna e tij Kate

Një vizatim i princit 13-vjeçar është publikuar në revistën Country Life. I realizuar me lapsa me ngjyra, punimi dëshmon një prirje artistike të ushqyer edhe nga tradita familjare.
Talenti për vizatim nuk trashëgohet automatikisht, por princi George duket se ka një prirje të veçantë, të zhvilluar në një familje ku letra dhe ngjyrat kanë pasur gjithmonë vendin e tyre.
Djali i madh i princit William dhe Kate Middleton e ka shfaqur këtë pasion në numrin më të fundit të revistës Country Life, për të cilin i ati ka shërbyer si kryeredaktor i ftuar.
Në të njëjtin botim, Kate ka folur sërish për marrëdhënien me natyrën dhe rëndësinë që ajo ka pasur gjatë rikuperimit pas sëmundjes së kancerit. Ndërsa princesha e Uellsit është shfaqur në një fotografi të papublikuar më parë, George u ka prezantuar lexuesve një krijim të vetin: vizatimin e një bilbili uji të ulur mbi një degë.
Punimi bie në sy për saktësinë, hollësitë dhe përdorimin e dritëhijeve, duke treguar se princi i ri zotëron edhe elemente të teknikës së vizatimit. Imazhi është përhapur me shpejtësi në rrjetet sociale.
Sipas revistës, George e ka realizuar vizatimin pranverën e këtij viti në Forest Lodge, rezidenca e princit dhe princeshës së Uellsit. Ishte vetë William që dëshiroi ta përfshinte në numrin special prej 300 faqesh të Country Life.
Kjo nuk është hera e parë që aftësitë artistike të George tërheqin vëmendjen. Në shkurt të vitit 2025, Kate Middleton publikoi në llogarinë zyrtare të Kensington Palace disa vizatime të realizuara prej saj dhe fëmijëve.
George kishte vizatuar të ëmën të ulur në një kolltuk, duke e ndërtuar portretin me pak vija të sigurta. Kate, nga ana e saj, kishte treguar talentin e vet përmes një portreti të të birit.
Princesha, e cila ka studiuar art në Universitetin St Andrews, e ka pasur gjithmonë pasion vizatimin. Por ajo nuk është e vetmja figurë artistike në familje. Edhe gjyshi i George, mbreti Charles III, njihet për pikturat e tij me akuarel.
Gjatë viteve, shumë prej punimeve të mbretit janë shitur në ankande. Sipas revistës Hello!, të ardhurat nga shitja e veprave të tij vlerësohen në rreth dy milionë paund.
Mbetet për t’u parë nëse George do ta ndjekë këtë rrugë. Talenti dhe frymëzimi brenda familjes, me sa duket, nuk i mungojnë.



