Pija virale që ju jep shkëlqim: çfarë përmban dhe si përgatitet

Ngjyra e tij e kuqe intensive është pothuajse hipnotizuese, por ajo që e ka bërë viral nuk është vetëm pamja. Ky “shot” rubin kombinon disa përbërës të pasur me vitamina, antioksidantë dhe përbërës bimorë, duke u kthyer në ritualin e ri të beauty që nis jo nga kremrat, por nga ajo që hamë dhe pimë.
“Lëngu që të duhet në të 20 at, jo pas 20 vitesh”, thotë Samy, content creator francez i specializuar në skincare, shëndetin e lëkurës dhe kujdesin për flokët, i cili numëron mbi një milion ndjekës në TikTok.
Në një video të bërë virale në Instagram, ai përgatit një shot me ngjyrë rubini duke kombinuar disa përbërës të njohur për profilin e tyre ushqyes.
Duke qenë se vetë ka kaluar probleme me aknet, Samy promovon një qasje më pak të fokusuar vetëm te produktet kozmetike: përpara se të shtojmë një tjetër serum në rutinë, ndoshta ia vlen të shohim edhe çfarë vendosim çdo ditë në pjatë.
Por çfarë përmban realisht kjo pije?
Lakër e kuqe
Ngjyra e fortë e lakrës së kuqe vjen pjesërisht nga antocianinat, pigmente bimore me veprim antioksidues.
Këto përbërje ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga stresi oksidativ, pra dëmtimi që lidhet me radikalet e lira.
Nuk bëhet fjalë për një “kurë” për lëkurën, por për një ushqim me profil shumë të mirë ushqyes që mund të jetë pjesë e një diete të larmishme.
Karotë
Karota sjell betakaroten, pigmentin që i jep ngjyrën karakteristike portokalli.
Organizmi mund ta shndërrojë betakarotenin në vitaminë A, një vitaminë e rëndësishme për mirëmbajtjen e lëkurës dhe mukozave, shikimin dhe funksione të tjera të organizmit.
Pra, në këtë “eliksir”, karota nuk është thjesht për ngjyrë.
Panxhar
Panxhari është ai që i jep pijes tonin e fortë rubin.
Ai përmban nitrate ushqimore, të cilat në organizëm mund të shndërrohen në oksid nitrik. Ky proces lidhet me zgjerimin e enëve të gjakut dhe, në disa studime, me ulje të presionit të gjakut dhe përmirësim të qarkullimit.
Megjithatë, efekti ndryshon nga personi në person dhe një gotë lëng nuk zëvendëson trajtimin mjekësor apo një dietë të ekuilibruar.
Limon
Limoni sjell vitaminën C, një nga nutrientët më të lidhur me shëndetin e lëkurës.
Vitamina C kontribuon në formimin normal të kolagjenit, proteinës që ndihmon në ruajtjen e strukturës së lëkurës, dhe gjithashtu ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga stresi oksidativ.
Kjo nuk do të thotë se limoni “krijon glow” brenda natës, por është një burim i vlefshëm i vitaminës C.
Xhenxhefil
Xhenxhefili i jep pijes shijen e fortë dhe karakteristike, por edhe disa përbërës bioaktivë, mes tyre gingerolët.
Këto substanca janë studiuar për vetitë e tyre antioksiduese dhe antiinflamatore.
Sërish, nuk është një përbërës magjik që e transformon një pije në “eliksir bukurie”, por ka një profil ushqyes interesant dhe mund të jetë pjesë e një diete të balancuar.
Elektrolite
Përbërësi i fundit janë elektrolitet.
Minerale si natriumi, kaliumi dhe magnezi marrin pjesë në procese të rëndësishme të organizmit dhe ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve.
Në këtë recetë, roli i tyre lidhet kryesisht me hidratimin.
Megjithatë, për shumicën e njerëzve që ushqehen normalisht dhe nuk kanë humbje të mëdha lëngjesh nga aktiviteti fizik, temperaturat e larta apo sëmundjet, shtimi i elektroliteve nuk është domosdoshmërisht i nevojshëm çdo ditë.
Si përgatitet “eliksiri rubin”?
Receta është shumë e thjeshtë.
Në blender ose shtrydhëse vendosen lakër e kuqe, karotë, panxhar, limon dhe xhenxhefil i freskët.
Në fund mund të shtohen elektrolitet.
Sasitë mund të përshtaten sipas shijes dhe konsistencës që dëshironi.
Qëllimi është të krijohet një shot i vogël, i koncentruar, me ngjyrë të fortë, që konsumohet menjëherë pas përgatitjes.
Nëse përdorni blender dhe jo shtrydhëse, pija ruan më shumë fibra, gjë që në përgjithësi është një plus nga ana ushqyese.
Por a mund të “pihet” vërtet bukuria?
Në njëfarë mënyre, po, por jo në kuptimin që premtojnë shpesh trendet virale.
Gjendja e lëkurës ndikohet edhe nga ushqyerja, hidratimi, gjumi, ekspozimi në diell, stresi, gjenetika dhe kujdesi i përditshëm.
Pra, një pije me perime, fruta dhe përbërës të pasur me vitamina mund të jetë pjesë e një mënyre të shëndetshme ushqyerjeje.
Por nuk ekziston një shot që të japë lëkurë perfekte më vete.
“Glow” i vërtetë lidhet shumë më tepër me vazhdimësinë: të hash fruta dhe perime, të marrësh mjaftueshëm proteina, yndyrna të mira, vitamina dhe minerale, të flesh mirë dhe të mbrohesh nga dielli.
Ky eliksir rubin është thjesht një mënyrë më e bukur, më e shijshme dhe, pa diskutim, shumë më instagrammable për të futur disa prej këtyre përbërësve në rutinë.



