Nga videot e stërvitjes te përmbajtjet provokuese, pse atletët po i drejtohen OnlyFans?

Nga Class• 19 November 2026

Nga videot e stërvitjes te përmbajtjet provokuese, pse atletët po

“Jam ngopur, s’dua t’ia di më.” 

Bart Swings e hodhi xhaketën pas vetes. Ishte gusht i vitit 2025; Lojërat Olimpike Dimërore ishin më pak se gjashtë muaj larg, ndërsa gjuri i dëmtuar i kampionit olimpik belg nuk po përmirësohej. 

Kjo sekuencë, së bashku me fjalët e rënda që u thanë, u transmetua më vonë në lajmet e mbrëmjes në Belgjikë, mes parashikimit të motit dhe lajmeve të futbollit. Megjithatë, ky përditësim mbi dëmtimin nuk erdhi përmes një interviste, por u publikua në kanalin OnlyFans të patinatorit të shpejtësisë.

Kjo platformë me abonim, e njohur kryesisht për aktorë të filmave për të rritur, modele që shfaqen para kamerës dhe çifte tejet të eksituara, ka krijuar në heshtje një nga listat më të çuditshme të pjesëmarrësve në sportin profesionist. Lista, që përfshin rreth 285 atletë, përmban patinatorë olimpikë të shpejtësisë, vozitës, tenistë, sërfistë dhe lojtarë golfi. Dhe, pavarësisht reputacionit të saj të lidhur me përmbajtje erotike, shumë nga atletët në OnlyFans nuk publikojnë materiale për të rritur.

Swings poston rutina stërvitore dhe pamje nga garat. Ai nuk ka një faqe me pagesë, por merr sponsorizim nga vetë platform, gjë që, siç u shpreh ai për Front Office Sports, përbën “një pjesë vërtet të rëndësishme” për të. Kjo e ndihmoi atë të arrinte në Milano këtë shkurt, ku u rendit i nënti në garën me nisje masive për meshkuj, ndërsa përpiqej të mbronte titullin e tij olimpik.

Dhe ndonëse në OnlyFans gjejmë atletë si finalisti i Wimbledon-it, Nick Kyrgios, apo ish-ylli i NBA-së, Lamar Odom, të cilët kanë fituar miliona dollarë gjatë karrierës së tyre, platforma shërben kryesisht për ata që nuk do të bëhen kurrë të pasur përmes sportit të tyre. Shumë prej tyre thonë se kjo i ndihmon ta mbajnë gjallë karrierën e tyre sportive.

Avery Poppinga, një volejbolliste profesioniste e volejbollit në rërë që gëzon sponsorizime dhe ka rreth 144,000 ndjekës në Instagram, fiton rreth 2,500 dollarë në muaj vetëm nga faqja e saj me pagesë në OnlyFans. Kjo shumë i ka mundësuar asaj të lërë punën që kryente nga distanca dhe të përqendrohet plotësisht te karriera sportive. Në faqen e saj falas, Poppinga poston foto me rroba banje dhe selfie, ndërsa faqja e saj VIP (me pagesë) ofron “përmbajtje më provokuese, me bikini dhe të brendshme”.


Kampionia olimpike gjermane, Lisa Buckwitz, vlerëson se një sezon në sportin bobsled kushton 59,000 dollarë për t'u përballuar. Ajo iu bashkua platformës OnlyFans në vitin 2024 dhe, ndonëse pozon në mënyrë provokuese, Buckwitz thotë se “në asnjë mënyrë” nuk do të shfaqet nudo. 

“OnlyFans më lejon të financoj ekipin tim. Është gjëja më e mirë që më ka ndodhur ndonjëherë”, tha 31-vjeçarja për gazetën Bild.

Është e lehtë të kuptosh pse atletët mund të fitojnë para në OnlyFans; karriera e tyre u jep atyre trupa që shumë njerëz dëshirojnë t'i vështrojnë me epsh. Nëse gjithsesi ata seksualizohen, pse të mos fitojnë para nga kjo? 

Ekuipazhi olimpik Robbie Manson, i cili ofron ato që ai i quan “foto nudo artistike”, pohon se platforma e ndihmoi të dyfishonte të ardhurat e tij; sportisti nga Zelanda e Re pranon se shumë prej fotove të tij shërbejnë si “karrem për epshet” (të ashtuquajturat “thirst traps”). 

Ish-luftëtarja e UFC-së, Paige VanZant, ka deklaruar se në vetëm 24 orë në OnlyFans ka fituar më shumë para sesa gjatë gjithë karrierës së saj si luftëtare, dhe kjo ndonëse faqen e saj e mban në një nivel të përshtatshëm për të mitur (të ngjashëm me kategorinë “PG-13”).

