Pas katër martesave, Jennifer Lopez jep këshillën që do të donte ta kishte dëgjuar më herët

Jennifer Lopez nuk e ka fshehur kurrë se beson te dashuria. Por pas katër martesave dhe marrëdhënieve të jetuara nën vëmendjen e publikut, këngëtarja thotë se ka mësuar diçka që do të donte ta kishte kuptuar shumë më herët: të mos e kalojë jetën duke pritur dikë tjetër.
Në premierën e “The JLO Show: Live in Las Vegas”, të mbajtur të enjten në Los Angeles, artistja 57-vjeçare ndau me HOLA! USA këshillat e saj për dashurinë dhe rëndësinë e të mos humburit veten në kërkim të një lidhjeje.
Gazetarja Jovita Trujillo i tregoi se po dilte në takime, por po e gjente të vështirë këtë përvojë dhe nuk donte të humbiste veten. Më pas e pyeti se çfarë këshille do t’i jepte, nga ato që vetë Lopez do të kishte dashur t’i dëgjonte më herët.
“Njihe vlerën tënde. Dhe mos kërko. Mos dil në takime. Do të vijë vetë”, u përgjigj këngëtarja. “Ji vetvetja. Shijoje jetën. Bëj atë që dëshiron të bësh. Dhe gjëja e duhur do të vijë. Do të vijë personi i duhur, ai që mund të jetë në të njëjtën energji me ty.”
Për Lopez, gjithçka nis nga njeriu që dëshiron të bëhesh dhe nga jeta që ndërton për veten. Kërkimi i dikujt që të të plotësojë mund të të largojë pikërisht nga kjo.
“Bëhu ajo që dëshiron të jesh. Bëhu lloji i njeriut me të cilin do të doje të ishe në një lidhje. Dhe pastaj ajo që kërkon do të vijë. Kështu funksionon bota”, vazhdoi ajo.
Artistja i nxiti njerëzit t’i kushtojnë më shumë vëmendje jetës së tyre, pa e lënë lumturinë në pritje të një partneri.
“Kur pushon së prituri që të ndodhin gjëra, kur fillon ta jetosh jetën tënde dhe e kupton se është jeta jote, kur i jep bukuri dhe e bën ashtu siç dëshiron, nuk do të jesh më e shqetësuar për këtë”, shpjegoi ajo.
Lopez pranoi se edhe vetë i është dashur shumë kohë për të arritur në këtë pikë. Këshilla vinte nga përvoja, nga gabimet dhe nga gjëra që i ka kuptuar gradualisht.
“Mendoj se kjo është diçka që edhe mua më është dashur ta mësoj. Nuk po e them nga pozita e dikujt që thotë: ‘Moj vajzë, ti nuk po e kupton’. As unë nuk e kuptoja për një kohë të gjatë. Prandaj këmbëngul ta ndaj me të tjerët sa herë që mundem”, shtoi ajo.
Jeta sentimentale e Jennifer Lopez ka qenë në qendër të interesit publik përgjatë gjithë karrierës së saj. Martesa e fundit ishte ajo me Ben Affleck, me të cilin u ribashkua pothuajse dy dekada pasi kishin prishur fejesën e parë.
Rikthimi i tyre, i pagëzuar nga mediat si “Bennifer 2.0”, përfundoi me martesë në vitin 2022. Në gusht të vitit 2024, Lopez paraqiti kërkesën për divorc.
Më herët, ajo kishte qenë e martuar me Ojani Noa-n, Cris Judd-in dhe Marc Anthony-n, me të cilin ka binjakët 18-vjeçarë, Max dhe Oskar. Gjithashtu ishte fejuar me Alex Rodriguez, përpara ndarjes së tyre në vitin 2021.
Sot, këngëtarja thotë se ka mësuar ta shijojë më shumë shoqërinë e vet. Në një bisedë me Hoda Kotb për podcast-in “Making Space”, ajo foli për ndryshimin që i ka sjellë kjo periudhë pa një partner.
“Që kur jam beqare, kam qenë më e lumtur se në vitet e fundit”, u shpreh Lopez.
Ajo tregoi gjithashtu se ka filluar ta gjejë lumturinë në gjërat e vogla të përditshmërisë, pa pritur që dikush tjetër t’ia sjellë.
“Ajo që kupton është se ajo që po kërkon te një person tjetër varet vetëm nga ti”, i tha Kotb-it.
Ndërkohë, në planin profesional, “The JLO Show: Live in Las Vegas” sjell në ekran koncertin përmbyllës të serisë së saj të shfaqjeve “Jennifer Lopez: Up All Night Live in Las Vegas”, të mbajtur më 28 mars 2026 në The Colosseum, në Caesars Palace.
Produksioni ndjek rrugëtimin e saj nga Bronx-i drejt famës ndërkombëtare, me një orkestër, ansambël vokal, 16 kërcimtarë dhe disa prej këngëve më të njohura të karrierës së saj.



