Ky është libri i korrikut për Dua Lipën dhe ka lidhje me Shqipërinë

Artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka vendosur ta nisë muajin korrik duke i dhënë vëmendje një prej veprave më të vlerësuara të letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare. Këngëtarja ka përzgjedhur librin “Të lirë” (“Free”) të autores Lea Ypi si rekomandimin e muajit në klubin e saj të librit, Service95.
Përmes platformës së saj kulturore, Dua ftoi lexuesit të njihen me historinë personale të Lea Ypit, e cila rrëfen fëmijërinë e saj në Shqipërinë e izoluar gjatë regjimit komunist dhe ndryshimet dramatike që solli rënia e sistemit. Në prezantimin e librit, Service95 ndalet te mënyra unike me të cilën autorja e tregon historinë përmes syve të një fëmije.
'Lea përshkruan një vend stalinist aq të izoluar politikisht, saqë kishte prishur marrëdhëniet jo vetëm me Perëndimin, por edhe me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Këndvështrimi i një fëmije e bën këtë realitet të çuditshëm të duket krejtësisht normal', thuhet në prezantim.
Sipas platformës së Dua Lipës, “Të lirë” nuk është vetëm një histori për jetën nën komunizëm, por edhe një reflektim mbi kuptimin e lirisë dhe çmimin që ajo mund të ketë.
'Por, përtej absurditetit, ‘Të lirë’ tregon se çfarë ndodh kur liria mbërrin dhe rezulton shumë më e ndërlikuar nga sa e kishte imagjinuar kushdo. Fabrikat mbyllen, vendet e punës zhduken, familjet ndahen dhe shpërthen lufta civile. Kur përballesh me kaq shumë kuptime dhe versione të ndryshme të lirisë, Lea nis t’i bëjë vetes pyetjen: Çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh i lirë?', vijon përshkrimi.



