Prej vitesh në një lidhje, Anxhela Peristeri: “Nuk fshihemi, dalim shumë hapur”

Anxhela Peristeri ka konfirmuar se është në një lidhje dashurie prej shumë vitesh, por ka zgjedhur ta mbajë marrëdhënien larg vëmendjes mediatike. E pyetur nëse është e dashuruar, këngëtarja është përgjigjur shkurt: “Po jam”.
Ajo nuk ka zbuluar identitetin e partnerit apo kohëzgjatjen e saktë të lidhjes, por ka shpjeguar pse preferon të mos ndajë hollësi nga jeta sentimentale. Për Anxhelën, kjo është një zgjedhje që lidhet edhe me respektimin e dëshirës së njeriut që ka në krah.
“Unë për jetën private nuk kam folur dhe nuk do të flas sot. Kam preferuar gjithmonë ta mbaj të tillë dhe, me sa duket, formula ecën. Varet edhe nga partneri, nëse do apo nuk do të jetë një person publik. Duhet respektuar edhe dëshira e partnerit”, u shpreh ajo.
Megjithatë, këngëtarja sqaroi se çifti nuk e fsheh marrëdhënien. Ata dalin së bashku dhe frekuentojnë ambiente publike, ndërsa fotografitë dhe detajet e lidhjes mbeten jashtë rrjeteve sociale. Partneri i saj, siç tregoi Anxhela, nuk ka as llogari në këto platforma.
“Nuk fshihemi, dalim shumë hapur. Nuk e bëj publike në rrjetet sociale. Ai nuk ka fare rrjete sociale. Është shqiptar dhe jemi shumë mirë në këtë guaskën tonë”, tha Peristeri.
Kur biseda u ndal te mundësia e një dasme, Anxhela tregoi se për momentin nuk e ka në planet e saj, megjithëse nuk e përjashtoi që të ndryshojë mendim në të ardhmen.
“Nuk besoj se do të bëj dasmë ndonjëherë. Por kurrë mos thuaj kurrë. Për momentin, mendoj se nuk do të bëj”, u shpreh këngëtarja.



