Një epokë e re: Revista Class transformohet në Class Media, së shpejti 6 produksione të reja

Një kapitull i ri po nis për Class. Pas vitesh si një prej markave të njohura të medias shqiptare, Revista Class zgjeron identitetin dhe dimensionin e saj, duke u transformuar në Class Media, një kompani prodhimi e fokusuar te produksionet digjitale.
Ndryshimi nuk është vetëm në emër. Class Media po ndërton një Media House në formën e një Web TV, me përmbajtje origjinale që do të jetojë në kanalin zyrtar Class Media në YouTube dhe në platformat sociale. Vizioni është ai i platformave që kanë ndryshuar mënyrën se si sot konsumojmë televizionin dhe entertainment-in, si Netflix apo Amazon Prime, por i menduar për tregun shqiptar: një destinacion digjital ku publiku nuk vjen vetëm për një program, por gjen një bibliotekë formatesh, personazhesh dhe historish për t’i ndjekur kur dhe ku dëshiron.
Dhe sezoni i ri vjen me një investim të rëndësishëm në përmbajtje: gjashtë produksione të reja do të prezantohen së shpejti.
Dy prej tyre publiku ka nisur tashmë t’i zbulojë.
Teaser-at e “Room Service” dhe “Garden Club” kanë dhënë sinjalet e para të asaj që po përgatitet, por janë vetëm fillimi. Katër produksione të tjera mbahen ende surprizë dhe do të zbulohen gradualisht.
Bashkë me formatet e reja do të vijnë edhe fytyra të reja në Class Media. Figura shumë të njohura dhe të dashura të ekranit shqiptar do të marrin drejtimin e disa prej produksioneve, ndërsa hapësirë do t’u jepet edhe talenteve të rinj, duke bashkuar eksperiencën televizive me një brez të ri krijuesish dhe një mënyrë të re për të prodhuar përmbajtje.
Ky transformim, megjithatë, nuk nis nga zero.
Prej dy vitesh, “Inspire Podcast” dhe “Meet the Founder” kanë shkruar historinë e tyre të suksesit brenda Class, duke sjellë intervista, histori personale, sipërmarrje dhe personazhe që kanë krijuar një audiencë të qëndrueshme përtej formatit klasik të një reviste.
Suksesi i tyre ka shtruar rrugën për hapin e radhës: nga produksione digjitale brenda Revista Class, në një kompani që e vendos krijimin dhe prodhimin audioviziv në qendër të identitetit të saj.
Por Class Media nuk synon vetëm të prodhojë formatet e veta. Dyert hapen edhe për creators.
Krijuesit që kanë një ide televizive apo digjitale dhe kërkojnë një partner për ta kthyer atë në një produksion të mirëfilltë, nga zhvillimi i formatit dhe prodhimi, te marketingu, shpërndarja dhe ndërtimi i audiencës, ftohen të bëhen pjesë e këtij ekosistemi të ri.
Sepse faza e ardhshme e medias nuk ndërtohet vetëm nga televizionet dhe as vetëm nga creators. Ndërtohet aty ku idetë, talenti, produksioni dhe audienca takohen.
Me gjashtë produksione të reja, figura të njohura të medias, talente të rinj dhe dy formate tashmë të konsoliduara, Class Media po hap zyrtarisht epokën e saj të re, me ambicien për të qenë një nga hapësirat ku ndërtohet edhe e ardhmja e creator economy shqiptare.



