“Një burrë që ka frikë nga refuzimi? E tmerrshme!”/ Ja si është burri me 2 ‘r’ për Jonida Maliqin

Nga Class• 20 November 2026

“Një burrë që ka frikë nga refuzimi? E

Sa e vështirë është të impresionosh Jonida Maliqin? Për këngëtaren, përgjigjja duket se lidhet më pak me gjestet e mëdha dhe më shumë me një model burrërie që, sipas saj, po bëhet gjithnjë e më i rrallë: atë të një burri që mban fjalën, kujdeset për familjen dhe nuk i trembet as seriozitetit, as emocioneve.

E ftuar në The Garden Club, në Class Media, në një bisedë të moderuar nga Sindi Tona dhe Manjola Nallbani, Jonida Maliqi ndau reflektimet e saj mbi mënyrën se si kanë ndryshuar marrëdhëniet, pritshmëritë ndaj burrave dhe vetë filozofia e familjes, duke rikthyer vëmendjen te një model që, për të, mbetet i lidhur ngushtë me figurën e baballarëve të dikurshëm.

“Të qenurit burrë me dy ‘rr’ është tek imazhi i baballarëve tanë. Tek ai burri që i mbante peshë fjala, e mbante fjalën, ishte kryefamiljar. Ishte ai burri që kujdesej për fëmijët, për gruan, edhe që mendoj në ditët e sotme, fatkeqësisht, janë shumë të rrallë burrat e tillë. Krahas kësaj mendoj që vetë filozofia e familjes po humbet”, u shpreh Maliqi.

Duke iu referuar kohës kur ajo ishte më e re, këngëtarja kujtoi një tjetër mënyrë të të qasurit ndaj dashurisë, ku njohja, përkushtimi dhe serioziteti kishin një ritëm krejt tjetër. Një periudhë kur, siç rrëfen ajo, djemtë nuk nxitoheshin të propozonin, por e ndërtonin afrimin me kujdes, durim dhe një synim që shkonte përtej një lidhjeje të momentit.

“Mbaj mend djemtë mund të na gjurmonin me ditë, me javë, me muaj të tërë dhe mateshin shumë për të të propozuar dhe propozimi nuk ishte thjesht të bëheshe e dashura, po të kishe një marrëdhënie serioze. Ndoshta edhe të kërkonin dorën ende pa të njohur. Krahas kësaj ishte edhe ai emocioni shumë i bukur teksa shikoje një burrë që vërtetë i dridheshin duart ose kishte një emocion”, kujtoi ajo.

Për Jonida Maliqin, ndryshimi nuk qëndron vetëm te mënyra se si nisin marrëdhëniet, por edhe te mungesa e empatisë dhe te frika për të përballuar refuzimin. Një element që, sipas saj, e bën edhe më të vështirë të dallosh një qasje të sinqertë dhe të pjekur në raportet e sotme.

“Gjithçka është larguar. Nuk ekziston më empatia dhe mendoj që ekziston shumë edhe frika, sepse sot jo më kot e theksova çështjen që nuk duan të pranojnë refuzimin. Kupton, një burrë që mos të pranojë refuzimin? E tmerrshme! Një burrë që ka frikë nga refuzimi, i të thënit jo…”, përfundoi ajo.

 

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon