Prerja e viteve ’90 e Nicole Kidman pritet të jetë më e kërkuara e vjeshtës 2026
Shkallëzime të lehta, balluke të gjata të hapura në formë perdeje dhe volum në rrënjë: Nicole Kidman ka rikthyer një nga modelet më karakteristike të flokëve të viteve ’90, perfekt për këdo që dëshiron të rifreskojë pamjen pa hequr dorë nga gjatësia.
Ndikimi i viteve ’90 në modë dhe bukuri nuk është më një risi. Nga flokët voluminozë dhe balluket perde, te prerjet me shtresa dhe nuancat e ndërthurura të bjondes, estetika e asaj dekade vazhdon të rikthehet në version modern.
Nicole Kidman e konfirmoi këtë tendencë gjatë premierës në New York të sezonit të tretë të serialit “Special Ops: Lioness”, ku është protagoniste dhe producente ekzekutive. Aktorja u shfaq me flokë të gjatë, të lëshuar dhe në pamje të parë të drejtë, por me një teksturë të butë dhe plot lëvizje.
Më shumë sesa një prerje krejtësisht e re, ky është një stilim i flokëve që duket natyral, elegant dhe i pakuruar me sforco. Pikërisht për këtë arsye pritet të kthehet në një nga modelet më të kërkuara të vjeshtës 2026.
Si është prerja e Nicole Kidman?
Flokët e aktores ruajnë gjatësinë, ndërsa shtresëzimet e buta krijojnë lëvizje dhe kornizojnë fytyrën pa u dukur tepër të theksuara.
Detaji kryesor janë fijet e përparme, pak më të shkurtra dhe të drejtuara nga jashtë. Ato krijojnë efektin e një ballukeje perde që është rritur, një nga mënyrat më të thjeshta për të ndryshuar pamjen pa bërë një prerje drastike.
Edhe majat janë lehtësuar dhe holluar në mënyrë delikate, duke shmangur efektin e flokëve të rëndë dhe kompaktë. Rezultati është një model i thjeshtë, por i rafinuar, që përfaqëson shumë mirë minimalizmin karakteristik të bukurisë së viteve ’90.
Pamja plotësohet nga nuanca e bjondes së Kidman. Ngjyra e ndritshme, me disa tonalitete të ndërthurura dhe rrënjë pak më të errëta, i jep flokëve më shumë dimension dhe nxjerr në pah shtresëzimet.
Ky efekt kujton bjonden ikonike të Carolyn Bessette-Kennedy, e cila vazhdon të mbetet pikë referimi për një ngjyrë flokësh elegante, të butë dhe natyrale.
Pse duhet ta provoni këtë model?
Avantazhi më i madh i këtij hairstyle-i është se nuk kërkon domosdoshmërisht një ndryshim të madh apo përdorimin e gërshërëve. Një pjesë e mirë e efektit mund të arrihet vetëm përmes stilimit.
Mjafton të krijoni një vijë në mes dhe, gjatë tharjes, t’i ktheni fijet e përparme nga jashtë me një furçë të rrumbullakët. Kjo krijon lëvizjen e butë dhe volumin tipik të modeleve të viteve ’90.
Shtresëzimet e lehta u japin flokëve volum pa i rënduar, theksojnë formën e fytyrës dhe përshtaten si me flokët e drejtë, ashtu edhe me ata natyralisht të valëzuar.
Ndërsa ballukja e gjatë në formë perdeje ofron një ndryshim të dukshëm, por jo ekstrem, duke e bërë këtë model elegant, praktik dhe të lehtë për t’u mbajtur çdo ditë.
Me rikthimin e estetikës së viteve ’90, prerja e Nicole Kidman ka të gjitha gjasat të shndërrohet në një nga tendencat më të dëshiruara të flokëve për vjeshtën 2026.



