Nju Jorku njeh zyrtarisht 28 Nëntorin

Një vlerësim i veçantë për historinë dhe identitetin shqiptar vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut ka miratuar më 19 nëntor 2026 një rezolutë përmes së cilës 28 Nëntori njihet zyrtarisht si Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, duke u përfshirë si datë përkujtimore vjetore në qytet.
Rezoluta është iniciuar nga këshilltarja e qytetit Amanda C. Farías, ndërsa në mbështetje të saj janë bashkuar edhe këshilltarët Shirley Aldebol, Farah N. Louis dhe Frank Morano.
Përmes këtij vendimi, autoritetet e Nju Jorkut vlerësojnë rëndësinë historike të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, por edhe rolin e komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili ndër vite është bërë pjesë e rëndësishme e jetës sociale dhe kulturore të metropolit amerikan.
Sipas të dhënave të Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, në pesë distriktet e Nju Jorkut jetojnë më shumë se 100 mijë banorë me origjinë shqiptare. Komunitetet më të mëdha janë të përqendruara në Bronx dhe Staten Island, ndërsa historia e emigracionit shqiptar në këtë qytet daton që në fillim të viteve 1920.
Në përmbajtjen e rezolutës i kushtohet vëmendje edhe historisë së shtetformimit shqiptar. Aty rikujtohet shpallja e Pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali më 28 nëntor 1912, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare.
Dokumenti përmend gjithashtu mbështetjen që presidenti amerikan Woodrow Wilson i dha çështjes shqiptare pas Luftës së Parë Botërore, si dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në korrik të vitit 1922.



