Nga fustani prej letre te kostumi me pasqyra, Elton Ilirjani mbyll sezonin në Paris
Një ndalesë përpara medias dhe një korrigjim i grimit, duke përdorur pasqyrat e vetë kostumit. Elton Ilirjani e shndërroi këtë gjest në pjesë të paraqitjes së tij në Javën e Modës në Paris, ku përmbylli sezonin me tri dalje në pasarelat e Palais de Tokyo.
Momenti erdhi gjatë prezantimit të krijimit të stilistit meksikan NOLO, i njohur edhe në skenën e modës së Nju Jorkut. Ilirjani mbante një kostum me efekt lëkure, me pasqyra të integruara në veshje. Gjatë ecjes, ai u ndal përpara përfaqësuesve të medias dhe i përdori ato për të rregulluar grimin, duke i dhënë prezantimit një ndërhyrje personale dhe teatrale.
Një tjetër paraqitje e tij lidhej me angazhimet për Global Fashion Collective. Këtë herë, modeli shqiptar veshi një fustan të realizuar me letër japoneze, krijim i një stilisteje japoneze. Veshja solli një qasje krejt tjetër ndaj materialit dhe formës, ndërsa Ilirjanit iu besua dalja përmbyllëse e sfilatës.
Në të njëjtën hapësirë, ai sfiloi edhe për markën koreane Asparagus, në kuadër të Concept Korea. Prezantimi, i financuar nga qeveria koreane, kishte një frymë avangarde, me ritëm të shpejtë dhe pjesëmarrjen e modelëve kryesisht të rinj.
Tri paraqitjet e vendosën Ilirjanin përballë mënyrave të ndryshme të interpretimit të veshjes: nga eksperimentimi i markës koreane, te fustani prej letre japoneze dhe kostumi me pasqyra i NOLO. Te ky i fundit, veçanërisht, ai e përdori vetë veshjen për të ndërtuar një moment përtej ecjes së zakonshme në pasarelë.
Me këto angazhime në Paris, Ilirjani mbylli një sezon që e çoi nga Tokio dhe Seuli në Nju Jork e Londër, për të përfunduar në kryeqytetin francez.