Kurts Adams Rozentals, një kanotier britanik që përfiton një grant vjetor prej rreth 21,000 dollarësh, tregon se në vitin 2025 përdori OnlyFans për të fituar më shumë se 130,000 dollarë. Ai gjithashtu u pezullua për dy vjet për shkak të një videoje që kishte postuar në Instagram. 

“Pashë një lidhje të drejtpërdrejtë mes krijimit të videove të tilla dhe përmirësimit të situatës sime të jetesës”, tha ai për BBC 

Ai gjithashtu shpjegoi arsyen pse shumë atletë i drejtohen internetit për të siguruar të ardhura shtesë. 

“Ky pezullim nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse atletët do të financoheshin siç duhet,” u shpreh ai.

Modeli i biznesit të OnlyFans është i thjeshtë, të paktën në letër. Platforma mban 20% të të ardhurave, ndërsa pjesa tjetër i shkon atletit. Me 47 punonjës të përhershëm, OnlyFans gjeneron 1.55 miliardë dollarë të ardhura në vit. Gjithashtu, platforma përpiqet në mënyrë aktive të tërheqë atletët. Që nga viti 2023, ajo ka tentuar të zbehë imazhin e saj të lidhur me pornografinë, duke sponsorizuar zyrtarisht atletë të ndryshëm. Disa pranojnë vendosjen e logos në ngjyrë blu të çelët dhe të bardhë në mëngën e bluzës, ose ofrojnë qasje në prapaskena dhe këshilla për stërvitjen. Por, ajo që publikon sportisti, i cili tashmë është shndërruar në krijues përmbajtjesh, varet vetëm prej tij.

Kjo ndërhyrje në sportet e rregulluara zyrtarisht ka shkaktuar përçarje. UCI, organi botëror drejtues i çiklizmit, e ndaloi çiklistin e disiplinës malore, Lewis Buchanan, të garonte i veshur me uniformën e "OnlyFans". Në të njëjtën mënyrë, Summer Richardson, garuese në "National Hot Rod Association", u ndalua të merrte pjesë në gara si sportiste e sponsorizuar nga "OnlyFans" përpara sezonit të vitit 2025. NCAA, organi kryesor që rregullon sportet universitare në SHBA, i mbështet marrëveshjet NIL (që lidhen me përdorimin e emrit, imazhit dhe pamjes së sportistit), por nuk lejon platformat që ofrojnë përmbajtje për të rritur. Ndërsa në sportet profesioniste, kontratat përfshijnë një klauzolë morali për t'u mbrojtur nga sjellje që konsiderohen "të dëmshme për reputacionin" e organizatës.

Sporte të tjera ose e kanë mirëpritur "OnlyFans", ose kanë zgjedhur të heshtin. Ekipi amerikan në garat e motoçiklizmit "Moto2" ishte ndër të parët që përfitoi një sponsorizim nga "OnlyFans": tani ata garojnë nën emrin "OnlyFans American Racing". Në tenisin profesionist ka gjithashtu disa sportistë që përdorin "OnlyFans". Kyrgios nuk poston përmbajtje për të rritur, por ka një faqe falas me pamje nga prapaskenat, "që nga fusha e tenisit e deri te jeta e përditshme". 

Amerikania Sachia Vickery, sipas përfaqësuesit të saj, ngarkon përmbajtje "provokuese", por nuk poston materiale me nuditet të plotë apo akte seksuale. Francezja Océane Dodin nënshkroi një marrëveshje sponsorizimi me "OnlyFans" në dhjetor të vitit 2025. Në turneun "Roland-Garros" në muajin maj, ajo foli publikisht për llogarinë e saj, megjithatë "Nike" dhe "Wilson" vazhduan të mbeten sponsorët e saj. "Ejani të zbuloni anën time seksi. Dhe nëse doni të shihni më shumë, më dërgoni një mesazh”,  shkruhet në biografinë e Dodin në "OnlyFans"


Dhe shkëmbimi i mesazheve mund të jetë fitimprurës. Sipas shkrimtarit dhe analistit Ed Elson, 70% e të ardhurave që qarkullojnë në "OnlyFans" vijnë përmes mesazheve private (DM), ku krijuesit komunikojnë me abonentët e tyre. 

Megjithatë, shumë krijues tani ia besojnë këtë pjesë të biznesit palëve të treta; është krijuar një ekosistem i tërë "agjencish bisedash" për të përmbushur këtë kërkesë. Ndërsa një abonent mund të mendojë se e di me kë po flet, personi në anën tjetër mund të jetë, në fakt, një punonjës në Indi ose Pakistan. Ose ndoshta një "bot" (program kompjuterik).

