Praktika japoneze që mund t’ju bëjë më të lumtur

Nga Class 14 August 2026

GettyImages-1425568215.png

Në një botë gjithnjë e më të trazuar, ku skenarët gjeopolitikë bëhen më të pasigurt dhe ritmi i jetës na vendos vazhdimisht nën presion, është e lehtë të ndihemi të brishtë, të humbur ose vetëm.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye industria e wellness-it vazhdon të krijojë praktika të reja për të na dhënë një ndjesi qetësie dhe relaksi.

Megjithatë, ekziston një mënyrë shumë më e thjeshtë dhe pothuajse pa kosto, e lindur në Japoni dhe tashmë e përhapur në gjithë botën: të ngresh sytë drejt qiellit.

Quhet “Star Bathing”, fjalë për fjalë “të lahesh në yje”.

Sipas një numri në rritje studimesh, vëzhgimi i qiellit gjatë natës mund të ndihmojë në qetësimin e sistemit nervor, të mbështesë mirëqenien mendore, të krijojë një ndjesi lumturie dhe të na ndihmojë t’i shohim shqetësimet e përditshme nga një perspektivë tjetër.

Dhe për ta shijuar nuk nevojiten aplikacione, pajisje të shtrenjta apo teleskopë të sofistikuar. Mjafton një qiell sa më i pastër, larg dritave të forta dhe ndotjes së qytetit.

Çfarë është Star Bathing, praktika meditative e vëzhgimit të yjeve?
E frymëzuar nga “Forest Bathing”, Star Bathing ose zhytja në vëzhgimin e yjeve ka lindur në Japoni, ku njihet si Hoshi Yoku.

Praktika është shumë e thjeshtë: ngre sytë dhe e lë veten të përfshihet nga spektakli i qetë dhe madhështor i yjeve në qiellin e natës.

Është një eksperiencë pasive, e ngjashme në një farë mënyre me qëndrimin në diell, por e shoqëruar nga ajri i freskët dhe tingujt e natyrës.

Pikërisht kjo mund ta shndërrojë në një ushtrim mindfulness-i dhe në një formë meditimi.

Sipas disa kërkimeve të fundit, praktika mund të ndihmojë në uljen e ankthit dhe stresit, të favorizojë qetësimin, gjumin dhe një ndjesi më të fortë lidhjeje me botën përreth.

Një sondazh i vitit 2024 me 406 persona, i quajtur Night Sky Connectedness Index, gjeti se një lidhje më e fortë emocionale me qiellin e natës shoqërohej pozitivisht me mirëqenien mendore dhe lumturinë.

Cili është ndryshimi mes Star Bathing dhe vëzhgimit astronomik?
Ata që merren me astronomi e shikojnë qiellin për të identifikuar yje, planetë, yjësi apo Rrugën e Qumështit.

Në Star Bathing, përkundrazi, nuk ka nevojë të dini se çfarë po shihni.

Nuk ka rëndësi të njihni emrin e një planeti apo të gjeni një yjësi të caktuar.

Ideja është thjesht të përjetoni ndjenjat që mund të shkaktojë qielli i natës: mahnitje, respekt, përkatësi, qetësi dhe mirënjohje.

Përfitimet e Star Bathing
Kjo praktikë mund të:

reduktojë stresin;
qetësojë sistemin nervor;
ndihmojë në uljen e niveleve të kortizolit;
krijojë ndjesi paqeje dhe qetësie;
favorizojë një gjumë më të mirë;
përmirësojë humorin;
krijojë ndjesinë e awe, atë përzierje mahnitjeje dhe respekti për diçka shumë më të madhe se ne;
stimulojë kreativitetin;
rrisë ndjesinë e përkatësisë;
na ndihmojë t’i vendosim problemet dhe shqetësimet në perspektivë.
Disa studime mbi ndjesinë e mahnitjes kanë sugjeruar gjithashtu lidhje me përfitime të caktuara psikologjike dhe fiziologjike, megjithëse këto efekte nuk duhen parë si trajtim mjekësor.

Si praktikohet Star Bathing?
Zgjidhni një natë me qiell të kthjellët dhe sa më pak re.

Nëse jeni me pushime në natyrë, larg dritave dhe smogut të qytetit, keni tashmë vendin ideal.

Nëse jeni në qytet, mund të kërkoni një tarracë, një çati të sigurt ose një kopsht.

Fikni ose largoni telefonin, gjeni një pozicion të rehatshëm, shtrihuni mbi një batanije ose uluni në një shezlong.

Merrni frymë thellë dhe relaksohuni.

Pastaj ngrini sytë drejt qiellit, pa u përpjekur të identifikoni planetë, yje apo kometa.

Nëse dëshironi, mund ta shoqëroni eksperiencën me ushtrime të kontrolluara frymëmarrjeje ose me journaling, duke shkruar në letër mendimet, emocionet dhe përshtypjet që ju lindin.

Përqendrohuni te ajo që ndieni dhe lejojeni veten të humbasë për disa çaste në pafundësinë e qiellit.

Për sa kohë duhet praktikuar?
Nuk ekziston një kohë e përcaktuar.

Mund të zgjasë pesë minuta ose një orë.

Ideja është të qëndroni aq sa ju bën mirë dhe sa ju lejon ta përjetoni momentin pa nxitim.

 

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon