Politika amerikane në epokën e burrave të pashëm: por a mjafton bukuria për të fituar zgjedhjet?

Sipas një rrëfimi të njohur në historinë politike amerikane, zgjedhjet presidenciale të vitit 1960 u përcaktuan pjesërisht nga një faktor i papritur: bukuria fizike.
Atë vit, John F. Kennedy dhe Richard Nixon morën pjesë në debatet e para presidenciale të transmetuara në televizion, duke i ofruar një pjese të madhe të publikut amerikan një kriter të ri e joshës për të gjykuar banorin e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë.
Në njërën anë ishte Nixon, i zbehtë dhe i djersitur, i cili thuhet se kishte refuzuar rregullimin e flokëve dhe grimin përpara transmetimit. Në anën tjetër ishte Kennedy, i nxirë nga dielli dhe i çlodhur. Thuhet se ata që e dëgjuan debatin në radio menduan se kishte fituar Nixon, ndërsa ata që e ndoqën në televizion ia dhanë pa shumë mëdyshje fitoren Kennedy-t, më fotogjenik.
Rreth 66 vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara mbeten një vend i fiksuar pas tërheqjes fizike: nga djemtë e rinj që merren me looksmaxxing, pra përpjekjen për t’i theksuar sa më shumë tiparet fizike mashkullore, te një president që komenton pareshtur pamjen e të tjerëve.

Prandaj, ndoshta nuk është ndonjë befasi e madhe që, më pak se një muaj përpara zgjedhjeve të mesmandatit, të cilat mbahen më 3 nëntor dhe do të rinovojnë një pjesë të Kongresit, duket sikur kemi hyrë në një epokë të artë të politikanëve të pashëm.
Nga Nju-Jorku vjen buzëqeshja e ëmbël dhe disi e shkujdesur e Zohran Mamdanit. Në Michigan është Abdul El-Sayed, demokrati me fizikun muskuloz, i cili premton të mbajë financimet e jashtme larg politikës, ndërsa uniforma e tij e fushatës përbëhet kryesisht nga bluza të ngushta me dekolte në formë V-je.
Pastaj është sharmi disi djaloshar i Jon Ossoff, senatorit të Georgias, të cilin shumë e shohin si kandidat të mundshëm për president në vitin 2028. Është edhe Chi Ossé, socialisti demokrat nga Brooklyn-i, i stërvitur në powerlifting, si edhe Pete Buttigieg, ish-sekretari i Transportit, i kthyer në një komentator të pazakontë televiziv, me mjekrën e shkurtër të mbajtur me kujdes dhe sytë blu të çeliktë. Këta janë vetëm disa shembuj.

Bukuria nuk mjafton nëse nuk përcjell diçka
Edhe pse bukuria është, natyrisht, një çështje thellësisht subjektive, kjo gjeneratë e re politikanësh përfaqëson një ndryshim më të gjerë brezash. E thënë pa dorashka, kemi zëvendësuar baby boomers në moshë të thyer me millennial-ët plot energji.
"Mendoj se njerëzit kërkojnë politikanë energjikë, që janë në gjendje ta çojnë punën deri në fund, jo një president që e zë gjumi gjatë mbledhjeve apo një drejtues të Senatit që ngec në mes të fjalisë", thotë Steve Grand, strateg politik me përvojë të gjatë.
"Nuk besoj se bëhet fjalë aq shumë për bukurinë klasike, sesa për atë që përcjell pamja e tyre. Në përgjithësi, njerëzit tërhiqen më shumë nga ata që kanë një pamje tërheqëse. Por mendoj se rëndësi ka sidomos mënyra si shfaqen në publik, e cila mund të përcjellë forcë, kompetencë dhe aftësi për ta mbajtur situatën nën kontroll."
"Pamja fizike nuk është gjithçka. Nuk do të fitojmë vetëm kështu", thotë Lauren Kapp, specialiste e strategjive digjitale, e cila bashkëpunoi me fushatën e Kamala Harris në vitin 2024. "Njerëzit janë të përqendruar te çështjet thelbësore: kërkojnë programe politike dhe njerëz që flasin për to."
Megjithatë, ajo pranon se "është një avantazh kur personi është më tërheqës. Ose kur njerëzit arrijnë të gjejnë diçka nga vetja tek ai".
Nëse televizioni hapi një epokë të re të imazhit në politikë, rrjetet sociale e kanë çuar atë në skaj. Rrjedha e pandërprerë e videove të shkurtra, të xhiruara me telefon, e bën debatin Nixon–Kennedy të duket sot si diçka tepër e vjetruar.
Ngritja e komentatorit politik të së majtës ekstreme, Hasan Piker, është kthyer në një lloj fiksimi për të djathtën ekstreme. Një fotografi e tij me të brendshme u shfaq madje papritur gjatë një konvente republikane në Dallas.
Ndërkohë, kur u bë i njohur angazhimi i mëparshëm i Chris Gallant, kandidat demokrat për Dhomën e Përfaqësuesve, si model në fotografi provokuese me aksesorë sadomazokistë, ai iu përgjigj skandalit duke mbrojtur zgjedhjet e veta dhe duke pozuar për The New York Times në një fotografi që vinte në pah fizikun e tij.
Këto figura e ushqejnë deri diku interesin për pamjen e tyre. Dhe përse të mos e bëjnë? Siç thotë Grand për Mamdanin, Ossoff dhe El-Sayed: "Duken sikur kanë dalë nga një agjenci kastingu".
"Mendoj se ka jashtëzakonisht shumë rëndësi", thotë stilisti Bailey Moon, kur pyetet për peshën e pamjes së një politikani në mjedisin e sotëm mediatik. Mes klientëve të tij janë Mamdani, bashkëshortja e tij Rama Duwaji, madje edhe familja Biden.
"Jetojmë në një kohë kur përmbajtja e një mesazhi mund të mbytet lehtësisht nga një imazh viral apo një video dhjetësekondëshe. Veshja dhe kujdesi për pamjen duhet ta nxjerrin në pah personin, pa u bërë vetë lajmi. Nuk dëshiron ta shpërqendrosh vëmendjen me një veshje të pakujdesshme, por as që të flitet vetëm për një paraqitje që ka si qëllim të vetëm modën."
Bukuria në politikë: standarde të ndryshme për burrat dhe gratë
Steve Grand nënvizon menjëherë se pamja e grave në politikë është vëzhguar gjithmonë më nga afër dhe është gjykuar më ashpër sesa ajo e kolegëve të tyre burra.
Ndërsa burrave u mjaftojnë pak a shumë një kostum i bukur, gjakftohtësi dhe flokë të dendur për të përcjellë forcë apo kompetencë, gratë, sipas tij, janë "nën një vëzhgim shumë më të madh".
Mjafton të kujtojmë se si disa media llogaritën koston e garderobës së Hillary Clinton gjatë fushatës, ndërsa pamjen e saj si Zonjë e Parë e kishin cilësuar "të pakujdesur".
Megjithatë, politikanët e sotëm janë mjaft të aftë ta përdorin veshjen për të përcjellë një mesazh të caktuar. Te El-Sayed, ajo nxjerr në pah formën fizike dhe imazhin e një njeriu jashtë establishmentit, me stil të çlirët. Ndërsa rrobat e rrudhosura të Mamdanit sugjerojnë seriozitet pa dëshirën për t’u dukur.
Disa studime kanë treguar se njerëzit tërheqës jo vetëm perceptohen si më të besueshëm, por shpesh paguhen dhe trajtohen më mirë. Ky fenomen njihet në kulturën popullore si «privilegji i bukurisë». Megjithatë, në politikë, të konsiderohesh tepër i bukur mund të kthehet në pengesë.
"Me dikë si Gavin Newsom, rrezikon ta teprosh», thotë Grand, duke iu referuar guvernatorit të Kalifornisë, i përmendur gjithashtu si kandidat i mundshëm për udhëheqjen e demokratëve. Për disa, pamja e tij duket tepër artificiale.
"Kur buzëqesh, është sikur sheh atë shkëlqimin e sajuar të reklamave të pastës së dhëmbëve. Nuk dëshiron të dukesh as tepër i kuruar."
Sipas Kapp, në vitin 2026 është më e rëndësishme të dish t’i përdorësh me zotësi rrjetet sociale, "t’i pushtosh", siç shprehet ajo, dhe ta bësh mesazhin tënd viral, sesa thjesht të kesh një pamje të bukur.
Por kjo sërish kërkon të dalësh përpara publikut, të ndërveprosh me zgjedhësit dhe të jesh disi gati për kamerat, qoftë për një fjalim që do të përfundojë në internet, qoftë për një shfaqje në formatin viral SubwayTakes.
Natyrisht, pohimi i Samantha Jones në Sex and the City, se «vendi funksionon më mirë me një burrë të pashëm në Shtëpinë e Bardhë», i ndjekur nga një koment vulgar për Nixon-in, tingëllon mjaft sipërfaqësor. Fakti që një politikan nuk ka bukuri klasike, nuk është në formë apo nuk vishet sipas modës, sigurisht që nuk është arsye për ta përjashtuar.
"Por është një avantazh i këndshëm", thotë Kapp. "Na jep shumë më tepër mundësi me të cilat mund të punojmë."