"Vetmia është fitimprurëse. Por ky sukses vjen me një kosto shumë të lartë", shkroi vitin e kaluar Scott Galloway, profesor në NYU, në një ese të titulluar "Lonely Fans" (Fansat e Vetmuar) në platformën "Medium". 

Galloway argumenton se faqe si OnlyFans i degradojnë të dyja palët. Krijuesit mund të braktisin karrierat e tyre për t'u bërë një figurë fantazie, ndërsa fansat braktisin marrëdhëniet e jetës reale për një të tillë me dikë që nuk do ta njohin kurrë vërtet. 

Një hetim i Guardian këtë vit ngriti gjithashtu shqetësime rreth mënyrës se si agjencitë e drejtuara nga meshkuj kërkojnë të shfrytëzojnë krijueset e reja femra që gjejnë në faqe. 

Zhytësi meksikan Diego Balleza Isaias, një tjetër atlet i OnlyFans, beson fuqimisht se "asnjë atlet nuk e bën këtë sepse i pëlqen. Gjithmonë do të jetë sepse duhet ta bësh".

E vërteta e hidhur është se vetëm një grusht shumë i vogël krijuesish në OnlyFans do të pasurohen. Ata që ia dalin mirë, zakonisht vijnë me një audiencë të gatshme, ose shoqërohen nga ndonjë skandal. Vrapuesja e distancave ultra të gjata, Camille Herron, dikur mbante rekorde botërore në gara që varionin nga 50 milje e deri në gjashtë ditë. Më pas, në vitin 2024, ajo dhe bashkëshorti i saj, Conor Holt, u përfshinë në një çështje ku dyshohet se kishin manipuluar faqet në Wikipedia të vrapuesve rivalë. Dy ditë më vonë, ajo humbi një marrëveshje sponsorizimi me kompaninë Lululemon. Këtë shtator, ajo njoftoi se do të fillonte të krijonte përmbajtje për të rritur. Nga ana tjetër, Odom fitoi dy tituj të NBA-së gjatë karrierës së tij si lojtar dhe fitoi më shumë se 100 milionë dollarë nga pagat. Për ata që nuk e ndjekin NBA-në, ai njihej më tepër për martesën me Khloé Kardashian dhe për mbidozën që për pak sa nuk i mori jetën në një shtëpi publike në Nevada.

Si Herron, ashtu edhe Odom, kanë pretenduar shpejt se po korrin sukses në OnlyFans. Brenda dy javësh nga njoftimi i saj, Herron postoi se kishte arritur në "0,7%-shin më të mirë" të krijuesve në këtë platformë (llogaritet se 1%-shi i krijuesve që fitojnë më shumë, arkëtojnë të paktën 49,000 dollarë në vit, ndërsa ata në krye të listës fitojnë miliona). Sipas përfaqësuesit të Odom-it, ai fitoi më shumë se 50,000 dollarë vetëm në tetë ditët e para. 

Duket se ata kanë qasje të ndryshme në menaxhimin e llogarive të tyre. Odom e mban situatën të paqartë, duke i thënë TMZ-së: "Nuk jam këtu për t'ju treguar se çfarë do të shihni apo çfarë nuk do të shihni". 

Herron, ndërkohë, ka postuar përmbajtje eksplicite në faqen e saj. Ajo thotë se nuk ka asnjë pendim. "U ndjeva e lirë të rishpikja veten, të bëhesha shefja e vetes dhe të eksploroja mundësi të reja si modele, krijuese dhe sipërmarrëse," u shpreh ajo për Sydney Morning Herald.

Edhe pse fitimet mund të jenë të majme, Odom, ashtu si shumë atletë të tjerë në OnlyFans,  është përballur me reagime të ashpra. Kur ai postoi një link për llogarinë e tij në platformën X, komentet poshtë postimit ishin tejet të pakëndshme. 

"Kush e kërkoi këtë? ... fute gjuhën brenda, o i çuditshëm ... si ka mundësi që ndodh kjo? ... për çfarë i shpenzojnë këta burra paratë e tyre?", shkroi një përdorues.

Fundi i një karriere sportive është një skenar tashmë tejet i njohur. Gladiatori largohet, i mbledhur si një grumbull kockash. Shfaqet një montazh. I plagosur e muskuloz, ai ringjallet për një raund të fundit. Spektatorët, me sytë e hapur gjerë, herë buzëqeshin e herë bëjnë grimasa, ndërsa goditjet shoqërohen nga lumenj gjaku, lotësh e gëlbaze. Por tani, për disa atletë, duket se ka një akt të dytë, ose të paktën një rrugë paralele, në platformën OnlyFans. Për disa mund të jetë vendimtare, për të tjerë mizore. Siç ndodh me çdo gjë në sport, fati i kësaj historie varet në masë të madhe nga tifozët.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon