Nuk mund të hamë më pa u ndier në faj?

Nga Class• 29 October 2026

Nuk mund të hamë më pa u ndier në faj?

A ju kujtohet të gjithave trendi “girl dinner”? Ishte tendenca që shpërtheu para disa vitesh, e mbështetur tek ideja se, kur nuk kishin detyrime apo presione, vajzat parapëlqenin të mos gatuanin për darkë, por të shijonin një pjatë me ushqime të vogla, të kombinuara pa ndonjë logjikë: biskota të kripura, copa djathi të mbetura, rrush, domate qershi, madje edhe Oreo. Një vakt me çfarë kishte mbetur në frigorifer, të cilit i ishte vënë një emër i ri që t’i pëlqente internetit.

Trendi u kritikua pjesërisht, me arsyetimin se nxiste vakte të paekuilibruara. Por ishte edhe një mënyrë për të kërkuar lirinë për të ngrënë sipas dëshirës dhe për të rigjetur kënaqësinë te vaktet e vogla të improvizuara. Dy vjet më vonë, zakonet, shijet dhe tendencat kanë ndryshuar pashmangshmërisht. Mania për ushqimin e shëndetshëm dhe proteinat ka përfshirë edhe ato vakte të vogla pa rregulla, që aq shumë i patëm ngritur në qiell përpara kamerës.

Çfarë është “honwelsik”, tendenca e re koreane për të ngrënë shëndetshëm edhe kur je vetëm

Diçka po zien në tenxheret e Koresë së Jugut. Mes risive që kanë përfshirë këtë vit botën e ushqimit dhe të restoranteve, ka lindur edhe një fjalë e re: honwelsik (혼웰식). Termi bashkon tri koncepte: “hon”, që do të thotë vetëm; “wel”, nga fjala “wellness”, pra mirëqenie; dhe “sik”, që nënkupton ushqim ose vakt.

Të rinjtë në Korenë e Jugut po hanë gjithnjë e më shpesh vetëm, por edhe po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje mirëqenies. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Baedal Minjok, aplikacioni më popullor në vend për porositjen dhe dërgimin e ushqimit, mes të rinjve që jetojnë në qytetet e mëdha është rritur ndjeshëm kërkesa për vakte ushqyese dhe të ekuilibruara për një person.

Ata nuk kënaqen më me gimbap apo makarona të çastit të blera në minimarketin poshtë shtëpisë. Kërkojnë një pjatë që t’i bëjë mirë organizmit, të jetë e kënaqshme dhe e ekuilibruar dhe, mbi të gjitha, të mund të shijohet vetëm, pa qenë e nevojshme të ndajnë tryezën me dikë tjetër.

Prirja drejt ushqimit tejet të shëndetshëm dhe mirëqenies nuk është e re për Korenë. Pikërisht në këtë vend të Azisë Lindore po shfaqen kafene që ofrojnë edhe masazhe e kënde pushimi, për t’u çlodhur nga stresi i qytetit dhe i punës. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara tregtohen produkte si kafe dhe matcha latte të çastit, të pasuruara me kolagjen e proteina, që marrin frymëzim nga estetika lozonjare dhe koncepti i qendrave koreane të mirëqenies.

Në të vërtetë, ushqimi është pjesë e një prirjeje kulturore më të gjerë: obsesionit për përsosmërinë estetike dhe luftën kundër plakjes, që i ka kthyer qytete si Seuli në destinacione të shumëkërkuara për trajtime estetike dhe kontrolle të plota shëndetësore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies së Koresë së Jugut, në vitin 2025 vendi priti dy milionë pacientë të huaj, një rritje prej 71% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Si ka ndryshuar mënyra jonë e të ngrënit

As qytetet perëndimore nuk kanë mbetur jashtë kësaj tendence. Në Milano, vetëm gjatë vitit të fundit, janë hapur dy lokale të reja që e vendosin mirëqenien fizike dhe ushqyerjen në qendër të ofertës së tyre.

Pas Riminit dhe Pesaros, edhe në zonën e Porta Venezias ka mbërritur Ketobar, fast food-i i parë kushtuar ushqyerjes ketogjenike, i hapur nga sipërmarrësi Mirco Bastianelli. Lokali synon ta bëjë më të arritshme dietën që vetë Bastianelli nisi të ndiqte pasi zbuloi se vuante nga diabeti i tipit 2.

Në zonën e Arco della Pace është hapur ndërkohë The Longevity Kitchen, një koncept i ri kushtuar ushqimit të shëndetshëm, i frymëzuar nga “Zonat Blu”: pesë zona gjeografike të botës që njihen për jetëgjatësinë dhe mirëqenien në tërësi.

Projekti përfaqëson degën gastronomike të rrjetit të gjerë të veprimtarive të grupit Longevity S.p.A., i cili drejton një rrjet evropian klinikash kundër plakjes dhe biohacking-u. Për këtë arsye, menuja e bistros është hartuar nga kuzhinierë, mjekë dhe, sigurisht, nutricionistë.

A është të ngrënët shëndetshëm gjithmonë sinonim i mirëqenies?

Tradicionalisht, të ngrënët jashtë shtëpisë ka qenë një moment kushtuar kënaqësisë dhe shoqërisë së të tjerëve. Ka qenë edhe një mënyrë për t’u çliruar nga detyrimet e kuzhinës dhe për të harruar enët që na presin për t’u larë.

Dalim për të provuar lokale të reja, një restorant që është bërë viral apo një tjetër me listë pritjeje pafund. Dalim edhe për ta lëshuar veten e për ta tepruar me sasitë. Në shtëpi nuk kemi gjithmonë antipastë, pjatë të parë dhe ëmbëlsirë; apo pjatë të parë, të dytë dhe garniturë. Shpesh kemi vetëm një pjatë, të ekuilibruar ose jo.

Por nëse, përkundrazi, vakti në fast food apo restorant bëhet i vetmi moment kontrolli, rasti për të vendosur ekuilibër në një regjim ushqimor që përndryshe nuk do ta kishte, mos vallë edhe kjo kërkesë e ethshme për ekuilibër është shenjë e një marrëdhënieje me ushqimin që ka fare pak të shëndetshme?

Ka edhe një të dhënë tjetër interesante që nuk duhet anashkaluar. Në Korenë e Jugut, të dhënat mbi konsumin tregojnë se janë gratë ato që kryesojnë blerjet e produkteve proteinike, me bazë bimore, të dedikuara mirëqenies dhe me përbërës pak të përpunuar.

Pra, çështja ka edhe një anë gjinore. E nisëm artikullin me imazhin e një vajze që, me pjatëzën e saj plot ushqime dosido, shijon një çast çlirimi. E kush e di, mbase po ajo vajzë, e pushtuar nga ndjenja e fajit, do të vendosë më pas të rikthehet në formë.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon